AlternAtivA: E mbështesim ministrin Bekim Sali për rastin “Zhan Mitrev”, nuk guxon të ketë të paprekshëm!

Pas publikimit të emisionit “Gjaku i papastër”, të agjencisë IRL, që ka ofruar të dhëna komprometuese për punën e Spitalit Privat “Zhan Mitrev” gjatë kohës së pandemisë (në vitet 2020/2021), AlternAtivA është këtu të deklarojë publikisht se e mbështet punën e ministrit të saj të Shëndetësisë, Bekim Sali, dhe u bën thirrje të gjitha organeve kompetente që ta zbardhin këtë rast, deklaroi Amir Elezi, zyrtar i Alternativës dhe drejtor i Spitalit Klinik të Tetovës.

“Dr. Bekimi është ministër nga fillimi i vitit 2022 dhe kjo është periudha për të cilën ai flet me përgjegjësi.
Sidoqoftë, Alternativa, me gjithë kapacitetin e saj kadrovik dhe politik, është në mbështetje të ministrit të saj dhe të zbulimit të së vërtetës së kësaj storjeje. Kështu, duke i dhënë përkrahje ministrit Sali, AlternAtivA i bën thirrje Prokurorisë Publike ta hetojë çdo detaj të rastit në fjalë dhe të gjithë fajtorët të vihen para organeve të drejtësisë.
Ne e kemi thënë shumë herë se puna jonë është e mbështetur mbi transparencë, përgjegjësi dhe drejtësi, andaj – të bindur se qëndrojmë fuqishëm mbi këto vlera – kërkojmë që drejtësia të veprojë dhe secili që do të dëshmohet se ka përgjegjësi, të japë llogari”, theksoi Elezi.
Elezi shtoi se partia e tij premton se sa i takon dikasterit të Shëndetësisë, që nga koha kur e drejtojnë atë përmes ministrit Bekim Sali, është e gatshme të japë llogari për secilën temë që do ta shtrojë opinioni publik. “Kjo vlen edhe për të gjitha institucionet e tjera me të cilat udhëheq AlternAtivA.
Në Maqedoninë e Veriut nuk guxon të ketë të paprekshëm. Nëse konstatohet faj, patjetër të ketë përgjegjësi”, deklaroi përfaqësuesi i Alternativës, Amir Elezi.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey