Adoleshentët tmerrojnë banorët, breshëri plumbash në mes të fshatit

Në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë ardhur telefonata nga banorët se midis fshatit Hot i Ri dhe Grudë e Re po qëllohej me armë zjarri nga disa adoleshentë.

Me marrjen e informacionit, është organizuar puna duke ngritur një grup drejtimi për shërbimet e Policisë që do shkonin në vendngjarje, për shkak se personat që qëllonin ishin adoleshentë, me qëllim që gjatë ndërhyrjes së Policisë të mos kishte pasoja.

Forcat “Shqiponjat” dhe disa Patrulla të Përgjithshme, nën drejtimin e grupit të drejtimit, shkuan në fshatin Hot i Ri, lokalizuan vendin dhe me profesionalizëm neutralizuan adoleshentët, njëri rej të cilëve mundi të largohej.

Shërbimet e Policisë, në vendin e ngjarjes, gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatik, e cila rezultoi se i përkiste shtetasit E. Z..

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Z., 16 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe ”Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Në lidhje me këtë ngjarje është bërë shpallja në kërkim e shtetasit K. F., 15 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, të Bashkisë Shkodër, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe katër adoleshentë të tjerë, të moshës 15 e 16 vjeç, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey