Aktakuzë kundër kryetarit të Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq për zgjedhjet e 14 shkurtit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, ku thuhet se aktakuza është bërë në lidhje me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit me inicialet B.D., lidhur me zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Tutje, në komunikatë thuhet se “Prokuroria Speciale njofton se aktakuzën e ka ngritur kundër të pandehurit B.D, Kryetar i Komunës së Kllokotit, për shkak se është vërtetuar dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ e paraparë dhe sanksionuar me nenin 210 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, në mars të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër Bozhidar Dejanoviqit për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve.

Ai ishte arrestuar më 12 mars i dyshuar për “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey