4 minutat mes jetës dhe vdekjes/ Si u kap nga valët e celularit vrasësi i kunatës

Erdet Çapoku që vrau kunatën e tij në Paskuqan të Tiranës u arrestua “mjeshtërisht” nga Policia, por kjo nuk do të ndodhte, nëse kompanitë celulare do të vononin qoftë edhe për 30 minuta mosdhënien e informacionit.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, autori i vrasjes së Enkeleda Çapokut ka pranuar krimin dhe madje ka treguar detaje të vrasjes, teksa ka përdorur hanxhar e levë hekuri.

Ai u arrestua në Laprakë, në një banesë të një të afërmi të tij, që nuk banonte aty prej vitesh, por ia kishte lënë Erdetit një kopje të çelësit për t’u interesuar për shitje, apo dhënie me qira. Kjo banesë shërbeu si bazë e strehimit të tij për jo më shumë se 13 orë nga krimi i kryer.

Pas ngjarjes, Policia veproi me shpejtësi dhe kërkoi informacion mbi qelizat telefonike, por mungesa e shërbimit të natës bëri që arrestimi të vonohej. Vetë, mëngjesin e së premtes informacioni i kërkuar mundi të jetë disponibël për Policinë, që solli dhe arrestimin e autorit.

Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten, rreth orës 23:40, në një apartament në katin e dytë të një pallati të vjetër në zonën e Paskuqanit, aty ku jetonte viktima bashkë me vajzën 18 vjeçe dhe nënën e saj.

Burime nga Policia thanë se i dyshuari ka pretenduar se vrasjen e ka kryer në shenjë hakmarrjeje, pasi kunata e kishte ndarë nga i vëllai, i cili prej afro 5 vitesh ndodhej në burg dhe nuk e pranonte që t’i shkonte më në takim. Megjithatë, të njëjtat burime thonë se ende nuk dihet me saktësi motivi i krimit, pasi i dyshuari e kishte kanosur edhe më parë viktimën.

Para se të kryente vrasjen, 34-vjeçari Erdet Çapoku kishte qëndruar duke pirë në një lokal jo shumë larg pallatit ku banonte kunata e tij. Më pas është larguar nga lokali me biçikletën me të cilën lëvizte gjithmonë dhe ka shkuar në apartamentin e viktimës. Enkeleda ka rënë në tokë e përgjakur dhe ka ndërruar jetë brenda 4 minutash.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey