Arifi: E rregulluam ujin për qytetarët

Ka përfunduar sanimi i defektit në linjën e Leshnicës, e cila e furnizon qytetin e Tetovës me ujë të pijshëm. Lajmin e ka bërë të ditur sot në profilin e saj në Facebook, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila ka qenë në qendër të kritikave për shkak të problemeve me këtë element jetësor për qytetarët.

“Pas një pune intensive, punëtorët e ndërmarrjes nga Ujësjellësi dhe Kanalizimi kanë arritur të rregullojnë defektin ne gypin fi-500, i cili si rezultat i rrëshqitjes së dheut ishte dëmtuar, duke marrë parasysh terrenin e papërshtatshëm dhe kushtet klimatike. Ju falemnderojmë për mirëkuptimin”!, ka shkruar Arifi.

Para tre ditësh, kryetarja Arifi u detyrua që të kërkonte falje për ndërprerjen e sërishme të ujit, i cili ishte lëshuar pas disa ditësh të problemeve.

Ajo deklaroi se dëmtimi i sërishëm i rrjetit të furnizimit me ujë për shkak të rrëshqitjes së dheut në Malin Sharr, por duke deklaruar se ishte me shkallë më të vogël sesa dëmtimi në muajin shkurt.

Problemet e rrjetit të ujësjellësit, sipas ndërmarrjes publike komunale, kanë ndodhur për shkak se ka pasur shumë tërmete jo shumë larg rajonit.

Në anën tjetër, organizata EcoGuerilla, në reagimet e mëhershme, vlerësonte se kryetarja Arifi nuk e pa të arsyeshme t’u drejtohej qytetarëve kur mbetën pa ujë për mbi një javë. “Por qytetarët edhe ashtu nuk mund të presin seriozitet më të madh nga ana e saj, e cila asnjëherë nuk reflekton në momentin e nevojshëm”, theksonte EcoGuerilla.

Organizata ka kërkuar nga Prokuroria formimin e një komisioni hetimor, i cili do të bënte revizionin e gjithë projektitit të ujësjellësit.

Ndërkohë, mungesa e ujit është bërë reflektuar edhe me aksione që ironizojnë këtë mungesë përgjegjësie të zyrtarëve komunalë.

Së fundi, dikush ka vendosur në sheshin e qytetit një pllakat, ku shkruan se “Familja Babatunde” nga Afrika ka vendosur të bëjë një donacion për Komunën e Tetovës. Autori ka dashur që të ironizojë me faktin se aksioneve të organizatave bamirëse që hapin bunarë nëpër vendet afrikane dhe vendet e tjera që kanë probleme ekzistenciale për ujin./Shenja.tv

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey