Alternativa kundër digjitalizimit të librave: Është sikurse projekti i Gruevskit për kompjuterët

Sot në selinë e Alternativës u mbajt një brifing me gazetarët, të cilin e kishte ftuar kryetari i partisë, Afrim Gashi. Në këtë brifing ishin të pranishëm edhe prof. dr. Lulzim Aliu – profesor në Fakultetin Pedagogjik “Sh. Kliment Ohridski dhe nënkryetar i Alternativës dhe prof. dr. Zeqirija Ibrahimi – hulumtues shkencor dhe anëtar i Kryesisë Qendrore të partisë.

Në këtë takim me gazetarët shtruan disa çështje. Afrim Gashi – kryetar tha se arsyeja e organizimit të këtij brifingu është Koncepti i arsimit fillor dhe propozimi për digjitalizimin e teksteve shkollore, i propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), aq më shumë që – sipas tij – tema e arsimit është ndër çështjet më themelore të angazhimit politik të Alternativës, nëse jo edhe tema qendrore e programit të saj.
Sipas tij, problemi themelor në Konceptin e arsimit fillor është qasja që ka MASH-i. Në këtë rast kemi një imponim pa asnjë konsultim me faktorët e tjerë politikë dhe profesionalë në vend. Ai u shpreh i bindur se kjo do të ketë impakt negativ për arsimin në Maqedoninë e Veriut. Ai edhe një herë i bëri thirrje Qeverisë dhe MASH-it që t’i marrë parasysh vërejtjet dhe ta pranojë bashkëpunimin për ta shqyrtuar dhe diskutuar këtë propozim me të gjithë faktorët deri në vendimin përfundimtar. “Në të kundërtën, nëse MASH-i vazhdon të sillet me prepotencë ndaj vërejtjeve tona, në kohën që do të jemi në pushtet, ne do të jemi të detyruar që ta pezullojmë këtë koncept dhe në konsultim me të gjithë faktorët politikë dhe profesionalë të miratojmë një koncept tjetër të gjithëpranuar në vendin tonë.”, tha ai.

Kryetari i Alternativës u shpreh edhe kundër idesë për heqjen e plotë të teksteve të shtypura shkollore, kjo me shpjegimin se kjo nuk funksionon gati se askund në botë dhe se qëndrimi i ekspertëve të Alternativës është se kjo do të rezultojë me dëmtim të suksesit të nxënësve. Ai shtoi se vetë fakti se sa i pasuksesshëm doli viti me mësimin online, është dëshmi e mjaftueshme se sa mund të jetë e suksesshme ideja për heqjen e teksteve të shtypura shkollore. Ai, madje, tha se edhe fakti që ndryshimet ligjore duhet të vijnë në Kuvend me flamur të BE-së, kjo është mënyrë që ta imponojnë këtë ndryshim pa mundësi debati dhe diskutimi, që nuk është aspak europiane.

Prof. Lulzim Aliu u ndal në mënyrën se si është vendosur të implementohet Koncepti në shkollë nga shtatori i këtij viti. Ai tha se para se të vendoset ndryshimi i konceptit të arsimit fillor, së pari duhet të ndryshojë koncepti i krijimit të kuadrove që duhet të punojnë në të. Kjo i bie se pa i bërë ndryshimet e nevojshme në arsimin sipëror, pra të fakulteteve të mësuesisë, nuk mund të pretendohet ndryshimi i konceptit të arsimit fillor. Vërejtja e tij ishte se koncepti i arsimit fillor nuk mund të ndryshojë vetëm nga ekspertët e pedagogjisë, siç ka ndodhur, porse duhet të përfshihen edhe ekspertët e fushave të tjera. Megjithatë, sipas tij, problemi themelor është mungesa e pilotimit të konceptit. “Si mund ta dijë ministrja se ky koncept është më i miri kur ai nuk është provuar dhe nuk është verifikuar me matje empirike të suksesit të tij?”, pyeti ai. Kjo nuk ndodhë në asnjë shtet të zhvilluar. Prof. Aliu iu referua edhe një hulumtimi që është bërë me arsimtarët nga vetë ministria, të cilat MASH-i nuk i ka marrë parasysh fare në hartimin e konceptit të ri.

Prof. Zeqirija Ibrahimi tha se kriteri themelor i këtij koncepti të arsimit fillor është eliminimi i diskriminimit, duke e vënë theksin veçanërisht te diskriminimi gjinor, ndërsa është kaluar pa u vënë re fakti se fëmijët shqiptarë dhe të bashkësive të tjera etnike nuk janë të barabartë me nxënësit maqedonas. Me këtë koncept nxënësit maqedonas nuk janë të detyruar ta mësojnë shqipen ose një gjuhë tjetër të bashkësive etnike të vendit tonë, ndërsa nxënësit shqiptarë dhe të tjerë janë të detyruar që ta mësojnë maqedonishten. Problem tjetër, sipas tij, është edhe imponimi ideologjik i lëndëve që mund të bien ndesh me organizimin tonë social dhe konservator. Ai argumentoi se nxënësi që do ta mësojë lëndën e Edukatës fetare të krishterë ose islame, do të ketë edhe lëndë të misticizmit hindus, pra jogën, si dhe derisa në lëndën e Edukimit fetar do ta mësojë se familja heteroseksuale është celula e shoqërisë, në lëndën e Edukatës seksuale do të mësojë se gjinia është përzgjedhje e jona dhe familja mund të jetë edhe bashkëjetesë homoseksuale. Prandaj, ai tha se “kjo më së paku do të krijojë frustrim te fëmijët”. Prof. Ibrahimi më tej vazhdoi me shpjegimin se “ndonëse në parim ia njohim çdokujt të drejtën e lirisë së orientimit seksual, jemi të bindur se askujt nuk i lejohet që një standard liberal i perceptimit të organizimit social ta imponojnë si lëndë shkollore”. Aq më shumë – u shpreh ai – që ky koncepcion po imponohet si në monizëm: pa asnjë konsultim dhe pa asnjë matje ose pilotim të tij.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey