As me Estoninë nuk fitojmë dot, dështojnë eksperimentet e Rejës

Shqipëria zhgënjen sërish, këtë herë në miqësoren ndaj modestëve të Estonisë, ku nuk shkoi dot përtej barazimit pa gola, duke konfirmuar vështirësinë e skuadrës për të krijuar dhe shënuar.

Trajneri Reja kishte zgjedhur t’u japë mundësinë lojtarëve që ishin aktivizuar pak ose aspak në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, teksa nga minuta e parë luajtën emra si Bajrami, Mihaj, Hoxhallari, Çokaj, Seferi e Ramadani.

Në pjesën e parë kuqezinjtë patën iniciativën, por nuk arritën të konkretizojnë në raste, teksa mundësinë e vetme për shënim e pati në kokë Giacomo Vrioni, që gjuajti keq dhe dërgoi topin mbi kuadrat.

Në 45-minutëshin e dytë Reja hodhi në fushë edhe emra si Uzuni e Broja, për t’i dhënë një tjetër ritëm lojës së skuadrës, por pavarësisht disa rasteve të krijuara, rezultati mbeti i pandryshuar.

Dy herë portieri kundërshtar u bë pengesë për shënimin e golit, teksa në 2-3 raste të tjera Uzuni u tregua i pasaktë në gjetjen e portës, duke bërë që Shqipëria të mos shkojë dot përtej barazimit pa gola.

Kjo ishte sfida e fundit e Shqipërisë për këtë sezon, teksa kuqezinjtë do të rikthehen në fushë më 24 dhe 27 shtator, për ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Islandës.

Mbyllet kështu në mënyrë zhgënjyese ky sezon për kuqezinjtë, që jo vetëm e shohin veten larg vendit të parë në grupet e Ligës së Kombeve, por tregojnë se nuk dinë të shënojnë as ndaj një kundërshtari modest si Estonia.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey