A do bie qeveria e ‘Maqedonisë për të gjithë’ hajdutët e LSDM’së dhe BDI’së?!

Kim Mehmeti: A do bie qeveria e ‘Maqedonisë për të gjithë’ hajdutët e LSDM’së dhe BDI’së?!

Nga Kim Mehmeti

Mediat raportojnë se janë bashkuar ‘levica’ e ‘desnica’ maqedonase, me ‘hutat e kutat’ shqiptare, për ta rrëzuar qeverinë që ndërton ‘Maqedoni për të gjithë’ hajdutët e LSDM-së dhe të BDI-së. Dhe mirë bëjnë që do e rrezojnë koalicionin e pafytyrësisë politike, koalicionin që mbahet në pushtet nëpërmjet intrigave të drejrtuesve të LSDM-së dhe tinëzarisë së leninistëve të BDI-së.

Dhe atyre që habiten nga kjo ‘aleancë’ ndërpartiake shqiptaro-maqedonase, duhet rikujtuar se me ardhjen e BDI-së në skenën politike, intrigat, pafytyrësia dhe papërgjegjësia politike, u ngritën në rrafshin e vlerave më të larta demokratike. Pra, duhet rikujtuar se mbi një dekadë, BDI-ja e mbajti në këmbë regjimin që shenjë njohëse kishte antishqiptarin, regjimin të cilit i ndodhi ‘Monstra’, vrasja e Harun Aliut me shokët, botimi i Enciklopedisë poshtëruese për popullin shqiptar, rrahja e nxënësve shqiptarë, deshqiptarizimi i Shkupit, ngritja e kryqeve nëpër gjitha majat malore të vendit, rasti i Kumanovës…, e pas rënies së të cilit regjim, pa fije turpi, BDI-ja u vëllazërua me partinë që e drejtonte njeriu i cili ,regjimin VRMRO-BDI, e kishte shpallur vëllazëri hajdutësh.

Shkurt e shqip: ka më shumë se dy dekada qysh se BDI-ja është vetëshpallur tempull që shqiptarëve të Maqedonisë ua përcakton edhe miqësitë private me maqedonasit, por ndërkohë, duke ia lejuar vetvetes bashkëpunimin me ‘brat Lubet’ e me ‘bratuçedë Sashot’, me cilindo qendër politike e policore maqedonase, që BDI-në e sjellë në pushtet dhe drejtuesve të saj ua mbron dhe ua mbulon bizneset dhe hajdutërinë.

Dhe është e pritshme edhe e kuptueshme që pafytyrësinë dhe papërgjegjësinë politike të drejtuesve të BDI-së, ta mposhtnin vetëm politikanët që e kanë përvetësuar tinëzarinë e drejtuesve të BDI-së, pra vetëm ‘prespanët e llërcalinjtë’ që edhe kur e falin xhuma namazin, shikimin e kanë të kthyer kah godina e qeverisë, ata që para dite të shajnë e pasdite të përqafojnë, të atillët që sot e copëtojnë partinë, e nesër atë e arrënojnë. (Kim Mehmeti)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey