Avionët e Fly Ernest nuk fluturojnë më në Shqipëri, kompania drejt falimentimit (DOKUMENTI)

Shqipëria do të ketë jo shumë larg në kohë një linjë ajrore më pak. Kompania Fly Ernest është drejt falimentimit dhe prej datës 13 janar, sipas burimeve në Aeroportin e Rinasit ajo nuk do të ngrihet në qiellin shqiptar. Vendimi është marrë nga Aviacioni Civil Italian.

Ky vendim është marrë pas një konstatimi se kompania kishte vonesa të shumta në linjat që përshkojnë Shqipëri-Itali si dhe Shqipëri-Ukrainë e anasjelltas. Në motivacionin për pezullimin e kontratës, Aviacioni Civil Italian shpjegon se kjo kompani fluturimesh vononte fluturimet për pasagjerët si dhe ngatërronte destinacionin e tyre pa u dhënë në këmbim asnjë lloj dëmshmërblimi financiar dhe pa garantuar mbërritjet e tyre në destinacionin e prenotuar.

Kjo ka bërë që qytetarë të shumtë të mbeten në aeroporte për ditë të tëra, duke humbur prenotimet, por edhe takime të rëndësishme pune – thuhet në vendimin e Aviacionit Civil Italian. Ndonëse licenca e tyre është pezulluar prej ditësh, avionët e “Fly Ernest” do të vijojnë punën për shkak të biletave të shitura deri në datë 7 janar drejt Ukrainës dhe deri në 13 Janar drejt shtetit italian. Tashmë ajo nuk ka më të drejtë të shesë bileta, dhe deri në 13 janar do të jetë në monitorim për sjelljen që do të bëjë ndaj pasagjerëve.

Vetë kompania në faqen e saj zyrtare në internet përmes një njoftimi thotë se është e detyruar të ndërpresë fluturimet për shkak të licencës së pezulluar nga Aviacioni Civil Italian. Madje, më tej shkruan se fluturimet do rikthehen sa më shpejt pas revokimit që do i bëhet këtij vendimi. Kjo kompani ajrore njofton se pas 13 Janarit do të pezullohen përkohësisht të gjitha fluturimet drejt disa qyteteve italiane, si Milano, Bergamo, Napoli, Bari, Verona, por edhe destinacioneve të tjera.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey