E lindi, e ushqeu me gji, tani do që djali ta shohë si burrë

Si shumë baballarë të rinj, Sabastion Sparks e dinte që të qenit prind ka sfida të mëdha. Por shumica e baballarëve të rinj nuk e kanë mbajtur vetë në bark fëmijën. Nuk i kanë dhënë gji, dhe nuk kanë qenë të detyruar të durojnë vështrimet e habitura të kalimtarëve, sa herë del me djalin dhe bashkëshorten.

Sabastioni, një 24 vjeçar, është një burrë transgjinor që jeton me gruan e tij, Angel, në periferi të Atlantës. I lindur si femër, pesë vite më parë ai nisi shndërrimin në mashkull. Ky proces u përmbush muajin e shkuar, kur hoqi edhe gjinjtë me operim.

Me afrimin e Festës së Babait, Sabastioni tani mendon për rolin e gjinisë, dhe se ç’do të thotë të jesh baba. Ai do që djali i tij të ketë një fëmijëri sa më normale.

Për të parën herë ndihet i qetë me trupin e tij, dhe shpreson që Jaxen ta vërë re ndryshimin.

“Do të jem baba më i mirë nëse ndihem më i qetë me veten, dhe nëse ai sheh vetëbesim tek unë”, thotë ai.

Udhëtimi i Sabastionit nga martesa te të qenit brurë

I rritur në Locust Grove, Georgia, SHBA, Sabastioni ndihej gjithnjë ndryshe nga adoleshentët e tjerë. Ai ulej në autobusin e shkollës e mendonte se sa shumë i urrente gjinjtë. Shpresonte të kursente mjaftueshëm që një ditë t’i hiqte me operim.

Kur u njoh me Angel, pesë vite më parë, në një konventë për transgjinorë, ai u identifikua si burrë. Angel, 33, ishte i lindur burrë por ishte kthyer në grua disa vite më parë.

Pasi i dha gji të birit, Sabastioni i hoqi gjinjtë, këtë Maj

Të dy donin të bëheshin prindër. Pasi u martuan në vitin 2016, ranë dakord që Sabastioni do të mbante fëmijën në mitër. Një vendim që nuk ishte i lehtë për t’u marrë.

Si shumë burra e gra të tjera transgjinore, ata merrnin mjekime për të shtuar nivelin e estrogjeneve dhe testosteroneve në trup. Për të bërë fëmijën duhej t’i ndërprisnin ilaçet e hormoneve.

Çifti e ngjizi fëmijën me mënyrën tradicionale, edhe pse rolet biologjike nuk përputheshin me mënyrën se si e shihnin veten.

“Të mbeteshe shtatzënë, ishte e lehtë. Të qëndroje shtatzënë, ishte e vështirë”, thotë Angel.

Sabastioni e dështoi shtatzaninë e parë. Kur mbeti shtatzënë me Jaxen, ata i druheshin një tjetër dështimi.

“Para Jaxenit, bebi im ishte Sabastioni. Trembesha për Sabastionin dhe për beben njëkohësisht”, thotë Angel.

Kur dilnin në publik, njerëzit i shihnin vëngër

Çifti duhej të përballej edhe me paragjykimin e të tjerëve.

Kur Sabastioni ishte shtatzënë, një i afërm kërcënoi t’ua merrte fëmijën, duke thënë se rritja në atë shtëpi nuk do të ishte natyrale. Për arsye sigurie, ai dhe Angel u regjistruan si anonimë në spital.

Angel, që punon si predikues për besime të ndryshme, tha se kjo ishte një sprovë e besimit. Por teksa rrinin në dhomën e pritjes në spital, Angel-it nisi t’i largohet frika.

Bashkëshortja, Angel, lindi burrë dhe u kthye grua disa vite më parë

“Them gjithnjë se gjëja më e bukur në botë më dha gjënë më të bukur në botë”, thotë ai.

Pas lindjes së Jaxen, Sabastioni i ka dhënë gji fëmijës edhe në publik, duke tërhequr vështrime të habitura nëpër dyqanet e rrugët ku dilnin.

“Njerëzit na shihnin vëngër. Ai përpiqej shumë ta mbulonte kur jepte gji”, thotë ajo.

Sabastion, duke qenë i ndrojtur, mbante një këmishë që t’i sheshonte gjirin.

“Është e parehatshme dhe të djersin. Mendoni ta mbani për 12 orë në ditë. Duhej t’i fshihja gjithnjë”, thotë ai.

Jo të gjithë transgjinorët vendosin të bëjnë operime për të kaluar në gjininë tjetër, dhe Sabastioni e di që pamja nuk duhet të ketë rëndësi.

Por shqetësimi i tij është se trajtimi që i bëjnë disa njerëz mund të kalojë dhe te Jaxen. Dhe kjo nuk është ajo që do për të birin.

“Djali im s’do ta shohë të atin me gjinj. Do të jetë shumë ndryshe”, thotë ai, teksa sheh Jaxen-in të luajë me një top.

Angel vuri re se Sabastioni duket më i sigurt në vetvete pas operimit.

“E sheh gjithnjë të ecë nëpër shtëpi pa bluzë. Sikur po kërkon një arsye t’i tregojë gjoksin botës”, thotë ajo duke qeshur.

Për djalin e tyre, ata duan një të ardhme pa kufij

Sparksët përpiqen të mos i mëshojnë shumë idesë së roleve të secilës gjini. Apartamenti i tyre 2+1 ka lodra të përziera, që nga makinat e deri te kukullat e kuzhinat prej lodre.

Jaxen-in herë e vë në gjumë Angeli, herë Sabastioni. Të dy e kuptojnë menjëherë se kur Jaxen ka dëshirë të luajë me ta.

Por kur vjen puna te mësimet, Sabastioni do t’i mësojë Jaxen-it disa gjëra, si babai djalit. Një prej tyre është të urinojë në këmbë, gjë që Sabastioni duhet ta bëjë nëpërmjet një pajisjeje.

“Mezi pres t’i jem përkrah tim biri. Sa më shumë të ngjajë trupi im me të tijin, aq më mirë do të më kuptojë”, thotë ai.

Edhe pse tani është rreth 2 vjeç, Jaxen po jep shenja që tani se pret nga prindërit rolet tradicionale gjinore.

“Ai pret nga unë që ta ushqej, dhe pret nga i ati që të luajnë me top”, thotë Angel.

Familja Sparks nuk ka ndonjë plan për festën e babait sivjet. Sabastioni tha se të dielën ka mundësi të jetë në punë, por ai e di që në të ardhmen do të ketë shumë mundësi për të kaluar kohë të bukura me të birin.

Sabastioni do që Jaxen të udhëtojë nëpër botë. Ai do që ta udhëheqë të birin drejt rritjes dhe të sigurohet që të gjejë dashuri ngado që të kthehet.

Por edhe pse Sparksët kanë krijuar një shtëpi të sigurt e me dashuri për të birin, Sasbationi druan për egërsinë që ka bota jashtë për një fëmijë me prindër transgjinorë.

“Po mendojmë të mos e çojmë fare në shkollë, por ta edukojmë në shtëpi. Nuk e dimë se ç’do të ndodhë kur të marrin vesh fëmijët e tjerë se i ka prindërit transgjinorë. Ne jemi që tani objekt talljeje”, thotë ai. “Na mbetet vetëm t’i japim vlerat më të mira e të shpresojmë”.

“Njerëzit mendojnë se transgjinorët s’mund të jenë prindër të mirë, dhe kjo nuk është e vërtetë”, tha Sabastion. “Prindërit transgjinorë janë njësoj si të tjerët”.

Kendall Trammell, CNN

Top Channel



Behu pjese e LAJME.mk , kliko LIKE fanpage ne facebook me posht!
Nga LAJME.mk June 16, 2018 7:33 pm ne Video. ne link https://lajme.mk/?p=140372
Nese ky postim qe eshte bere ne faqen Lajme.mk prek privatesin e dikujt ose eshte lajm abuzues ju lutem na shkruani ne email [email protected] lajme.mk ose ne fanpage facebook ose ContactUs, dergo linkun e mesiper qe te fshihet. Nuk mbajme pergjithesi per ndonje lajm qe eshte postuar qe eshte publik ne gjithe mediat. Ju faleminderit