Ahengjet familjare dhe organizimet e tjera po barten nga Kosova në Shqipëri – acarohen gastronomët

Dasmat, fejesat e organizime të tjera kanë filluar të zhvendosen nëpër restorantet e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, pasi qytetarëve po u pamundësohet organizimi i festave në territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të masave anti-COVID, të cilat vazhdojnë të jenë në fuqi.

Telegrafi mëson si tashmë edhe organizime të tjera nga institucione të ndryshme janë bërë në Shqipëri, e të cilat më parë ishin planifikuar në Kosovë, por shkaku i kufizimit të orarit të punës së restoranteve dhe lëvizjes së qytetarëve janë bartur atje.

Në lidhje me këtë, për Telegrafin kanë folur edhe nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, të cilët nuk po pushojnë së kërkuari bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qeverisë, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje e të mos u shkaktohen më shumë dëme se deri më tani.

Gastronomët, për këtë qëllim edhe do të protestojnë gjatë të martës (më 25 maj), ndërsa paralajmërojnë se revolta në mesin e tyre është rritur shumë.

Arian Vranica, sekretar në Shoqatën e Gastronomëve të Kosovës ka thënë për Telegrafin se edhe bashkëpunimi që kanë pasur me institucionet tashmë nuk është si më parë dhe nuk ka komunikim, e kjo për shkak se siç tha ai, ata po marrin të njëjtat masa njëanshëm, pa u konsultuar me ta.

Vranica u shpreh se marrëveshja e nënshkruar nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministrja, Rozeta Hajdari, dhe disa shoqata nuk është respektuar, pasi as tash kur është përmirësuar gjendja epidemiologjike nuk janë hequr masa për një pjesë të sektorit të gastronomisë, të cilët janë të mbyllur që nga 13 marsi 2020.

“Përveç që nuk ka pasur lehtësim të masave ka pasur edhe një arrogancë, edhe kjo arrogancë neve na shpie në rrugë. Për këtë ne kemi organizuar protestë, e cila do të bëhet ditën e martë, në sheshin “Skënderbeu” para Qeverisë së Kosovës. Te krijojmë eventin e pakënaqësisë, bazuar në shqetësimin dhe revoltën e lartë të gastronomisë”, u shpreh ai për Telegrafin.

Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve tutje shtoi se nuk e dinë ende arsyen se pse Ministria e Shëndetësisë po merr vendime në mënyrë të njëanshme, pasi siç theksoi ai kanë pasur bashkëpunim të mirë.

“Me datë 25 do ta mbajmë protestën sepse se përveç që nuk na janë marrë parasysh kërkesat tona, së fundmi as nuk jemi duke zhvilluar takime me Ministrinë e Shëndetësisë, pasi në mënyrë të njëanshme po i merr vendimet e njëjta. Nuk e kuptojmë arsyen pse, sepse kemi pasur bashkëpunim dhe bashkërendim të politikave të përbashkëta të rekomanduara nga ne edhe nga IKSHPK edhe nga MSH, që kanë qenë të mira edhe të shëndetshme edhe për shëndetin ekonomik edhe atë publik”, tha ai.

Ai u shpreh se pjesa e dytë e vitit është shumë e rëndësishme edhe për sektorin e gastronomisë, por edhe bizneset tjera, pasi është koha kur edhe diaspora është e pranishme.

“Dasmat të cilat janë anuluar, numërohen mbi 10 mijë ahengje familjare në një kosto prej 100 milionë euro, llogaritur nga 10 mijë euro për një aheng, të njëjtat janë pezulluar për këtë vit, por të njëjtat nuk do të pezullohen për vitin tjetër, sepse po organizohen ahengje familjare edhe në Shqipëri edhe në Mal të Zi. Këto janë jashtëzakonisht shqetësuese për ne”, tha ai.

Gastronomët janë të shqetësuar edhe për shkak se siç tha Vranica, Kosova ka mundësi të mbetet vetëm një vend transit për diasporën.

“Me këto masa aktuale, pa plan strategjik, po rrezikojmë të bëhemi një vend transit, që vijnë vizitorët vetëm për t’i parë familjarët e tyre dhe për pjesën tjetër e shohin më atraktive të shkojnë në vendet e rajonit”, tha ai.

Vranica u shpreh se nuk ka pasur fare interesim nga Ministria e Shëndetësisë për të komunikuar.

“Nuk kanë pasur asnjë lloj komunikimi e as përgjigje, kemi parashtruar kërkesa, por nuk ka pasur konfirmim për takim, pasi ata po mbajnë takime me organizata të tjera. Kjo arrogancë është në të keqën e vendit, por edhe për këtë sektor publik pasi do të ketë edhe telashe me sigurimin e pagave”, tha ai.

Ai theksoi po ashtu se ata kanë bërë edhe udhëzuesit e përkohshëm që i kanë modelizuar për situatën e Kosovës dhe qëllimin e kanë arritur, që shihet se edhe gjendja epidemiologjike është përmirësuar.

“Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, nuk është duke pushuar për të bërë një plan strategjik për të bërë strategjinë për turizmin dhe sezonën e verës, në mënyrë që të përcaktohen edhe modalitetet e modele te operimit të disa prej sektorëve të gastronomisë që janë të mbyllura që nga data 13 mars e deri më tani. Për një gjë të tillë, natyrisht që duhet strategji sepse modeli i operimit të tyre nuk është i njëjtë si me lokale të zakonshme sepse duhet një periudhë e arsyeshme kohore që të organizohen në mënyrë të mirëfilltë”, tha Vranica për Telegrafin.

Marrë parasysh eventet e vitit të kaluar në vendet e rajonit, Vranica tha se Mali i Zi nuk po e përsërit gabimin e njëjtë të cilët nuk po e bëjnë gabimin e njëjtë sikurse vitin e kaluar.

Ai tha se Mali i Zi ka arritur të vaksinojë edhe sektorin e gastronomisë, ndërkaq tashmë ka filluar edhe organizimi i festivaleve e eventeve të ndryshme.

“Revolta është rritur shumë dhe masat e tilla e kanë humbur kuptimin, sepse gjendja po përmirësohet dhe nuk mund ta lejojmë këtë, sepse kapacitetet e tjera nuk ka. Po i shohim se ata po duhet të anulojnë disa vendime tjera, për të rialokuar nga mjetet. Me këtë situatë, është në të mirë të të gjithëve të bashkërendojmë politikat”, tha ai.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey