ASH: Zaev t’i mbajë larg duart nga hetimet dhe t’i konstatojë dorëheqjet urgjentisht

Bekim Tateshi nga Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj kryeministrit Zoran Zaev, ku tha se do të presë hetimet dhe më pas do të vendosë për dorëheqjet pas tragjedisë së 8 shtatorit, ku nga zjarri në Qendrën Kovid në Tetovë humbën jetën 14 persona.

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se dorëheqja e funksionarëve pas tragjedisë në Tetovë është gjest i pranimit të përgjegjësisë edhe pse i pamjaftueshëm, ndërsa mospranimi i dorëheqjeve nga ana e kryeministrit Zoran Zaev do të thotë mospranim i përgjegjësisë.

Aleanca thekson se kjo flet edhe për moskokëçarjen e pushtetit përballë tragjedisë, mungesën e respektit ndaj 14 viktimave, familjarëve të tyre dhe gjithë qytetarëve që u tronditën nga ky rast.

“Deklaratën e kryeministrit Zaev e shohim si një tentim për të zvarritur dorëheqjet deri pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Kreu i Qeverisë paralajmëroi edhe diçka më skandaloze, ndërhyrjen në hetime dhe prokurori. Ai nuk ka të drejtë të kontaktojë e as të informohet nga hetuesit para opinionit publik. I bëjmë thirrje që sot të thërret mbledhje të Qeverisë, t’i dorëzojë dorëheqjet në Kuvend dhe Kuvendi që nesër t’i konstatojë pa asnjë vonesë”, deklaroi Bekim Tateshi, nga Aleanca për Shqiptarët.

Ai theksoi se kërkesa për përgjegjësi politike dhe morale nuk është as për së largu politizim i këtij rasti siç tentojnë ta quajnë pushtetarët, por është kërkesë e qytetarëve dhe obligim ligjor. Sipastij, e vërteta është se Qeveria LSDM-BDI, kryeministri dhe kryetarja e Komunës së Tetovës, janë ata që këto ditë tentojnë të relativizojnë përgjegjësinë dhe të përfitojnë politikisht për të ruajtur kolltuqet e tyre.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey