20 familje në qiell të hapur, ekspertët kundërshtojnë njëri-tjetrin (FOTO)

Sharing is caring!

Banorët e një pallati në Xhafzotaj flenë në çadra të cilat janë vendosur nga bashkia pas rënies së tërmetit. Pallati i tyre i ndërtuar që në 1987 , ka 20 familje nga të cilat asnjëra nuk hyn në banesë, pasi janë të dëmtuara nga tërmeti.

Shqetësimi i tyre më i madh është inspektimi që i është bërë pallatit, pasi në fillim ju kanë thënë është i pabanueshëm, më vonë e nxorrën të banueshëm, por shiriti që tregon se pallati është i pabanueshëm ende është i vënë.

Banorët tregojnë për Fiksin se në fillim erdhën një grup ekspertësh dhe vunë një shirit që pallati është i pabanueshëm, më vonë erdhën ca të tjerë dhe thanë është i banueshëm, por shiriti vazhdon të jetë.

” Kemi frikë të hyjmë në pallat, askush nuk na jep një dokument që të hyjmë, askush nuk thotë se jemi të sigurt” thotë një banorë. Ndërsa një tjetër banore rreth 70 vjeç thotë se fle në çadër në oborr të pallatit bashkë me të gjithë banorët e tjerë. ” Gratë flenë në një çadër e burrat në një tjetër, kemi gra të sëmura, fëmijë, por nuk mund të hyjmë në shtëpi se kemi frikë, as shiritin nuk e kanë hequr çka do të thotë se pallati është i rrezikshëm” thotë banorja e shqetësuar.

Një tjetër banorë me lot në sy thotë ne nuk duam të na shembet pallati e të na ndërtohet i ri, ne kemi 30 vite që jetojmë këtu, por të na sigurojnë të hyjmë në pallat. ” Asnjëri nga ne nuk kërkon asgjë më shumë përveç se siguri, të na thonë me shkrim dhe të na sigurojnë që të hymë dhe ne hyjmë që në këtë moment” thotë ai.

Gazetarët e Fiksit ju drejtuan Njësisë Administrative Rrashbull ku administratori, Albert Bugaçi tha se në njësi është një procesverbal që thotë se rreziku është i ulët. Pyetjes se përse qëndron shiriti ai i përgjigjet duke thënë se po presim edhe një grup tjetër ekspertësh.

“Deri në darkë do shkojë një tjetër grup ekspertësh dhe do vendosim çfarë do bëhet” tha administratori.

Një ditë më vonë gazetarët e Fiksit shkojnë sërish tek pallati shiriti ishte hequr , por ekspertët nuk kishin vajtur.

Banorët vazhdonin të qëndronin jashtë me këmbënguljen deri në një riinspektim me pajisjet e duhura . ” Nuk hyjmë në pallat pa u bërë riinspektim” thotë një banorë.

Ndërkohë administratori i kontaktuar nga Fiks Fare thotë se është në bashki pikërisht për këtë problem.

Sharing is caring!

Loading...
shares