Zhgaravinat e Agim Shehut, degradim intelektual

Fitim Çaushi

Ka filluar në rrjetet sociale një debat absurd për një zhgaravinë të poetit Agim Shehu, titulluar “NJË BISED!E E PABESUESHME”.

Vetë titulli na bind për pabesueshmërinë e kujtimeve të tij para 40 vjetëve, në lidhje me bisedën intime të Haki Toskës. Falsiteti i saj nuk është i vështirë të kuptohet, veç të tjerash edhe për faktin se Agimi pranon se në atë periudhë, sapo kishte mbaruar dënimin:

“Një herë, kaloja me nxitim para Bankës ku ai punonte ato kohë. Isha në mesin e dënimit. Tek ngjiste shkallët e Bankës, më pa dhe më thirri lirshëm: “Po ç’na u bëre, mo? S’kuptova, më foli me përzemërsi apo me ironi, dhe nxitova hapat kokulur… Pas ca vitesh m’u hoq dënimi dhe vajta pedagog në Liceun Artistik. Nuk vonoi, dhe më erdhi njoftimi, se të do shoku Haki në zyrë. »

Në këtë pozitë të diskredituar të Agim Shehut, nuk ndodhte kurrë që anëtari i Byrosë Politike dhe Ministri i Financave Haki Toska, të bënte biseda delikate me Agimin, sikur t’i rrëfehej “patriarkut të letërsisë”, biseda të cilat nuk do t’i bënte edhe në kohën e “shkëlqimit” të Agimit, kur Ever Hoxha i bëri vlerësimin më të madh!

Këto lloj bisedash ishin të zakonshme për Agim Shehun, për vetë karakterin e tij të njohur, por jo për Haki Toskën që ishte një model i njeriut të ndershëm, të thjesht dhe të rezervuar, çka na e vërteton vetë Agimi: “Pata dënime të rënda në jetë, dhe as i trokita, as u kujtua… Unë gjithashtu nuk e llogarisja, aq më tepër që natyra e tij serioze dhe e përmbajtur nuk rezatonte shënja afrimi për poza masoviku.”

Intimitetin e Haki Toskës, Agimi përpiqet ta motivojë me ndërhyrjen e sekretarit të tij Esat Bashari: “Ai kish për sekretar ekonomik një njeri tepër të pjekur e me karakter të fortë. Ai kish qenë si unë gazetar në Zërin e Popullit. Tek unë, ai shihte ngjashmërinë e tij dhe më donte kudo që isha. Këtë ia tha dhe shefit të tij të ri.»

A mund t’i besonte Haki Toska Agim Shehut tema delikate të sferave të larta, thjesht se i pati folur me konsiderata një sekretar për të, kur vetë Haki Toska dhe Enver Hoxha e njihnin mirë Agim Shehun?! Vallë kaq lehtë influencohej Haki Toska nga një sekretar i tij për t’i besuar Agim Shehut biseda të karakterit sekret?! Si mund të kthehej ky kuadër serioz dhe tepër i rezervuar në një thashethemexhi me Agim Shehun?!

Ky është një truk që përdor Agim Shehu, si një natyrë delirante, intrigante, për të treguar se është dënuar kot dhe e ka merituar rehabilitimin! Që këtu mbyllet problemi dhe dëshmon se tregimi i Agim Sehut është i stisur, i trilluar.

Haki Toska mund ta ketë angazhuar Agim Shehun, nëse do ta besojmë Agimin, për të redaktuar një libër për Dropullin, jo se nuk kishte redaktorë të tjerë, por për ta afruar Agimin me Partinë, sikundër ishte direktiva dhe mësimet e Partisë për afrimin e njerëzve që gabonin…

Ky tregim i sajuar, Agim Shehut i duhet për të prezantuar konkluzionin e vjetëruar që ka shprehur në tregim: « nëse duam një Shqipëri të mirë e të sigurt për sot e për nesër, duhet nisur nga dënimi i krimeve të shtetit komunist »

Këtu fshihet lepuri! Agimi mendon se me futjen e elementit personal, do të kontribuojë në luftën e revanshizmit kundër periudhës së socializmit që e ngriti djalin e xhandarit, Agim Shehun, në sferat e elitës kulturore. Këtë e përforcon edhe pjesa e mëposhtme :

« Më tha se një nga Gjirokastra, Hamit Kokalari, ka shkruar një libër të gjerë për Kosovën… Më shihte në sy duke pritur përgjigjen time. Më erdhi në mendje t’i thoshja, se për atë libër ai qe pushkatuar… por m’u duk pa vend… »

Ky është një mashtrim monstruoz që nuk e nderon poetin Agim Shehu për manovrime të tilla. Lexuesit që e kanë adhuruar atë nuk ia kanë borxh që t’i mashtrojë. Hamit Kokalari nuk është pushkatuar për librin “Nëna Kosovë”, përkundrazi, ai si pjesëtar i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, është vlerësuar duke u emëruar Shef i Protokollit në Ministrinë e Jashtme deri në vitin 1947, dhe prej andej është emëruar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”.

Hamiti ka qenë shok klase me Enver Hoxhën në liceun e Gjirokstrës dhe të Korçës, shkuan bashkë me studime në Francë, Enveri në Montpelie dhe Hamiti në Tuluz. Për miqësinë me Enver Hoxhën, me të cilin ishin edhe kushërinj, Hamit Kokalari ka shkruar kujtime të rralla të cilat do të botohen së shpejti dhe Agim Shehu do të ketë mirësinë të lexojë vlerësime nga një i imgjinuar si “i pushkatuar”, sepse Hamiti vdiq pas viteve ’90.

Dy vëllezërit e Hamit Kokalarit i ka pushkatuar Mehmet Shehu gjatë Luftës për çlirimin e Tiranës, si bashkëpunëtorë të nazizmit. Këtë e ka shkruar edhe vetë Shehu në librin e tij për Çlirimin e Tiranës. Vetë Hamiti pohon se nuk ka pasur dijeni Enver Hoxha për këtë veprim, miqësia e tyre ka qenë e sinqertë.

Agim Shehu flet me demagogji për “dënimin” e tij si të jetë bërë një sakrilegj i rëndë ndaj tij, por asnjëherë nuk e ka sqaruar publikisht “dënimin, shkakun dhe gabimin e tij”. Për gabime në shtyp, ku ai punonte, është transferuar gjashtë muaj në Elbasan, në kombinat, sikundër dhe shumë shkrimtarë e poetë të tjerë, të cilët i kanë çuar në bazë për të njohur dhe pasqyruar jetën me realizëm.

Edhe pas kthimit në Tiranë krijimtaria e Agim Shehut, karakterizohet nga ndërgjegjja artistike. Jeta socialiste ishte fronti kryesor i krijimtarisë së tij poetike, duke luajtur një rol të rëndësishëm në emancipimin e kulturës letrare të shoqërisë shqiptare. Në poezinë e tij kishte ideshmëri të lartë e frymë idealiste, pasqyrime të rëndësishme politike e sociale, që i bënin jehonë ngjarjeve të shoqërisë, shqiptare.

Agim Shehu, megjithëse ishte i biri i xhandarit të Zogut, i shoqëruar në jetë edhe nga peripeci të ndryshme biografike, pati forcë të ngrihet mbi vogëlsirat dhe “aksidentet” e jetës, dhe falë talentit të tij natyror dhe përkrahjes që i bëri personalisht Enver Hoxha arriti të bëhet një poet i mirëpritur nga lexuesit, poet i shquar i Labërisë, poeti i çastit poetik, poeti i Dekadës së Revolucionarëve, dhe veçanërisht poeti i rinisë. Ai u bë poeti i hoveve lirike, i forcës epike, i freskisë së ndjenjës, poeti i Enver Hoxhës, emri i të cilit në poezinë e Agim Shehut përmendet 64 herë:

Yllin në kapele,/ Përmbi brez nagantin…/ Diku, partizançe/ Njoha komandantin/ Ballë për ballë karshi/ Dorën ç’më pat zënë;/ Isha djal i ri, / S’dija ç’kisha dhënë/ Atje komandanti / Ç’më dha aq shkëndija !…/ (isha djal i ri,. Ç’kisha dhënë s’e dija)

Artistja e Popullit Xhanfise Keko, në një intervistë televiziv ka pohuar: “Ai krijues që mohin veprën e vet është njeri pa karakter””

Agim Shehu si njeri pa karakter, ishte i pari që shkroi kundër Enver Hoxhës, ndonëse ky e mori për model kur i dërgoi letër skulptorëve të popullit Muntaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri.

Kjo mund të mos ishte edhe aq e rëndësishme për njerëz si Agim Shehu, por po të kujtojmë mbështeten që i bëri Sali Berishës për sulmet ushtarake kundër Shqipërisë së Jugut dhe Labërisë, kjo e diskrediton plotësisht, dhe ishte kjo arsyeja që e detyroi të mërgojë jashtë vendit e të bëhet syrgjyn, për të cilin ka shkruar aq shumë.

Agim Shehu është nga ata që thotë populli. “Hëngre bukën dhe përmbyse kupën”!

Agimi e ka pasur në natyrën e tij megalomaninë, intrigën, të shtirurit se na paska qenë njeri i rëndësishëm, se njihte sekrete dhe çështje të rëndësishme të Partisë dhe të shtetit, se dinte thashetheme për elitën e lartë të shtetit dhe institucioneve, se ishte i besuari i këtij dhe atij kuadri të rëndësishëm, etj.

Sado me karakter të dobët, lexuesit do ta kujtojnë Agim Shehun për poezinë e tij të para viteve ’90, poezi e cila i ngre hymn socializmit, njeriut të ri shqiptar dhe Enver Hoxhës.



Behu pjese e LAJME.mk , kliko LIKE fanpage ne facebook me posht!
Nga LAJME.mk June 13, 2018 1:28 pm ne Lajme. ne link https://lajme.mk/?p=134871
Nese ky postim qe eshte bere ne faqen Lajme.mk prek privatesin e dikujt ose eshte lajm abuzues ju lutem na shkruani ne email [email protected] lajme.mk ose ne fanpage facebook ose ContactUs, dergo linkun e mesiper qe te fshihet. Nuk mbajme pergjithesi per ndonje lajm qe eshte postuar qe eshte publik ne gjithe mediat. Ju faleminderit