Asgjë e tillë nuk është bërë më parë: Transportohen me dron mushkëritë për transplantim

Kirurgu kanadez, Shaf Keshavjee “arriti diçka që askush nuk e kishte bërë më parë” – duke transportuar mushkëritë me dron midis dy spitaleve në qendër të Torontos, vetëm pak minuta para transplantimit të organeve tek një pacient 60-vjeçar.

“Ne kemi dëshmuar, dhe kjo është shumë e rëndësishme, se diçka e tillë mund të realizohet”, tha Keshavjee, i cili punoi në këtë sipërmarrje për dy vjet të plota me anëtarët e ekipit teknik për të bërë fluturimin me dron të shkojnë pa probleme.

Ai përshkroi se gjatë natës, në pak më pak se 10 minuta, droni fluturoi 1.2 kilometra mbi metropolin kanadez, duke mbajtur mushkëritë për transplant. Ai u ngrit nga çatia e Spitalit Perëndimor të Torontos dhe u ul në çatinë e Spitalit të Përgjithshëm të Torontos.

Më pas, mushkëritë iu transplantuan me sukses një pacienti rreth të gjashtëdhjetave, i cili vuante nga fibroza pulmonare.

Transporti i organeve me mjet ajror pa pilot realizohet në një rezervuar të posaçëm ftohës “i cili ruan parametrat termikë të organeve”.

AFP shkruan se pajisja fluturoi mbi qendrën e mbushur me njerëz të Torontos pa asnjë problem në mënyrë të automatizuar, por nën mbikëqyrjen e personave përgjegjës.

Përvoja e deritanishme sugjeron se teknologjia ekzistuese e dronëve, e cila tashmë përdoret në disa vende për të ofruar paketa të blera në internet, mund të përdoret në të vërtetë për të përmirësuar sistemin ekzistues të transportit të organeve dhe për të ulur kostot e transportit.

Në muajin prill të vitit 2019, një veshkë u transportua në mënyrë të ngjashme me dron te një pacient që priste një transplant në një spital në Maryland, SHBA. /Telegrafi/

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey