Amendamenti i ri, rritje e gjobave për shqiptarët në Greqi. Malaj: Ku duhet të bëni kujdes

Voltiza Duro – Parlamenti grek ka miratuar amendamentin e ri nga i cili do të përfitojnë reduktim të tarifave për disa lloj lejesh qëndrimi të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtetin helen. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit dhe drejtues i organizatës së emigrantëve “Arogji – Përkrahja” tregon se ndryshimet do të hyjnë në fuqi në muajin shtator të këtij viti e më tej liston të gjitha llojet e lejeve të qëndrimit për të cilat do të paguhet tarifa prej 150 eurosh. Malaj thekson se ky ndryshim do të bëhet për lejen e rezidentit afatgjatë (epi makron); lejen unike; kartën blu; lejen e qëndrimi për bashkim familjar; për studime; si dhe për kërkime. Ndërkohë ndërmjetësi ndërkulturor bën me dije se qeveria greke do të aplikojë një rritje të tarifave të gjobave për emigrantët që jetojnë e punojnë në këtë shtet.

Kur do të hyjë në fuqi amendamenti i ri i cili u miratua nga parlamenti grek?
Pas paraqitjes së kërkesave tona për disa ndryshime që do të përmirësojnë jetën e emigrantëve shqiptarë në Greqi, parlamenti grek aprovoi amendamentin e ri i cili do të hyjë në fuqi në muajin shtator të këtij viti.

Cilat janë disa prej pikave që do të pësojnë përmirësim nga shtatori i këtij viti?
Amendamenti për plotësim të dispozitave të Ligjit 4251/2014 (Kodi i Imigracionit dhe Integrimit Social) ka si synim të ripërcaktojë kushtet e përgjithshme për të drejtën e qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta në Greqi. Amendamenti i propozuar nga Ministria e Politikës të Emigracionit rregullon dy çështje me interes të madh:
shumën e tarifave dhe të gjobave të paguara nga emigrantët në procesin e dhënies ose rinovimit të lejeve të tyre; dhe synon të zgjidhë problemin e mosmbulimit shëndetësor të fëmijëve në moshë madhore të emigrantëve të ligjshëm në librezën shëndetësore familjare.

Sa do të jenë tarifat për lejet e qëndrimit?
Sipas një vendimi të fundit të Gjykatës të Bashkimit Europian, kostoja e tarifave për lëshimin e lejeve të qëndrimit nuk respekton parimin e proporcionalitetit dhe është pengesë për ushtrimin e të drejtave të parashikuara nga direktivat e komunitetit për emigrantët. Qeveria redukton koston e tarifave për të gjitha këto leje qëndrimi në 150 euro, sipas kostove të trajtimit të tyre. Respektivisht bëhet fjalë për: lejen e qëndrimit afatgjate (24,000 mbajtës); lejet që japin të drejtën e punësimit, pra leje e përbashkët (51.400 mbajtës); lejen e bashkimit familjar (134,000 mbajtës); lejen për punëtorët me kualifikim të lartë; si dhe lejen për studime ose kërkime (900 mbajtës).

A ka lloje të tjera lejesh qëndrimi për të cilat nuk do të aplikohen zbritjet?
Në të drejtën kombëtare ekzistojnë edhe kategoritë e lejeve të qëndrimit të cilat nuk ofrojnë leje pune dhe nuk mbulohen nga legjislacioni europian. Për shembull, lejet për individët financiarisht të pavarur, leje qëndrimi për pronarët e pasurive të patundshme, për investitorët, etj. Këto tarifa do rriten shumë.
Sa do të shkojnë tarifat për lejet e sipërpërmendura?
Për individët financiarisht të pavarur, tarifa do të rritet nga 300€ për grantin fillestar dhe 450€ për rinovimin në 1,000€ për të dyja rastet. Ndërkohë për pronarët e pasurive të patundshme tarifa do të rritet nga 500€ në 2.000€ për çdo person që merr leje qëndrimi për shkak të blerjes së pasurisë (të miturit nuk paguajnë). Praktikisht, në një familje prej pesë vetash, kostoja nga 2.500 eurosh rritet në 10.000 euro. Edhe për investitorët tarifa do të rritet nga 500€ në 2.000€. Ka leje të tjera qëndrimi në ligjin kombëtar, të cilat sigurojnë të drejtën për punë, por qeveria i përjashton ato nga ato lejet për të cilat ulet tarifa.

A do të ketë ulje tarifash për lejet e qëndrimit për brezin e dytë?
Për lejen e qëndrimit të brezit të dytë, tarifa mbetet 300 euro, pra dyfishi për një grup për të cilin ka një ndjeshmëri më të madhe. Për të mbuluar humbjet e të ardhurave, ministria po ndryshon, gjithashtu: tarifat për rekrutimin e punëtorëve të përhershëm dhe sezonalë si dhe shtim të gjobave për emigrantët. Kështu do të vendoset një tarifë e re për rekrutimin e emigrantëve për qëndrim të përhershëm edhe pse deri më sot, nuk ka pasur asnjë tarifë pasi emigrantët që pranohen paguajnë atë që i korrespondon atyre. Si dhe do të rritet tarifa për punëtorët sezonalë nga 50 në 100 euro.

Sa do të jenë gjobat për emigrantët shqiptarë në Greqi?
Parashikohet për herë të parë një tarifë prej 50 euro për një kërkesë për ritrajtim si dhe do të rritet gjoba për dorëzimin e vonuar të kërkesës nga 50 në 100 euro. Gjithashtu, do të vendoset tarifë prej 100 euro për shtetasit e vendeve të treta (që u referohen shërbimeve të emigracionit pas shërbimet e azilit) që aplikojnë për leje qëndrimi për arsye humanitare. Por do të shtohet gjoba ne rastet e njoftimit te vonuar për ndërrimin e adresës, e gjendjes personale (veçanërisht për ndryshim nënshtetësie, lidhjen ose zgjidhjen e martesës, lindjen e fëmijës) humbjen e pasaportës ose ndryshimin ose rinovimin e asaj ose e çdo lloj dokumenti tjetër për udhëtim, për humbjen e lejes ose të kartës së rezidencës nga 50 euro në 100 dhe në rast përsëritje nga 100 në 200 euro. Vlen të theksoj se do të vendoset tarifë 100 euro për rilëshimin e lejes së qëndrimit.

A ka ndonjë ndryshim në lidhje me sigurimin në librezën shëndetësore për fëmijët në moshë madhore?
Ministria e Punës solli një ndryshim në mars dhe në vend që të zgjidhte problemin, ajo mbështeti praktikën e deritanishme duke përjashtuar fëmijët madhorë të emigrantëve nga sigurimi në librezën shëndetësore familjare. Për shkak të reagimeve tona, qeveria u detyrua të premtojë që do korrigjojë gabimin duke vendosur përgjegjësinë në një tjetër dispozitë të Kodit të Emigracionit, pra këtej e tutje fëmijët do të mbulohen nga libreza e prindit.

Si i vlerësoni ju vendimet e qeverisë greke lidhur me ndryshimet në ligjin e emigracionit?
Natyrisht, zgjedhja e qeverisë është një goditje me arsyetimin e vetëm, nevojën për balancimin e të ardhurave të humbura nga vendimi i Gjykatës së Bashkimit Europian. Ndërsa Tsipras ishte në opozitë (dhe sidomos gjatë periudhës 2011-2012), ai krahasonte të ardhurat nga tarifat e emigrantëve me ato nga taksat e pronarëve të anijeve. Nga 2015 deri më sot, ai nuk ka ulur koston në asnjë nga tarifat. Tani ai e bën atë në disa prej tyre pasi është i detyruar nga Komisioni Europian dhe nën kërcënimin e gjobave. Në të njëjtën kohë, megjithatë, imponon goditje të reja për migrantët për të kompensuar humbjet e të ardhurave.

Përfitimet dhe gjobat nga ligji i ri

Lejet ku do të aplikohet ulja e tarifave:
1. Leja e qëndrimit afatgjate (24,000)
2. Leje që japin të drejtën e punësimit – leje e përbashkët (51.400)
3. Leje e bashkimit familjar (134,000)
4. Leje për punëtorët me kualifikim të lartë
5. Leje për studime ose kërkime (900)
Qeveria redukton koston e tarifave për të gjitha këto leje qëndrimi në 150 euro, sipas kostove të trajtimit të tyre.

Ministria po ndryshon, gjithashtu:
A. Tarifat për rekrutimin e punëtorëve të përhershëm dhe sezonalë
1. Vendoset një tarifë e re për rekrutimin e emigrantëve për qëndrim të përhershëm.
2. Rritet tarifa për punëtorët sezonalë nga 50 në 100 euro.
B. Gjobat dhe te tjera
1. Parashikohet për herë të parë një tarifë prej 50 euro për një kërkesë për ri -trajtim
2. Rritet gjoba për dorëzimin e vonuar të kërkesës nga 50 në 100 euro
3. Vendoset tarifë prej 100 euro për shtetasit e vendeve të treta që aplikojnë për leje qëndrimi për arsye humanitare.
4. Shtohet gjoba ne rastet e njoftimit te vonuar për ndërrimin e adresës, e gjendjes personale (veçanërisht për ndryshim nënshtetësie, lidhjen ose zgjidhjen e martesës, lindjen e fëmijës) humbjen e pasaportës ose ndryshimin, ose rinovimin e asaj, ose e çdo lloj dokumenti tjetër për udhëtim, për humbjen e lejes ose të kartës se rezidencës nga 50 euro në 100 dhe në rast përsëritje nga 100 në 200 euro.
5. Vendoset tarifë 100 euro për rilëshimin e lejes së qëndrimit.

The post Amendamenti i ri, rritje e gjobave për shqiptarët në Greqi. Malaj: Ku duhet të bëni kujdes appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



Behu pjese e LAJME.mk , kliko LIKE fanpage ne facebook me posht!
Nga LAJME.mk June 15, 2018 2:53 pm ne Lajme. ne link https://lajme.mk/?p=138038
Nese ky postim qe eshte bere ne faqen Lajme.mk prek privatesin e dikujt ose eshte lajm abuzues ju lutem na shkruani ne email [email protected] lajme.mk ose ne fanpage facebook ose ContactUs, dergo linkun e mesiper qe te fshihet. Nuk mbajme pergjithesi per ndonje lajm qe eshte postuar qe eshte publik ne gjithe mediat. Ju faleminderit