Arrestohet kryeshefi i KPM-së, Luan Latifi

Kryeshefi i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi është arrestuar sot nën dyshimin për veprat penale “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Latifi është arrestuar paraditen e së mërkurës pas dyshimeve për përfshirje në rastin e marrjes së ryshfetit në vlerë prej 8,000.00 euro, për të cilin u arrestua të martën drejtori i Financave dhe Administratës së KPM-së, Arben Bilalli.

Me urdhër të prokurores së rastit, Latifi është dërguar në mbajtje për 48 orë. Lajmin e ka konfirmuar për Reporteri, Visar Rrecaj, avokati i Luan Latifit.

“[Luan Latifi] është arrestuar sot në cilësinë e të dyshuarit, nën dyshimin për veprat penale ‘marrje e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’ në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Komisionit të Pavarur të Mediave”, tha ai.

“Intervistimi ka filluar rreth orës 12:00. Ai është ndaluar aty rreth orës 11:30. Latifi nuk ka kurrfarë lidhje me rastin e djeshëm. Asnjë nga veprat nuk i kemi pranuar dhe nuk është i përfshirë në ato vepra”, ka thënë avokati i Latifit.

“Atij ka mundur t’i jetë përmendur emri si kryeshef ekzekutiv i KPM-së, por ai nuk ka kurrëfar lidhje me rastin e drejtorit të Financave”.

Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, arrestoi të martën drejtorin e Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur për Media, Arben Bilalli.

Bilalli dyshohet se ka kërkuar 8 mijë euro nga pronari i një biznesi, bazuar në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Shtetit.

Arrestimi i Bilallit ndodhi nën dyshimin për marrje ryshfeti në vlerë prej 8,000 € (tetë mijë euro), me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.

Bilalli është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur për Media që nga viti 2008.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey