Ambasada e SHBA’së ua përsërit LDK-së e VV-së: Formojeni sa më shpejt Qeverinë

MPJ: Pas shqyrtimit të dosjeve, presim që prokuroria të ngritë aktakuzat e para

LDK-së e VV-së po u kërkohet që ta formojnë sa më shpejt Qeverinë e re.

Ambasada Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka konfirmuar në një përgjigje për Gazetën Express se kanë kërkuar nga liderët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimin e sotëm formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.

Ndërkombëtarët janë duke vazhduar thirrjet drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’u marrë vesh sa më shpejtë për formim të koalicionit qeverisës. Të njëjtët sot gjatë ditës, për të përsëritur këtë thirrje kanë shkuar në selinë qendrore të LDK’së në Prishtinë, parti kjo që po insiston në disa kushte për të hyrë në koalicion me partinë e parë, Lëvizjen Vetëvendosje të udhëhequr nga Albin Kurti.

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett ka qëndruar për më shumë se një orë sot në zyrat e LDK-së, nga ku ka biseduar nga afër më fytyrat kyçe të partisë, Isa Mustafën dhe tre nënkryetarët, Agim Veliun, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin.

Pas takimit të Kosnett me Mustafën, KosovaToday ka nisur pyetje në Ambasadën e SHBA’së në Prishtinë, për të mësuar se cili është problemi që LV e LDK nuk po mund të pajtohen që të qeverisin bashkë.

Nga kjo ambasadë nuk kanë pranuar që të japin detaje se cilën parti e bëjnë fajtor për zvarritje të procesit, e nuk kanë komentuar se a do të përkrahin një qeveri të krijuar nga forcat tjera politike në vend.

Megjithatë, kanë sugjeruar që për të njëjtat pyetje të pyeten palët, në këtë rast LV e LDK.

Nga Ambasada amerikanë në Prishtinë, tutje kanë deklaruar se nuk kanë çfarë të shtojnë, pos, asaj që është thënë në komunikatën e 26 dhjetorit, në ditën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

MPJ: Pas shqyrtimit të dosjeve, presim që prokuroria të ngritë aktakuzat e para

Deklarata e 26 dhjetorit

“Ambasada amerikane nuk ka çka të shtoj, përveç asaj që është thënë përmes komunikatës me 26 dhjetor”, kanë deklaruar të njëjtit.

Në deklaratën e 26 dhjetorit pasi kishin uruar Glauk Konjufcën që u zgjodh në krye të Parlamentit, ambasada kishte kërkuar nga udhëheqësit politikë në vend, formimin e qeverisë së re në mënyrë që sa më shpejtë të përmbushet mandati i votuesve.

“Ne mezi presim që të bashkëpunojmë me qeverinë e re në çështjet urgjente që kanë të bëjnë me paqen, drejtësinë dhe mirëqenien”, thuhej në komunikatë.

Për takimin e zyrtarëve të lartë të LDK-së me Kosnett kanë njoftuar sot partia e udhëhequr nga Isa Mustafa përmes një komunikate për media. Ata kanë deklaruar se e kanë njoftuar ambasadorin për rrjedhën e bisedimeve me LV-në për arritje të marrëveshjes.

“Ambasadori Kosnett ftoi udhëheqësit politikë ta formojnë qeverinë e re e cila sa më parë do të përmbushë mandatin e votuesve”, shkruhet në komunikatë.

Në anën tjetër, në LV nuk kanë konfirmuar se sot gjatë ditës Kosnett është takuar edhe me kreun e partisë, Albin Kurtin.

Derisa, LV dhe LDK nuk po mund të dakordohen për koalicion, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka shtuar presionin për dorëzim sa më të shpejtë të propozimit për mandatarin.

Në presidencë, kanë bërë të ditur sot për T7 se mund të drejtohet në Gjykatë Kushtetuese për të sqaruar paqartësitë kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit të institucioneve të reja, si dhe të hapësirës kohore që ka partia e parë e dalë nga zgjedhjet për të propozuar mandatarin.

“Përgjegjësia kushtetuese e presidentit është funksionalizimi i institucioneve. Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarr çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, shkruhet në përgjigjen e Presidencës.

Dy partitë janë duke ia lënë fajin njëra tjetrës duke thënë se tashmë kanë dhënë në tavolinë të diskutimit opsionet e vetme që mund të zhbllokonin situatën. Nuk dihet se kur do të ndodhë takimi i radhës.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey