Aleanca me akuza dhe kërkesa për regjistrimin! Drejtori i Statistikave u thotë se nuk plotësojnë dëshira

Aleancës për Shqiptarët kërkon që të hiqen 132 mijë të imputuarit që nuk janë regjistruar në terren ndërsa për mërgimtarët të tregohet komuna ku banojnë.

“Ligji për regjistrimin e popullsisë parasheh që qytetarët të regjistrohen sipas vendit ku banojnë dhe jo adresës në regjistrat amë, ndërsa kryqëzimi i të dhënave bëhet vetëm për personat që janë regjistruar në terren dhe nuk mund të evidentohen persona që nuk janë takuar në terren”, tha Naim Bajrami – Aleanca për Shqiptarët.

Për këtë drejtori i Entit për Statistika Apostol Simovski për TV21 tha se regjistrimi është zbatuar me të ashtuquajtur metodë e kombinuar që nënkupton regjistrim në terren dhe përdorim të të dhënave nga baza e të dhënave.

“Kështu që akuza e parë bie se nuk kemi pasur të drejtë në përputhje me ligjin që për ata që nuk ishin të përfshirë me regjistrimin, t’i përfshijmë në të dhënat e regjistrimit. Dy, të gjithë ata kanë adresa. Ka të dhëna edhe për jorezidentët nëpër komuna”, theksoi Apostol Simovski, drejtor i Entit për Statistika.

Nga Aleanca për Shqiptarët gjithashtu akuzojnë Entin edhe për numrin total të popullsisë, duke thënë se nga rezultatet e publikuara janë rreth 400 mijë persona deri në moshën 18 vjeçare, ndërsa në listën e votuesve të po të njëjtit vit, 2021, kemi 1.8 milion votues.

“Nëse mblidhen votuesit dhe personat nën 18 vjet na rezulton të paktën 2 milionë e 200 mijë banorë, ndërsa nga regjistrimi u tha se banorët rezidentë dhe jo rezidentë janë gjithsej 2 milionë e 90 mijë. Vetëm sipas të dhënave zyrtare mungojnë të paktën 100 mijë banorë”. theksoi Naim Bajrami, Aleanca për Shqiptarët.

Për këto akuza drejtori Simovski tha se regjistrimi dhe lista zgjedhore janë dy gjëra të ndryshme.

“Regjistrimi ka për qëllim të tregojë popullsinë që jeton zakonisht në vend, kjo është ajo kategori e rezidentëve. Ky është obligimi ynë, ta sigurojmë si të dhënë. Kështu që të gjitha këto akuza i hedhim poshtë. Më vjen keq që nuk mund t’i plotësojmë dëshirat e të gjithëve, megjithatë edhe detyra jonë nuk është të plotësojmë dëshira, por të tregojmë gjendjen reale në vend”, deklaroi Apostol Simovski, drejtor i Entit për Statistika.

Nga Aleanca për Shqiptarët rikujtojnë se për manipulime në regjistrimin pason dënim me 5 vjet burg, e për këtë drejtori i Entit për Statistika tha se për gjithçka mund të drejtohen tek organet kompetente.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey