Rritja enorme e pagave-diskriminues dhe i nxituar

Partitë politike opozitare, shoqëria civile, përfaqësues të bizneseve, dhe pjesëtarë të kabinetit qeveritarë, kanë reaguar lidhur me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për rritjen e pagave për qeveritarët. Një vendim të tillë, kreu i ekzekutivit e ka marrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku kjo e fundit i dha të drejtë kreut të Qeverisë, për rritje të pagave për vartësit e tij.

Edhe pse në janar të këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsion, pati vlerësuar se vendimi pjesërisht ka të bëjë me konflikt interesi, ngase Kryeministri dhe ministrat kanë marrë vendim për rritjen e pagës së tyre, Qeveria ishte e shpejtë në reagim duke deklaruar se nuk do ta marrë për bazë opinionin e AKK-së.

Interpretimet e Agjencisë Kundër Korrupsion, shërbejnë kryesisht për të parandaluar veprat penale, të cilat ata i identifikojnë.

Ky interpretim në situatë normale “udhëzon” institucionet e zyrtarët publikë që të shmangin konfliktin e interesit në rast se puna e tyre publike konsiston me përftime të tjera kryesisht financiare jashtë pagës.

Për këtë çështje, ministri i Financave, Bedri Hamza, nuk ka dashur të komentoj nëse do të respektojë urdhrin e kryeministrit, Ramush Haradinaj në lidhje me rritjen e pagave për qeveritarët

Ai ka thënë se në mbledhjen e Qeverisë, se ky vendim duhet të harmonizohet me Ligjin për pagat si dhe beson që kjo çështje është analizuar mirë nga Zyra Ligjore e kryeministrisë.

Ai në një konferencë për media, ka theksuar se është konsensus i përgjithshme që kjo çështje të rregullohet me ligj, duke besuar që në këtë drejtim jemi duke ecur, prandaj sipas tij, ky vendim të harmonizohet në Ligjin për pagat.

“Duke pas për bazë që kemi një situatë të re besoj kërkoj që zyra ligjore e kryeministrisë e ka shikuar. Fokusi im është që zyra ligjore i ka shikuar komplet edhe vendimin e gjykatës edhe opinionin së AKK-së”, ka thënë ministri Hamza.

Kundër këtij vendimi janë edhe vartësit e kryeministrit Haradinaj, të cilët kanë kritikuar vendimin për rritjen e pagave.

Zv.ministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj ndonëse është pjesë e kabinetit qeveritar të cilin e kryeson kryeministri Ramush Haradinaj, e ka kritikuar shefin e tij për vendimin e rritjes së pagave.

Dedaj ka drejtuar akuza për vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave, nga i cili thotë se përfitojnë vetëm ministrat, zëvendëskryeministrat dhe njerëz që janë të afërt me ta e kryeministrin.

“Rritja e pagave,vendim i padrejtë dhe i nxituar!Rritja enorme e pagave nga Qeveria e Kosovës, për një establishment të caktuar, është vendim i padrejtë, diskriminues dhe i nxituar. Pagat janë rritur vetëm për kryeministrin, zv.kryemimistrat dhe ministrat, si dhe për disa pjesëtarë të qeverisë, njerëz të afërt me kryeministrin, zv.kryeministrat dhe ministrat, të cilët ose janë familjarë ose bashkëpartiak të tyre .Me këtë rritje klanore, janë shkelur parimet e barazisë sociale, drejtësisë dhe të të drejtave njerëzore”, ka shkruar në rrjetin e tij social, zv.ministri Dedaj.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka ftuar ministrin e Financave Bedri Hamza, të mos e nënshkruajë vendimin për rritje të pagave, i cili ka hasur në reagim kritik në Kosovë.

Gërxhaliu, vendimin për rritjen e pagave e ka quajtur kundërshtim me zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Ftoj ministrin Hamza, që mos ta nënshkruajë këtë vendim, pasi që kjo do të dëmtojë shumë Kosovën”, ka thënë për Kosova.info Gërxhaliu, duke shtuar se vendimi për rritje enorme të pagave për një pjesë të zyrtarëve shtetërorë do të dëmtojë edhe më shumë sektorin privat.

“Vendimi për rritje të pagave e dëmton Kosovën, në aspektin ekonomik, social, integrues, e në veçanti në aspektin psikologjik e demotivues për të rinjtë. Kam menduar se qeveria do të merret më shumë ne edukim, zhvillim ekonomik dhe promovim të ndërmarrësisë vendore, por jo me vendimi për rritje të pagave”, ka thënë Gërxhaliu.

Pas procedimit të implementimit të rritjes se pagave, kryesisht për stafin politik, nga Qeveria e Republikës së Kosovës si dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila këtë vendim nuk e konsideronte jokushtetues, ka reaguar partia politike, Lëvizja për Bashkim.

Sipas kësaj partie, ky veprim i Qeverisë, ka shqetësuar opinionin publik dhe ka dëshmuar për një qasje arrogante që ka kjo qeveri në të gjitha drejtimet.

“Qeveria para se të vendoste për zbatimin e këtij vendimi, do të duhej të reflektonte lidhur me reagimin e opinionit publik për këtë çështje. Ajo, së paku, nuk do të duhej të ndërmerrte këtë hap para se ta draftonte Ligjin për Qeverinë në të cilin do të kufizohej numri i ministrave, këshilltarëve e sidomos zëvendësministrave. Mos të harrojmë se kjo qeveri, në mënyrën më të papërgjegjshme, ka shtuar në rreth 80 numrin e zëvendësministrave, të cilët përveç barrës financiare janë edhe pengesë në efikasitetin e punës së ministrive. Gjithashtu, do të duhej të pritej edhe miratimi i Ligjit për Pagat që është në procedurë, i cili do të vendoste bazat edhe për pagat e stafit politik”, thuhet në reagimin e Lëvizjes për Bashkim.

Më tutje në reagimin thuhet se për Lëvizjen për Bashkim është e papranueshme se si Qeveria Haradinaj vendosi t’i rrisë pagat mbi nivelin e pagave të rajonit dhe në shpërputhje të plotë me situatën socio-ekonomike të vendit.

“Kjo qeveri po vazhdon të tregohet tërësisht e papërgjegjshme ndaj parasë publike dhe njëkohësisht po vazhdon të shpërblejë militantët partiak me poste zëvendësministrash, duke abuzuar kështu me buxhetin e shtetit”, thuhet në reagim

Nën anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me vendimin për rritjen e pagave , duke e quajtur vendim skandal dhe abuzim me paranë publike.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se Gjykata Kushtetuese lejoj padrejtësinë dhe abuzimin me paranë publike, dhe duke shprehur shqetësimin se një gjë të tillë do të mund të bëjnë edhe qeveritë e tjera.

Ajo madje bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje ka nisur të përgatisin kallëzimi penal.

Sipas saj, vendimi i Haradinaj përpos që është vepër penale është edhe kundër kushtetuese për shkak se ka ndërhyrë edhe në kompetencën e Kuvendit. Autoriteti që merr vendime është Kuvendi I Kosovës, përmes ligjit për paga.

Ajo shtoi për shkak se implikimet buxhetore të këtij vendimi nuk janë paraparë në buxhetin e vitit 2018, për këtë do të merren nga buxheti për shëndetësi apo edhe për ndërtimin e shkollave apo çerdheve.

“Kjo rritje nuk është e paraparë me buxhetin për vitin 2018. Ky vendim ka implikime buxhetore deri në 7 milionë euro shtrohet edhe pyetja se ku do të merren këto para me siguri do të ia marrin ndonjë shkolle kopshti apo buxhetit të shëndetësisë. Këta do të ndërhyjnë në organizatat e tjera”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu ka thënë se vendimi për rritjen e pagave të Qeverisë së Kosovës është bërë për interesa personale, pasi që sipas tij, ky vendim është marrë për interesin personal të kryeministrit, ministrave dhe armatës së zëvendësministrave, kurse sa i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve, Sejdiu ka thënë se rritja e pagave ka për t’u bërë në mënyrën e duhur, sepse e kemi Ligjin për Gjykatat që ta bëjmë ke këtë.

“A e din kryeministri Haradinaj, që ushtarët e FSK-së mbi një vit nuk e kanë marrë kujdestarinë, sikurse mjekët”, ka thënë për Kosova.info, Sejdiu, duke shtuar se kryeministri i ardhshëm mund t’ia bëjë vetes rrogën milionëshe, pas këtij vendimit të Haradinajt.

Ai ka shpjeguar vendimin e Kushtetueses për rritjen e pagave, duke thënë se në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, shihet se ka pasur moskuptim në esencë se çfarë po ndodhë, kurse, në një anë thuhet se nuk është çështje kushtetuese, në anën tjetër është trajtuar.

Por, a ka drejtë Qeveria të marrë vendim për rritje të pagave, sipas Sejdiut, kjo është pikë ku është bërë shmangie.

Megjithatë, sipas shoqërisë civile, janë tri shkarje logjike në vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave.

Agron Demi, nga GAP, ka thënë se edhe pse thonë se pagat në sektorin publik janë të vogla, por fitimi i madh, shumë shpejt zyrtarët e lartë qeveritarë përveç fitimit, mund të marrin edhe paga të larta.

Duke shpjeguar tri shkarjet logjike të vendimit të Kushtetueses, Dema ka përmendur si pikë të parë atë se Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si të pranueshme kërkesën e 30 deputetëve, duke vlerësuar se lënda bie në kompetenca të Gjykatës Kushtetuese dhe si e tillë do të vlerësohet.

Si shkarje të dytë, Demi ka atë se Gjykata Kushtetuese deklaron se të gjitha vendet e Forumit të Komisionit të Venecias, të cilat janë marrë si rast studimor në arsyetimin e vendimit të Gjykatës, kanë ligje të veçanta, me anë të të cilave rregullohet çështja e pagave në sektorin publik (paragrafi 99).

Në rastin e Kosovës, sipas tij, që nga viti 2004 rritja e pagave bëhet me vendime ekzekutive të Qeverisë, duke zvarritur tani e 14 vjet aprovimin e një ligji për pagat.

Dhe si shkarje të tretë, Agron Demi nga GAP, ka përmendur faktin se Gjykata Kushtetuese vlerëson se nuk është brenda funksionit të saj që të vlerësojë nëse vendimi ka të bëjë me konflikt interesi, ku sipas Gjykatës, këtë vlerësim e ka dhënë Agjencia Kundër Korrupsion.

“Këto tri shkarje logjike në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese janë lehtë të identifikueshme edhe për një laik të kësaj fushe, ashtu siç e konsideroj veten. Përfundimet që nxjerr Gjykata Kushtetuese janë komplet kundër me shtjellimet që bëhen përgjatë aktgjykimit”, ka shkruar Demi në një analizë të tij për vendimin e Kushtetueses për rritjen e pagave.

Ai ka shkruar se, ashtu sikurse ka konflikt interesi në vendimin e Qeverisë për të rritur pagat për vetë anëtarët e Qeverisë, ashtu ka konflikt interesi edhe në Gjykatën Kushtetuese kur ka të bëjë me vlerësimin e këtij vendimi.

Por, sipas Demit, Kosova nuk ka një qeverisje të arsyeshme, andaj gjasat më të mëdha janë që Qeveria Haradinaj do të vazhdojë të veprojë në vakuum ligjor, ngase nga tani vakuumi ligjor është edhe parim kushtetues.

Përndryshe, me vendim për rritjen e pagave, të gjithë qeveritarët do të kenë pagën më të madhe, ku vetëm kryeministri Ramush Haradinaj, tani do të ketë pagë 2950 euro në muaj.

Bëhet e ditur se 1 milion e 57 mijë e 362, është shuma që në muajin e ardhshëm zyrtarët qeveritarë do të kompensohen nga buxheti i shtetit.

Vetëm kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në fillim të muajit korrik do t’i transferohen rreth 12 mijë euro në llogarinë e tij bankare nga buxheti i shtetit. Kjo pasi që rreth 9 mijë euro do t’i transferohen si rritje e pagës, për 6 muajt që nuk është zbatuar vendimi, e rreth 3 mijë euro pagë për muajin qershor. Përveç kryeministrit, paga do t’u rritet edhe presidentit e qindra zyrtarëve të tjerë publikë, përfshirë këtu gjykatësit e prokurorët. Lumturije Bekaj/ Kosova.info



Behu pjese e LAJME.mk , kliko LIKE fanpage ne facebook me posht!
Nga LAJME.mk June 13, 2018 2:28 pm ne Lajme. ne link https://lajme.mk/?p=135076
Nese ky postim qe eshte bere ne faqen Lajme.mk prek privatesin e dikujt ose eshte lajm abuzues ju lutem na shkruani ne email [email protected] lajme.mk ose ne fanpage facebook ose ContactUs, dergo linkun e mesiper qe te fshihet. Nuk mbajme pergjithesi per ndonje lajm qe eshte postuar qe eshte publik ne gjithe mediat. Ju faleminderit