Analistët i quajnë formalitet deklarata e Kurtit për takim me opozitën rreth dialogut

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel pritet të rifillojë në muajin qershor, por kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se paraprakisht do të zhvillojë një takim me partitë opozitare gjatë majit, për të pasur edhe qëndrimet e tyre sa i përket këtij procesi.

Mirëpo, nga njohësit e rrethanave politike kjo deklaratë e kryeministrit Kurti është duke u vlerësuar si një formalitet.

Analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kurti nuk është shembulli i mirë i përfshirjes së opozitës në dialog.

“Kurti nuk është shembulli i mirë i përfshirjes së opozitë në dialog, kur ka qenë vet në opozitë. Kështu që pavarësisht thirrjes që ai bën tingëllojnë shumë hipokrite ato thirrje që duhet edhe opozita të përfshihet ndërkohë që nuk ka dhënë shembull kur ishte në opozitë”, ka thënë Mushkolaj.

Ai po ashtu tha se përfshirja e opozitës në dialog nuk është e domosdoshme, pasi siç vlerësoi Mushkolaj roli i opozitës është që t’i shqyrtoj marrëveshjet e arritura në Bruksel me anë të ratifikimit të tyre në Kuvendin e Kosovës.

“Natyrisht që përfshirja e opozitës nuk është e domosdoshme, por çfarëdo marrëveshje që të arrihet të ratifikohet më 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës. Opozita tashmë sidomos LDK dhe PDK janë dy parti kryesore të cilat e mbajnë përgjegjësinë, vulën kryesore të këtij dialogu, prej vitit 2011 e deri tash. Po ashtu tingëllojnë hipokrite këto kritika nga opozita, karshi Kurtit për çështje të cilat vet i ka shty në dialog dhe i ka miratuar në Kuvend”, ka thënë tutje ai.

Edhe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, ka thënë se deklarata e Kurtit për një takim me partitë opozitare është më shumë një formalitet.

“Më shumë si formalitet, pasi qeveria duhet të paraqes njëherë platformën dhe ta diskutoj në Kuvend. Dhe në kuptimin e një formaliteti është i pranueshëm, nuk e shoh diçka përmbajtësore, por në aspektin teknik si detyrim që duhet ta kryej”, u shpreh ai.

Sipas Demhasajt, në dialog nuk është mirë të përfshihet vetëm qeveria, por edhe opozita.

“Mendoj që është qasje e mirë dhe e duhur që në dialog mos të involvohet vetëm qeveria. Mirëpo, duke e marr parasysh të kaluarën është kërkuar vazhdimisht që opozita të bëhet pjesë e saj dhe opozita e ka kundërshtuar këtë, sidomos VV-ja”, theksoi ai.

Ndërsa, nga Zyra e Kryeministrit të premten për Telegrafin kanë thënë se takimi me partitë opozitare do të mbahet në një kohë të përshtatshme për të gjithë.

“Dialogu është temë me interes nacional. Kemi thënë se për çështje me interes nacional do të konsultohemi dhe kërkojmë bashkëpunim me partitë dhe liderët opozitar. Siç ka deklaruar kryeministri Kurti, presim që gjatë muajit maj, në një kohë të përshtatshme për të gjithë të fillojmë konsultimet me subjektet opozitare në Kuvend”, u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu më tej shtoi se kryeministri Kurti ka theksuar vazhdimisht se dialogu duhet të përgatitet mirë. Ai shtoi se këtë kryeministri do ta bëjë duke u koordinuar e këshilluar edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Kryeministri Kurti ka theksuar vazhdimisht se dialogu duhet të përgatitet mirë. Kjo do të kërkoj kohë dhe angazhim. Qeveria dhe kryeministri Kurti do të udhëheqë me dialogun. Këtë do ta bëjë duke u koordinuar dhe këshilluar me presidenten Osmani, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe subjektet e përfaqësuara aty”, tha Kryeziu.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi në një prononcim për Telegrafin, tha se janë të gatshëm të debatojnë e diskutojnë për dialogun dhe secilën temë tjetër në Kuvendin e Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të debatojmë e diskutojmë për dialogun dhe secilën temë tjetër në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe pse Kryeministri i sotëm e opozitari i djeshëm nuk ishte aspak bashkëpunues kur pikërisht kjo i kërkohej”, ka thënë Gashi.

E nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të premten përmes një konference për media u deklarua shefi i Grupit Parlamentar, Abelar Tahiri i cili tha se Kurti nuk e ka seriozisht koordinimin me opozitën për dialogun, ndryshe do ta bënte para udhëtimit në Bruksel.

Ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), shefi i Grupit Parlamentar Besnik Tahiri u shpreh se AAK e konsideron shumë të rëndësishme konsultimin paraprak me partitë parlamentare për dialog, informimin në Kuvend, dhe trajtimin e kësaj teme në mënyrën më serioze.

Ndryshe, rinisja e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodh para fundit të qershorit, siç kanë bërë të ditur dje në Bruksel përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti konfirmoi se Kosova do të marrë pjesë në rifillimin e dialogut në muajin qershor, por shtoi se paraprakisht do të përgatiten mirë.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey