70% e popullatës pritet të vaksinohet deri në fund të vitit

Shefja e imunizimit në IKSHPK: 70% e popullatës pritet të vaksinohet deri në fund të vitit.

Me ardhjen e 24 mijë dozave të vaksinës Anti-COVID në Kosovë ka filluar vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë.

Me këtë rast, shefja e imunizimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Edita Haxhiu ka thënë se sot ka filluar procesi i vaksinimit ku po vaksinohen punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive kurse në sallën “1 Tetori” janë duke u vaksinuar punëtorët e kujdesit primar e vijës së parë të frontit.

Ajo ka thënë se sipas panit shtetëror, janë planifikuar 3 faza të vaksinimit, dhe se deri në 70 për qind e popullatës planifikohet të vaksinohet deri në fund të vitit.

Sipas saj, janë 280 persona të cilët do të vaksinojnë në gjithë Kosovën.
“Në sallën ‘1 tetori’ është planifikuar që 760 persona të vaksinohen gjatë ditës, ndërkaq në Klinikën Infektive sot dhe nesër do të vaksinohet stafi”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka shtuar se nga e enjtja do të fillojë vaksinimi edhe në komunat e tjera të vendit.

“Nga e enjtja fillon vaksinimi edhe në komunat e tjera. Në të gjitha rajonet se pari do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, e pastaj moshat mbi 80 vjet. Secili qytetar do të lajmërohet se kur e ka datën e vaksinimit”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se sot është ditë e mbarë dhe se Kosova po i bashkohet vendeve tjerë për vaksinimin e personelit shëndetësor dhe qytetarëve.

Ai ka bërë thirrje që edhe më tutje të respektohen masat anti-COVID, derisa ka kërkuar nga qytetarët që të mos hezitojnë në marrjen e vaksinës.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ky proces do të marrë kohë dhe qytetarët duhet ta kenë durimin. Vaksina është e sigurt dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt ta marrin. Sot kemi mbi 900 pacientë të shtrirë, prej tyre 37 janë në gjendje kritike dhe rreth 700 pacientë me oskigjenoterapi. Do të vaksinohem edhe unë”, tha ajo.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey