5 vjet nga 27 prilli i përgjakshëm në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

Sot mbushen pesë vjet nga ngjarja e dhunshme e 27 prillit të 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.Një ngjarje e rëndë me një skenarë të mirëorganizuar me prapavijë politike, përcjell INA.

Sipas hetimeve dhe dëshmive të qarta, dhuna ishte në organizim të ish-zyrtarëve të lartë të partisë VMRO-DPMNE dhe organizatave përkrahëse të politikave të saj.

Turmat e protestuesve në organizim të nismës “Për Maqedoninë e Përbashkët” mbrëmjen e 27 prillit ndërhynë dhunshëm në godinën e Kuvendit, duke u future më pas në mënyrë të organizuar edhe në ambientet e brendshme, pasi që dyert ishin hapur nga deputetë të VMRO-DPMNE-së.

Protestat dhe reagimi i dhunshëm ishte organizuar për të parandaluar zgedhjen e kryeparlamentarit Talat Xhaferi dhe formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Zoran Zaev, një koalicioni i përbërë nga LSDM, BDI dhe ASH.

Nga dhuna brutale e grupeve të organizuara që ndërhynë në ambientet e brendshme të Kuvendit më së shumti pësoi kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, i cili i shpëtoi vdekjes, ndërsa keq dhe me plagë përfunduan edhe Zoran Zaev si dhe deputetë të tjerë, që po përlesheshin në vetëmbrojtje me turmat brutale.

Pas disa orëve të natës së tmerrit, policia që kishte ngelur duarkryq më pas ndërhyri, duke evakuuar nga Kuvendi deputetët dhe funksionarët e partive, përcjell INA.

211 burg për 16 veta, si shpëtoi Gruevski dhe bashkëpunëtorë të tij

Gjashtëmbëdhjetë nga 17 të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut janë dënuar me 211 vjet heqje lirie, duke përfshirë edhe ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, i cili u dënua me 18 vjet burg.

Nga 15 vjet heqje lirie u dënuan shefat e policisë Mitko Peshov, Dushko Llazarov, Goran Gjoshevski, si dhe Munik Pepiq, Jane Çento, Vlatko Trajkovski dhe Nikolla Mitrevski. Villijam MIhajllovski u dënua me 14 vjet, ndërsa Oliver Popovski me nga 13 vjet burg. Nga 12 vjet u dënuan Mlladen Dodevski, Gorançe Angjellovski dhe Igor Jug.

I akuzuari Aleksandar Vasilevski – Ninxha u dënua me 8 vjet heqje lirie. Oliver Radulov, sigurimi i shefit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), u dënua me 10 vjet burg, ndërsa me 7 vjet heqje lirie u dënua edhe Abdulfeta Alimi, i punësuari si sigurim në Kuvend, që i shpëtoi jetën kreut të Ash-së, Ziadin Sela.

Igor Durlovski, një nga udhëheqësit e protestave “Për Maqedoni të përbashkët”, u lirua nga akuza. Të dënuarit u akuzuan për kryerjen e veprës penale “kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues”. Për dhunën në Kuvend janë gjykuar edhe deputetë dhe zyrtarë të VMRO-DPMNE-së, ndër të cilët edhe ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski, ish-kryeministri në arrati Nikolla Gruevski dhe ish-ministri Spiro Ristovski.

Gjykatësja Dobrila Kacarska, e cila shqiptoi 211 vjet burg për ngjarjet e 27 prillit, e që tani është kryetare e Gjykatës Kushtetuese pas mbylljes së procesit theksoi se opinioni është mashtruar nga teza të pasakta, sepse personat që hynë në Kuvend me forcë nuk mund të jenë mbrojtës të kushtetutës.

“Të vendoset pajisje shpërthyese në kuvend, të rrihen deputetë, gazetarë, policë dhe nga ana tjetër të shohim përfaqësuesit e policisë në pajisje të plota luftarake të shtrirë në kolltukë dhe duke u përshëndetur dhe përqafuar me persona të maskuar, ose duke dëgjuar një person të maskuar të hipur në stol ku thotë qëllo, ke objektiv të qartë vrite Zaevin, mendoj se është mjaft e qartë për publikun”- deklaroi Dobrila Kacarska.

Megjithatë Aleanca për Shqiptarët, lideri i së cilës pësoi më tepër ka shprehur pakënaqësi për procesin gjyqësor, duke theksuar se u dëshmua kapja e gjyqësorit nga ana e pushtetit.

Ngjarja e 27 prillit konsiderohet si sulm ndaj demokracisë dhe një nga ngjarjet më të dhunshme në historinë e vendit ku u godit institucioni ligjvënës dhe u sulmuan të zgjedhurit e popullit, gjithçka në organizim të një grupimi me prapavijë politike.(INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey