1 milion denarë për çdo “branitell” të rënë gjatë 2001, Mexhiti “rebelohet” dhe përplaset me Angellovin

Kryetari i partisë “Dinjiteti”, Stojançe Angellov që është pjesë e koalicionit qeveritar ka kërkuar që çdo familje e një pjesëtari të vrarë të forcave të sigurisë të njohur si “branitelli” gjatë 2001, duhet të marrë mbështetje dhe kompensim në formë ndihme nga shteti me vlerë 1 milionë denarë.

Por për këtë ka reaguar deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti i cili kushtëzon që do të përkrahet kjo nismë të ndryshimit të Ligjit për veteranët në Kuvend vetëm nëse do të ndahen edhe nga 1 milion denarë për familje të dëshmorëve të UÇK-së, shkruan “Slloboden Peçat”.

Angellovi do të duhet ende t’i bindë partnerët qeveritar LSDM dhe BDI që familjet e veteranëve të vrarë nga radhët e forcave të sigurisë të marrin kompensim të njëhershëm prej një milion denarë për anëtar ose 50.000 euro për familje. LSDM është në pritje të propozimit për ndryshime në Ligjin për veteranët, pas së cilës do të votohen, ndërsa VMRO-DPMNE pret që Qeveria e Dimitar Kovaçevskit të dorëzojë zgjidhje ligjore për familjet e veteranëve të vrarë, përcjell INA.

“Propozimin mund ta mbështesim nëse, përveç familjeve të ‘branitellave’ të vrarë, të marrin mbështetje financiare të njejtë edhe familjet e të vrarëve të UÇK-së. Angellov le të përpiqet të lobojë për dëmshpërblim për familjet e ‘branitellave’ të vrarë dhe për pjesëtarët e vrarë të UÇK-së, kështu që ai do të ketë mbështetje për propozimin”, theksoi për gazetën “Slloboden Peçat”, deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti.

Por ky qëndrim tani për tani është i deputetit Mexhiti, dhe se BDI pritet të prononcohet edhe si grup parlamentar.

“Angellov le ta paraqesë propozimin në Kuvend, mund të jetë qëndrim i grupit parlamentar të BDI-së”, theksoi Mexhiti.

Ndryshe, nuk do të jetë befasi nëse edhe ky propozim i Dinjitetit të përjetojë fatin e ndryshimeve të ligjit për veteranët e para 10 viteve, të cilin BDI-ja i bllokoi me mijëra amendamente. Por, sipas informacioneve të gazetës, Angellov tashmë ka biseduar për propozimin me grupin parlamentar të LSDM-së, ku presin që ai t’i dorëzojë ndryshimet e Ligjit. (INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey