Adil Behramaj: Memli Krasniqi përballoi sfida që shumë të tjerë s’do mund t’i përballonin
Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Adil Behramaj ka vlerësuar se udhëheqja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pas figurave si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk ka qenë e lehtë, por pavarësisht sfidave, partia ka arritur të ruajë besimin e qytetarëve. “Nuk është e lehtë të jesh Kryetar i PDK-së pas Hashim Thaçit e Kadri Veselit.


Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Adil Behramaj ka vlerësuar se udhëheqja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pas figurave si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk ka qenë e lehtë, por pavarësisht sfidave, partia ka arritur të ruajë besimin e qytetarëve.
“Nuk është e lehtë të jesh Kryetar i PDK-së pas Hashim Thaçit e Kadri Veselit. Nuk ka qenë dhe nuk është as sot e lehtë të udhëhiqet një parti që u godit më së shumti, pikërisht atëherë kur ishte më së keqi,” ka shkruar Behramaj.
Ai ka theksuar se përkundër vështirësive, PDK-ja ka arritur të mbajë strukturat dhe përkrahjen falë lidershipit të saj.
“Megjithatë, përkundër çdo sfide, PDK-ja ka arritur ta ruajë votën, strukturat dhe besimin e qytetarëve falë maturisë dhe përkushtimit të lidershipit të saj, qendror e lokal,” ka shtuar ai.
Behramaj ka veçuar rolin e Memli Krasniqit në këtë periudhë, duke thënë se ai ka përballuar sprova që shumë të tjerë nuk do t’i kishin përballuar.
“Memli Krasniqi i ka meritat më të mëdha për këtë. Në vitet më të rënda të PDK-së, ai ka përballuar sfida që shumë të tjerë nuk mund t’i kishin përballuar. Dorëheqja e sotme e tij është edhe një dëshmi tjetër e integritetit dhe dinjitetit të tij, si njeri dhe si politikan,” ka shkruar ai.
Në fund, Behramaj ka theksuar se për PDK-në është jetike të mbajë unitetin dhe të hapet për figura të reja.
“Në çdo parti ka pakënaqësi, por ajo që i duhet PDK-së është bashkimi i secilit që ndjehet pjesë e familjes politike dhe hapja e saj për figura të reja,” ka shtuar Behramaj.
