Arifi: Në bazë të regjistrimit të fundit, rezulton që Maqedonia është duke e humbur popullatën e vet

Në debatin e mbajtur në UEJL, “Vizioni për Maqedoninë e Veriut”, profesoresha universitare Besa Arifi deklaroi se, vendi çalon në sferën e gjyqësorit. Sipas saj, pavarësisht reformave të shumëta dhe investimeve të ndryshme, notat ndaj gjyqësorit janë të ulëta, shkruan Nistori.

“Për mua një shtet ideal është kur sundon ligji, një shtet i së drejtës. Sigurisht, shteti ideal është një utopi, e cila nuk realizohet, por nuk është mirë të realizohet. Ndoshta edhe nuk do të ishte interesante jeta në një utopi. Ajo që dua të them është, se progres ka pasur dhe ky progres është i dukshëm. Duhet të mendohemi se pre ku kemi nisur, nga kemi kaluar dhe ku gjendemi tani.” – deklaron Arifi.

“Ne kemi ardhur në një periudhë që aspak nuk është ideale dhe ka shumë mungesa, por megjithatë një periudhë e cila siguron pak më shumë liri të shprehjes, për të kërkuar më shumë llogaridhënie nga pushtet mbajtësit dhe për të kërkuar një shtet më të mirë për të jetuar që të mos të kemi një ikje e popullatës. Në bazë të të dhënave të cenzusit të fundit, rezulton që Maqedonia është duke e humbur popullatën e vet, ngadalë, por megjithatë është një trend i cili duhet analizuar, me qëllim për të bërë dicka në këtë drejtim, që vendi të bëhet më i jetueshëm për të rinjtë.”

Arifi shton se, pushteti nuk ka kuptim në qoftë se humbet popullata dhe se se shteti duhet të tregojë më shumë interes që ta mbajë popullatën e re në vend.

“Nuk është puna vetëm të mbahet pushteti, por në qoftë se e humbni popullatën, ne në drejtësi themi: popullata është njëri ndëri tre elementet kryesore të shtetit. Shteti duhet të jetë i interesuar që ta mbajë veçanërisht popullatën e re këtu. Duke pasur parasysh se një e dhënë interesante nga censusi ishte pikërisht plakja e popullatës dhe në këtë drejtim duhet punuar gjithnjë e më shumë.”

“RMV është një shtet ku ende ndaj gjyqësisë nuk ka shumë besim. Është një shtet ku notat ndaj gjyqësorit janë ende shumë të ulëta. Janë bërë shumë studime lidhur me nivelin e pavarësisë në Maqedoni dhe ka pasur matje me indikator dhe të dhëna të ndryshme dhe kanë treguar që pavarësisht kur janë bërë këto matje, nota nuk ka ndryshuar dhe besimi në gjyqësor nuk është rritur shumë në Maqedoni. Përskaj reformave të shumëta, përskaj investimeve të ndryshme e kështu me radhë, përsëri me besimin në gjyqësor çalojmë. Edhe nga ana institucionale, edhe nga ana e vetë gjyqëtarëve.” – thekson profesoresha universitare.

Në fund Arifi shtoi se vendi nuk është aty ku duhet të jetë, por i mbetet shumë për të bërë, me qëllim për të krijuar një shtet me institucione të përgjegjshme dhe me institucione që u mundësojnë qytetarëve të jetojnë më mirë. /Nistori/

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey