Analizë/ Pse parashikimet e paketës antishpifje përbëjnë cënim për lirinë e shprehjes?

Prej muajsh opinioni publik dhe shumë organizata që mbrojnë lirinë e shprehjes dhë të medias në vend, “ziejnë” nga debati mbi përmbajtjen e asaj që iniciuesi, kryeministri Rama, e ka cilësuar si paketa antishpifje.

Organizatat që përfaqësojnë dhe mbrojnë lirinë e medias e kanë cilësuar këtë paketë si tentativë të pushtetit ekzekutiv për kapjen e medias, pasi sipas tyre kjo paketë cënon lirinë e shprehjes dhe transparencën. Edhe pas shumë kritikave nga faktorë të brendshëm, por edhe të ardhura nga KiE dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, sërish qeveria dhe Kryeministri z. Rama e kanë çuar deri në fund këtë iniciativë duke e miratuar kështu edhe në Parlament në seancën e datës 18 dhjetor të vitit që lamë pas.

“Paketa antishpifje” është dërguar në parlament si një seri ndryshimesh dhe parashikimesh ligjore për dy ligjet ekzistuese që rregullojnë kuadrin ligjor mediatik në vend, konkretisht Ligji nr 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” si dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin nr 9918 datë 19.05.2008 “Për Komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”.

Edhe pse nga qeveria është pretenduar vazhdimisht se nëpërmjet kësaj pakete synohet vetëm rregullimi i tregut të medias online dhe mbrojtja nga lajmet e pavërteta, dhe se parashikimet e saj janë në përputhje të plotë me kuadrin juridik dhe kushtetues të vendit, ne po ju sjellim më poshtë disa argumente juridike se përse kjo paketë bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventat ndërkombëtare të ratifikuara, dhe me parimin e ndarjes së pushteteve.

  • Neni 22 i Kushtetutës garanton lirinë e shprehjes, shtypit, radios dhe televizionit. Ndërsa neni 7 i paketës antishpifje, përcakton qartë 11 parime, rregulla dhe detyrime që duhet të zbatojnë mediat virtuale gjatë publikimit të çdo lajmi, videoje apo materiali tjetër informues. Me anë të të këtyre parashikimeve synohet të vendoset një kontroll paraprak mbi lajmet e publikuara, duke ardhur kështu në kundërshtim flagrant me përmbajtjen e dispozitës së pikës 3 të nenit 22 të Kushtetutës e cila ndalon në mënyrë të qartë censurën paraprake të mjeteve të komunikimit.
  • Gjithashtu ky rregullim ligjor bie ndesh edhe me nenin 19 të “Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut” dhe nenin 10 të “Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Dispozita këto që synojnë të garantojnë fjalën e lirë dhe të drejtën e shprehjes nga çdo lloj censure, në të gjitha shtetet anëtare që kanë ratifikuar këto konventa, pjesë e të cilave është edhe vendi ynë.
  • Nëpërmjet parashikimeve të paketës antishpifje, qeveria ka menduar edhe për ngritjen e një organi të ri brenda AMA-s të njohur si Këshilli i Ankesave. Ky organ synohet të kthehet në një instrument sanksionues, pasi do të marrë masa ndaj të gjithë mediave virtuale që nuk respektojnë 11 parimet apo rregullat e përcaktuara në nein 7 të paketës. Por pse kjo bie në kundërshtim me frymën e përgjithshme të Kushtetutës dhe kuadrin juridik në vend, përfshirë këtu edhe Kodin e Procedurës Administrative? Sepse ky organ tashmë do të japë masa ndëshkimore për subjektet e mediave virtuale duke i ekzekutuar në mënyrë të menjëhershme, pa zbatuar më parë të drejtën e ankimimit duke shkelur kështu në mënyrë flagrante edhe një nga parimet më të rëndësishme të shtetit të së drejtës, atë të “parimit të një procesi të rregullt ligjor” përcaktuar qartë edhe në nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu ky parashikim ligjor i jep dukshëm këtij Këshilli edhe atributet e pushtetit gjyqësor, gjatë gjykimit të një procesi që do të ketë si objekt shpifjen.
  • Një argument tjetër me rëndësi që nxjerr zbuluar tentativën e pushtetit ekzekutiv për të kontrolluar edhe mediat virtuale, është varësia politike e dy insitucioneve AMA dhe AKEP. Edhe pse të njohura e të përcaktuara në Kushtetutë e ligj si insitucione të pavarura, dihet tashmë se anëtarët e tyre zgjidhen nga shumica e deputetëve në parlament. Pra ky fakt ul ndjeshëm besimin e publikut në këtë proces, po aq sa fuqizon edhe dyshimin e skeptikëve të këtij ligji sipas të cilëve kjo është një tentativë e ekzekutivit për kapjen edhe të mediave online.

Edhe pse një ligj i shumë diskutuar dhe i papranuar edhe nga ato që vetë do të jenë subjektet më të prekura të tij, pra gazetarët, sërish shikohet si shumë e vështirë kundërshtimi i këtij ligji në sistemin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Kjo pasi KEDNJ ka parashikuar qartë, se për të pranuar një çështje që vjen nga individët apo subjektet pjesë të shteteve palë të Konventës, duhet të ezaurohen si fillim të gjitha shkallët e brendshme administrative dhe gjyqësore të një shteti anëtar. E në rastin tonë kjo do të jetë e vështirë e në mos e pamundur për një peridhë kohore jo të shkurtër, pasi Gjykata Kushtetuese nuk është akoma funksionale dhe me gjasa ngritja e saj do do të kërkojë edhe shumë kohë. Deri në anulimin e këtij ligji na mbetet veçse të shohim efektet që do kenë këto ndryshime në ligjet përkatëse, dhe në përgjithësi në të drejtën e shprehjes.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey