Ambasada e SHBA-së: Berisha, sinjal për të korruptuarit në Maqedoni

Shpallja “persona non grata” e ish presidentit dhe ish kryeministrit demokrat të Shqipërisë, Sali Berisha nga ana e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken duhet të përçojë sinjal të fuqishëm deri tek të gjithë personalitetet që përfshihen në korrupsion. Ky është qëndrimi i Ambasadës amerikane në Shkup, e cila për Alsat konfirmoi se SHBA mbetet vigjilente në luftën globale ndaj korrupsionit.

Kur Sekretari i Shtetit merr informacion të besueshëm se një zyrtar është përfshirë, drejtpërdrejtë ose indirekt në korrupsion ose shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, Sekretarit i kërkohet ta identifikojë atë zyrtar dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë, sipas kësaj dispozite të ligjit amerikan. Departamenti i Shtetit do të vazhdojë të përdorë këtë autoritet dhe të gjitha mjetet në dispozicion për të luftuar korrupsionin globalisht. Në varësi të rrethanave të veçanta, disa emërtime bëhen publikisht, ndërsa të tjerët bëhen privatisht. Veprimi i djeshëm duhet të dërgojë një sinjal të fortë që promovon përgjegjshmërinë dhe transparencën dhe të qëndruarit kundër korrupsionit të rëndë nga ndonjë zyrtar i shquar”, thonë nga Ambasada e SHBA-së për Alsat.

Ambasada amerikane nuk u përgjigj drejtpërdrejtë nëse dhe kur do të shtohen emra të rinj në “Listën e Zezë” të personaliteteve nga Maqedonia e Veriut, e cila menaxhohet nga ana e Ministrisë amerikane të financave. Ndonëse kjo listë e gjatë azhurohet vazhdimisht, ndër vite nuk ka pasur ndryshime sa i përket personave nga vendi ynë. Nuk janë shtuar emra të rinj, ndonëse në vend ka pasur skandale të ndryshme korruptive dhe nuk janë hequr nga lista emrat e shkruar nga viti 2001. Edhe në kërkimet e sotme vazhdojnë të rezultojnë: Menduh Thaçi, Nuri Bexheti, Xhevat Ademi, Abdyl Jashari, Gafur Adili, Nevzat Halili, Xhavit Hasani, Kastriot Haxhirexha, Xhemajl Hyseni, Daut Rexhepi dhe Xhezair Shaqiri.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey