A po na përsëritet historia e regjistrimeve të manipuluara!?

Nga Vebi BEXHETI

Ashtu si gjithë shqiptarët e mbetur nën Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore, krahas shqiptarëve të Kosovës, atyre të tjerëve në Sërbi e Mal të Zi, edhe shqiptarët e Maqedonisë, bënë përpjekje të vazhdueshme për t’i fituar të drejtat e veta individuale e kolektive, që u takojnë, të drejta këto që pushtetmbajtësit i manipulonin me konventat ndërkombëtare për të drejtat e pakicave. Këtu edhe qëndron pikënisja e sherrit për statusin popullatës joshumicë edhe në Republikën e Maqedoni së Veriut.

Edhe pse po përsëritet kushedi për të satën herë se regjistrimi i popullatës, amvisërive dhe banesave është vetëm një operacion statistikor që nuk ka të bëjë fare me poltikën dhe liritë e të drejtat e njeriut, në shtetet shumetnike, ku shumicën e përbëjnë dy etnitë më të mëdha, siç është edhe Maqedonia e Veriut, dhe politika e saj diskriminuese ndaj shqiptarëve, numërimi i popullatës, para së gjithash ka karakter politik, pa i përjashtuar edhe dobitë tjera me interes për shtetin, për planifikim, e zhvillim për një afat dhjetëvjeçar. Në këtë shtet madje, këto të drejta, edhe me ligj e kushtetutë varen nga numri i banorëve të një etniteti, e më konkretisht ai i shqiptarëve. Njëzet përqindëshi i shpifur për shqiptarët që i mundësojnë ato të drejta, është rezultat i një planifikimi të gjatë strategjik i pushtetit, përqindje kjo nga e cila përfitojnë edhe etnitetet tjera pakicë, por që ironia të jetë më e madhe këtë të drejtë e shfrytëzojnë edhe maqedonasit, për të cilët mjafton një deklaratë se janë shqiptarë dhe pa anjë sanksionim për falsifikim ta zënë vendin e rezervuar për shqiptarë. Për këtë dukuri, që kohëve të fundit është shumë aktuale, partitë shqiptare në Pushtet, BDI dhe BESA deklarojnë se nuk paska mekanizëm ligjor që mund ta ndalojë të drejtën e përcaktimit të individit se si ndjehet. Të këtilla arsyetime jo që janë qesharake dhe të turpshme, por edhe nënshtruese para falsifikatorëve maqedonas që punēsohen në emër të shqiptarëve. Madje për BDI-në edhe ky fenomen llogaritet sukses sepse e rrit numrin e përgjithshëm të shqiptarëve të punësuar, pa çka se në mesin e tyre ka edhe ndonjë maqedonas. Nëse për marrjen e shtetësisë së një nënëloke shqiptare 70, 80 ose 90 vjeçare, kusht qenka njohja e gjuhës maqedonase, pse mos jetë kusht përveç të dhënash tjera edhe njohja e gjuhês shqipe për matrapazët falsifikatorë maqqedonas, që i uzurpojnë vendet e punës, të rezervuara për shqiptarë?!

Që ironia të jetë më e madhe, për ta pamundësuar këtë lloj falsifikimi të uzurpimit të vendeve të rezervuara për shqiptarë, Lëvizja BESA, këmbëngulëte që në dokumentet personale, siç është letërnjoftimi, të shënohej edhe përkatësia nacionale, por që sipas tyre, kjo mënyrë e identifikimit, mos të jetë obligative, që do të thotë se falsifikimet për uzurpim të vendeve të punës do vazhdojnë edhe në të ardhmen, nëse partitë shqiptare në qeverisje, nuk kanë vullnet të mirë ose guxim ta ndërpresin këtë mënyrë të paligjshme punësimi. Sipas BESËS, kjo kërkesë e tyre paska qenë madje kushti kryesor për hyrje në koalicion parazgjedhor me LSDM-në. A nuk janë qesharake këto arsyetime shterrpe dhe bajate, që futjen e një partie shqiptare në koalicion parazgjedhor me një parti maqedonase, ta kushtëzojnë me një kërkesë të këtillë, madje joobligative, nga e cila, si duket, në mënyrë të heshtur, pas reagimit të Ambasadorit të Bashkimit Evropian, të tërhiqen. Nëse i kthehemi historisë më të largët, do mësojmë, se politika sllave antishqiptare, që në kohën e Perandorisë Osmane, të Jugosllavisë mbretërore dhe asaj të “vëllazërim-bashkimit”, përmes presioneve të natyrave të ndryshme, siç janë edhe spastrimet etnike me elemente gjenocodiale, i përzunë shqiptarët nga vatrat e tyre autoktone, me qëllim, rrudhjen në masë të madhe të kufijve gjeografik të tokave shqiptare. As shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga vatrat e tyre në drejtim të Kosovës e Shqipërisë nuk i mjaftonte Sërbisë, kur dihet se Kosovën e konsideronte si djepi i kulturës së saj, madje si të tillë vazhdon ta ëndërrojë edhe sot e kësaj dite. Plani tinëzar sërb përmes marrëveshjeve të autoriteteve të tyre, të perudhave dhe regjimeve të ndryshme me ato të Turqisë, madje me histori që nga periudha Osmane, ishin fillimi i tragjedisë historike për shqiptarët, që i nisi drejt shpërnguljes së madhe për në tokat e Anadollit dhe të shumë vendeve tjera të Turqisë.

Në periudhën komuniste të Jugosllavisë, sidomos pas Kushtetutës së vitit 1974, kur Kosovës iu njoftë një autonomi më e plotë duke u bërë edhe pjesë konstituive e Federatëds Jugosllave, ndërsa shqiptarëve të Maqedonisë së atëhershme si pjesë përbërëse e Jugosllavisë, në njëfarë mënyre iu njoftë e drejta e shtetformësisë në këtë njësi federale, kjo e drejtë mbeti vetëm në letër. Edhe me atë Kushtetutë që llogaritet më demokratikja deri më tani, nuk pushuan manipulimet me numrin e shqiptarëve dhe statusin e tyre në shtetin e përbashkët federativ. Me këtë Kushtetutë, shqiptarët nuk e fituan të drejtën e barabartë me shumicën sllave, edhe pse me gjithë atë shpërngulje të dhunshme, ato për nga numri mbetën popullata e tretë në Jugosllavi. Me gjithë këtë numër jo edhe të vogël, dhe radhitjes si të tretët në Jugosllavi, pas sërbve dhe kroatëve, shqiptarët nuk e fituan statusin e kombit e as Kosova ate të Republikës, dhe kështu mbetën edhe mëtutje në nivelin e një pakice, por tanimë, me me emërtim të ri, “Kombësi “, që gjuhësisht nuk kishte asnjë dallim nga fjala komb, por që e përcaktonte etninë që i përkiste një kombi të caktuar.
Përveç dhunës së vazhdueshme ndaj shqiptarëve, për qëllime spastrimesh etnike, dhe asimilimi, qëndrimi albanofob sllav, për minimizimin e faktorit shqiptar, vazhdoi edhe përmes manipulimit të regjistrimeve, që kurrë nuk pushoi, madje as edhe sot kur në Maqedoninë Veriore gjatë kohë bashkëqeverisin edhe shqiptarët. Me gjithë padrejtësitë e kësaj natyre për minimizimin e numrit të shqiptarëve, në këtë shtet, autoritetet qeveritare maqedonase, më tepër druheshin nga numri i saktë i tyre, dhe frika se po del në shesh fshehja e realitetit të numrit të vet maqedonasve, në bazë të cilit ata edhe llogariten si bartëse e shtetësisë.

Përmes manipulimit të rezultateve të regjistrimeve që mbaheshin në çdo dhjetëvjeçar, ata ia arrinin qëllimit që numrin e shqiptarëve ta tregonin aq sa u nevoitej për t’i llogaritur si pakica, edhe pse këtë term e paraqitnin si të kamufluar përmes emërtime tjera si: nacionalitet, apo bashkësi etnike. Edhe emërtimi “pjesë e e kombit shqiptar”, që me Marrëveshjen e Ohrit, nga shqiptarët u konsiderua si ndonjë e arritur, nuk e avansoi këtë status nga pozita e të qenit pakicë, ndërsa shqiptarët vazhduan të konsiderohen qytetarë të dorës së dytë e të renditen në grupin e pakicave tjera, si: turqit, romët , sërbët , vllehët, boshnjakët dhe të tjerë, që realisht janë pakica, por që zyrtarisht njihen ashtu si shqiptarët, pjesë e kombit të tyre. Siç shihet, përpjekjet e shqiptarëve për t’u çliruar nga vorbulli i statusit të pakicës, që ngulfat të drejtën e tyre, për të qenë të barabartë, nuk pati sukses, falë edhe mosangazhimit sa duhet, apo mungesës së vullnetit të mirë të pushtetmbajtësve të BDI-së, parti kjo me më tepër përvojë qeverisjeje se çdo parti tjetër në Maqedoninë e Veriut. Kjo parti shqiptare qeveritare nga konflikti i 2001-shit, po i mbush 20 vite në qeverisje, herë me njërën e herë me tjetrën parti maqedonase, e me kohëzgjatje në qeverisje sa të dyja bashkë.

Po t’u hedhim një sy regjistrimeve të popullatës së kësaj njësie federale gjatë historisë, do verejmë se numri i shqiptarëve në Maqedoni, ndryshon sipas klimës politike dhe nivelit të disponimit antishqiptar të politikës së kohës. Me këtë rast do ndalemi vetëm te regjistrimet e kësaj Republike, nga viti 1948 deri në vitin 2002. Nga gjithsej tetë regjistrimet e popullatës në këtë republikë, dhe manipulimet e vazhdueshme në dëm të shqiptarëve, ato e bojkotuan regjistrimin e vitit 1991, gjithsesi tani më të vendosur dhe pa ndonjë frikë nga sanksionet që mund t’u vinin nga regjimi që po shpërbëhej, të vetëdishëm se manipulimet e regjistrimeve të mëparshme në dëm të tyre mund të përsëriten, edhe pse tanimë vepronte një parti shqiptare, që në njëfarë mënyre e përkrahte refuzimin e një regjistrimi të dyshimtë e në dëm të shqiptarëve.
Të gjitha rezultatet zyrtare të regjistrimeve në vazhdimësi, të viteve: 1948, 2953, 1961, 1971, 1981, 1991, 1994 dhe 2002, sipas të dhënave në baza të ndryshme, të llogaritura nga shqiptarët dhe jo vetëm, ishin të manipuluara, dhe në dëm të kombit tonë, gjë që vërehet edhe në bazë të numrit të shqiptarëve nga njëri në tjetrin regjistrim, kur shpeshherë ky numër mbetet i njëjti, lëviz pak, madje në ndonjë rast shënon edhe rënie.

Sipas të dhënave zyrtare të regjistrimit të vitit 1948, në Maqedoni jetonin 197.389 shqiptarë, ose 17.1 % e popullatës së përgjithshme Sipas regjistrimit të radhës, atij të vitit 1953 që u konsiderua edhe si politik, dhe më i falsifikuari nga të gjitha regjistrimet tjera, numri zyrtar i shqiptarëve doli 168.524, ose 12.4 % që nënkupton rënie të theksuar. Ky zvogëlim vjen si rezultat i kohës kur para disa vitesh ishin ndërprerë marredhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë dhe shpërnguljet masive të shqiptarëve në Turqi. Ishte koha e fillimit të periudhës së poltikës më të egër për shqiptarët, ajo e Rankoviqit, dhe e regjistrimit të tyre si turq, për t’u shpërngulur më lehtë, fakt ky që e argumenton edhe numri i madh i popullatës turke i këtij regjistrimi në Maqedoninë jugosllave, me gjithsej 203. 938 banorë, ose 15,6 %. Për këtë periudhë të rritjes artificiale, e për qëllime politike të numrit të turqive, në dëm të shqiptarēve, është karakteristike edhe hapja e shkollave me mësim në gjuhën turke, në vend të atyre shqiptare, që po mbylleshin , duke u zëvendësuar me ato turke, të mbushura me nxënës dhë mësues shqiptarë.
Kjo dhunë, para së gjithash politike, ekonomike e sociale, gjithsesi duke e keqpërdor edhe fenë, me qëllim shpërnguljeje në dëm të etnisë dhqiptare, ishte vazhdimësi e dhunës së Borgjezisë serbe, që pas Luftës së Dytë Botërore u ndihmua nga Republika Popullore e Maqedonisë përmes përgatitjes së dokumentacionit dhe marrjes së vizave për t’u larguar në kohë sa më të shkurtër nga vatrat e tyre.

Sipas regjistrimit të vitit 1961, popullata shqiptare numëronte 183.108 banorë, ose vetëm 13.0 %, ndërsa në atë të vitit 2971, gjithmonë sipas të dhënave zyrtare, ky numër u rrit në 279. 871, ose 17.0 %. Registrimet e manipuluara në këtë republikë, me rezultate të kurdisura, vazhduan edhe në ato të viteve në vijim. Në vitin 1981, përqindja e popullatës shqiptare arriti në 19.8 %. Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare statistikore, një periudhë më e volitshme për sa i përket rezultateve të tegjistrimit, ishte dhjetëvjetëshi 1971-1981, si pasojë edhe i një demokratizimi të shoqërisë dhe zbutjes së trysnisë politike ndaj shqiptarëve, si rrjedhojë e Kushtetutës së vitit 1974 dhe zbatimit të amandamenteve të kësaj Kushtetute edhe para miratimit të saj. Nga regjistrimi vitit 1981 deri të ai i vitit 1994, përsa i përket shtimit demografik të shqiptarëve sërish vërehet ngecje, bazuar në shtimin natyror dhe parametra tjerë. Nē bazë të të dhënave zyrtare të regjistrimit të vitit, 1994, shqiptarët dolën 441.104, banorë, ose 22.9 % e popullatës së pëgjithshme.
( Për këto të dhëna statistikore shih te Abaz Islami: Shqiptarët, shkollat, programet shkollore dhe tekstet mësimore në gjihën shqipe në RMV, Tetovë 2019, f. 140, 141, 142, botuar nga “NISMA ’68)), sipas referencave të të dhënave zyrtare për regjistrimet).

Se edhe rezultatet e vitit 1994 janë, joreale dhe të manipuluara, tregon edhe numri i përgjithshëm zyrtar i nxënësve të shkollave tetëvjeçare i atij viti në Maqedoni. Nga gjithsej 260.000 nxënës, 87000 ose 33.5 % ishin shqiptarë, që mësimin e ndiqnin në paralele shqipe (Shih te Hazbi Ademi, po aty, f. 80 ). Gjithsesi numri i nxënësve shqiptarë do ishte ende më i madh sikur të llogariteshin edhe ata që nuk kishin mundësi të përfshiheshin në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, apo ata që e kishin ndërprerë shkollimin. Edhe parametrat tjerë, siç është nataliteti i më i lartë i shqiptarëve, krahasuar me maqedonasit, apo numri i votuesve shqiptarë, është një tregues se numri i kësaj popullate duhej të ishte shumë më i madh, se ai i të dhënave zyrtare.
Autoritetet qeveritare maqedonase duke e pasur gjithmonē frikën se në ndonjëfarë mënyre mund të regjistrohen edhe mërgimtarët, nga të cilët shumica e madhe ishin shqiptarët, në vitin 1994 kishin sjellë një ligj, me të cin popullata e gjendur jashta vendit, më shumë se një vit, mos të llogaritet në numrin e përgjithshëm të banorēve të Maqedonisë, ashtu si edhe personat pa shtetësi, që në atë kohë ishin me numër të madh. Regjistrimi i fundit i realizuar në Maqedoninë e Veriut ishte ai i vitit 2002, sipas të cilit shqiptarët zyrtarisht dolën 509083 banorë, ose 25.17 %, numër ky zyrtar edhe sot.
Dy regjistrimet e fundit, të planifikuara me kohë, ishin ai i vitit 2012, që u ndërpre, pasi filloi, dhe ky i vitit 2021, që nga autoritrtet zyrtare, dhe parlamenti, u anulua për në vjeshtën e po këtij viti, për arsye tani më të njohura, blerje kohe për pëgatitjen e skenarit të radhës, ghithsesi për ta penguar vetregjistrimin masiv të mërgimtarëve shqiptarë të cilët si asnjëherë më parë u mobilizuan për t’u vetnumëruar, e drejtë kjo e garantuar me Ligjin e fundit për regjistrim me metodologjinë e zbatimit të tij, që u miratua në Parlament, pa ndonjë vështirësi, falë edhe votës së opozitës shqiptare, “Aleancës për shqiptarët”dhe “Alternativës”.

Ndërprerja e Regjistrimit të vitit 2012, përmes ndërhyrjes politike të dy liderëve të partive të koalicionit qeveritar të kohës, atij të VMRO- DPMNE-së së, Nikolla Gruevskit dhe atij të BDI-së, Ali Ahmetit, për të cilët u ngrit edhe aktpadi për vepër penale, deri më sot mbeti pa ndonjē arsyetim të qartë para qytetarëve. Bazuar në të gjitha historitë e manipulimeve të rezultateve të regjistrimeve, nënkuptohet se ndërprerja ndodhi nga frika e palës maqedonase se numri i tyre nuk do ishte ai i dëshiruari, ashtu siç do dilte edhe numri i shqiptarëve dhe i të tjerëve më tepër se sa e kishin llogaritur ata. Këta plane ogurzeza për shqiptarët, të autoriteteteve maqedonase, tanimë janë të njohura, por si mund të arsyetohet solidariteti i një partie shqiptare, BDI-së, me partnerin qeverisës VMRO-DPMNE- në e Gruevskit, që të bashkëveprojë njësoj me ta.
Planet për manipulime me rezultatet e regjistrimit, në dëm të shqiptarëve vazhduan edhe në kohën kur në Qeverinë e Maqedonisë udhëhiqte LSDM-ja, e Zaevit, e ku bënin pjesë, përveç BDI-së edhe dy parti tjera shqiptare, BESA dhe PDSH. Pas miratimit të Ligjit për regjistrimin e këtij viti, kur pritej se ky i fundit do ishte më objektivi, meqë u krijuan mundësi të barabarta që në këtë regjistrim të përfshihet edhe diaspora, ku gjithsesi numrin më të madh e përbënin shqiptarët. Në kohën kur ky proces kishte filluar për mërgimtarët në diasporë, regjistrimi që duhej të fillonte për banorët rezidentë, pas një marrëveshjeje të dy liderëve të partive më të mëdha maqedonase, asaj të pozitës dhe opozitës, u shty për në shtatorin e po të këtij viti, me arsyetimin se qenka kohë pandemie.

Nga kjo marrëveshje befasuese dhe e papritur, për dy liderët maqedonas mjaftoi vetëm një telefonatë drejtuar Ali Ahmetit, për ta marrë “aminin” e këtij vendimi, pavarësisht nga deklaratat kundër anulimit të këtij procesi, të funksionerëve partiakë, qeveritarë e parlamentarë të BDI-së, që i mshonin tavolinës në shenjë refuzimi të kësaj marrëveshjeje politike, mes dy liderëve maqedonas, që sipas tyre, assesi nuk mund shndërrohet në ligj, meqë grupi parlamentar i tyre nuk do e votojë asnjëherë një ligj që e anulon afatin e regjistrimit. Por ja që i gëlltititën fjalët e veta, duke u solidarizuar me të gjitha partitë maqedonase, përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në, partnerin strategjik historik të tyre me të cilën qeverisën vite me radhë.
Me gjithë kundërshtimet e fuqishme të opozitës shqiptare, “Aleancës për Shqiptarët “së Ziadin Selës dhe “Alternativës” së Afrim Gashit, falë partive qeveritare shqiptare, u votua Ligji për shtyerjen e regjistrimit të popullatës dhe kështu u realizua plani i partive maqedonase, fillimisht si kërkesë e VMRO-DPMNE-së dhe e të “Të “Majtës”së Apasievit, e më vonë edhe nga Partia e Pavle Trajanovit. I tërë ky skenar, që fillimisht dukej se kundërshtohet nga LSDM-ja qeveritare dhe Zoran Zaev, u realizua, ashtu siç u planifikua.

Kjo lojë e flliqtë politike, ku për fat të keq u përfshin edhe paritë shqiptare të taborrit të shumicës qeveritare, u luajt që të fitohet në kohë për të përgatitur strategjinë e radhës, që do i eliminonte nga regjistrimi i mirëfilltë mërgimtarët, duke ua pamundësuar të llogariten në numrin e përgjithshëm të shtetit, i cili nuk u siguroi një vend pune në atdhe. I tërë ky plan gjithsesi kishte për qëllim fshehjen e numrit saktë të mërgimtarëve shqiptarë, që bashkë me ata rezidentë, do dilnin shumë më tepër se sa i kishin planifikuar autoritetet shtetërore.
Edhe pse BDI u dorëzua para një plani antishqiptar, si e pafuqishme për t’i bërë ballë këtij skenari maqedonas, apo me këtë qëndrim i kishin llogaritur interesat partiake, privilegjet dhe qëndrimin sa më të gjatë në qeverisje, me këtë rast, madje u lavdëruan se e tërë kjo lojë shkon në interes të regjistrimit të mërgatës shqiptare, që tanimë do zgjasë deri në shtator. Kush mund ta gëlltis aq lehtë këtë diskurs dyftyrësh, politik, që dështimin ta paraqesin si sukses, kur “ashiqare”shihet qëndrimi i opozitës maqedonase për mërgimtarët dhe statusin e tyre, vetëm si të evidentuar, e jo të regjistruar, gjë që e pamundëson llogaritjen e tyre brenda numrit të përgjithshëm të banorëve të Maqedonisë Veriore. Edhe për këtë vazhdim të skenarit antishqiptar, me qëllim përjashtimin e diasporës, me pjesën dërmuese shqiptare, Kryeministri Zaev aktëron sikur nuk pajtohet me qëndrimin e VMRO-DPMNE, sa për t’i rehatuar shqiptarët, pjesëmarrës në qeveri, të cilët vazhdojnë të krekosen se anulimi i regjistrimit qenka në interes të shqiptarëve.

Atë që dikur e bënte dhuna politike, duke i larguar shqiptarët në Turqi, nga vitet e shtatëdhjeta, e sidomos nga ata të tetëdhjeta e nëntëdhjeta, e bëri migrimi masiv i shqiptarëve, që i lanë vatrat e veta, për të siguruar kafshatën e gojës për familjet, që fillimisht, mbetën të jetojnë të ndarë nga babai, bashkëshorti, apo djali i tyre. Me këtë rast vlen të theksohet se kurbeti, që më tepër u ra hise shqiptarëve, hovin më të madh e mori pas vitit 2001, kur pritej se me konfliktin, që ndodhi si nevojë e kërkesës për më shumë të drejta të shqiptarëve, do krijoheshin kushte më të volitshme për jetë më të mirë në vend, brenda gjirit familjar. Për fat të keq, largimi i familjeve të tëra drejt shteteve perëndimore, sidomos i të rinjve, që në këtë vend nuk shihnin ardhmëri të sigurtë, ndodhi pas vitit 2001, kur nga shumëkush pritej se migrimi do e ndal hovin.
Përveç punësimeve politike e partiake në administratën shtetërore, një numër i madh i të cilave ishin fiktive, dmth, pa vende pune dhe i funksionerëve nëpër poste të larta qeveritare, pjesa dërmuese rinisë, madje edhe ata me shkollim të lartë, të mbetur jashta politikës, filluan të regjistrohen me të madhe nëpër kurse të gjuhës gjermane, dhe angleze, që mund t’ua sigurone një vend pune në Gjermani, Zvicër, Austri, apo Angli. Si duket, edhe në këtë në këtë kohë, ashtu si në të kaluarën, falsifikimi i numrit real të shqiptarëve bëhej më lehtë përmes manipulimit me numrin e mërgimtarëve të cilët shteti as që i llogariste se ekzistojnë diku. Mundësia e tyre për regjistrim gati se ishte i pamundshëm, apo fare simbolik nga ata që gjatë kohës së regjistrimit ndodheshin rastësisht pranë familjes, por që llogariteshin vetëm si të evidentuar, e assesi të barabartë me të tjerët.

Këto rrethana të imponuara historike nga qeveritë e njëpasnjëshme, kurrë nuk ia mundësuan shqiptarit ta dijë se sa janë, realitet ky që për fat të keq, në njëfarë mënyre është i pranishëm edhe sot, por tani më, jo vetëm me fajin e të tjerëve. Kjo histori e dhembshme shqiptare, e paraqitur në mënyrë kronologjike që e dëshmon sakrificën e tyre për mbijetesë, që nga koha e Perandorisë Osmane, kur regjistrimet bëheshin në baza fetare, e deri më sot, flasin mjaftueshëm për të kuptuar këtë realitet të hidhur. Nëse shtrohet pyetja se a kanë mundur shqiptarët të bëjnë më tepër në këtë drejtim, së paku nga koha e shthurjes së Jugosllavisë, e sidomos pas konfliktit të vitit 2001, gjithsesi përgjigjja do ishte pozitive, madje pa asnjëfarë dileme se do arrihej shumë më tepër, nëse partitë shqiptare pjesëmarrjen në qeveri do e kushtëzonin me kërkesa serioze për ato tē drejta dhe nëse pjesëmarrjen në qeverisje do e konsideronin më tepër sakrificë se sa luks, rehati e mundësi për vjedhje e korrupsion. Madje për t’u arritur kjo, nuk duhej edhe aq atdhetarizëm, por vetëm qëndrim dinjitoz dhe respekt për votuesit që ua dhanë besimin për premtimet elektorale.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey