Bejta për kazinot: Mjaftë më, kjo nuk është ajo që duam të shohim në qytetin tonë

Kandidati për Kryetar komune nga radhët e BDI dhe Iniciativës qytetare Gostivari që dua, sot përmes një konference për media të mbajtur përpara Kazinove në Gostivar, ka hedhur kritika ndaj kryetarit në largim të komunës së Gostivarit, Arben Taravari për shtimin e objekteve të lojrave të fatit.

Bejta tha që edhe pse Taravari kishte premtuar në vitin 2017 se do të heqë kazinotë nga qendra e qytetit – asnjë nuk është mbyllur që atëherë, shumë të reja janë hapur.

“41 kazino gjenden në komunën tonë, bastoret sportive as që numërohen. Ne kemi më shumë Kazino sesa kopshte dhe shkolla, më shumë Kazino sesa terrene dhe mjedise sportive. Mjaftë më! Kjo nuk është ajo që duam të shohim në qytetin tonë – ne nuk duam që Gostivari ynë të dominohet nga industria e lojërave të fatit. Ne nuk duam që të rinjtë tanë të shkojnë në kazino, ne duam që ata të studiojnë, të bëjnë sport dhe të shijojnë kulturën. Ne nuk duam që të rinjtë tanë të humbasin paratë e tyre në makinat e fatit, ne duam që ata të kursejnë për arsimin e tyre, për shtëpinë e tyre të parë, për të ardhmen e tyre”, tha Bejta para mediave.

Ne, tha Bejta, po jetojmë në një shoqëri të lirë dhe secili mbi 18 vjeç do të vendosë vetë nëse dëshiron të luajë në një kazino apo jo – por si shoqëri nuk duhet të lejojmë që qyteti ynë të ketë kazino në çdo cep, pasi ato janë pranë shkollave tona dhe tërheqin brezit tonë të ri të hynë brenda.

“Taravari ka premtuar në vitin 2017 se do të heqë kazinotë nga qendra e qytetit – asnjë nuk është mbyllur që atëherë, shumë të reja janë hapur. Nuk ishte Taravari, nuk ishte Aleanca – ishte BDI, ajo që mori iniciativën dhe miratoi një ligj të ri në qeveri dhe tani po e shtyn atë në parlament për të zhvendosur kazinotë jashtë qendrave të qytetit dhe larg nga shkollat. Me këtë ligj nuk do të lejojmë funksionimin e kazinove dhe bastoreve sportive më afër se 500 metra nga shkollat. Për Gostivarin kjo do të thotë, se shumica dërrmuese e kazinove dhe bastoreve duhet të largohen nga qendra e qytetit tonë, pasi ditët e “Las Gostivarit” kanë mbaruar. Ne do të ndalojmë industrinë e lojërave të fatit të marrë qytetin tonë”, tha Bejta.

Bejta premtoi që pas 17 tetorit, do të shohim një qendër të re të qytetit, pa kazino – një qendër e qytetit, ku rinia jonë është e sigurt dhe familjet mund të ndihen rehat përsëri.

“Vota juaj për mua si kryetar komune dhe për BDI është një votë kundër Kazinove në qendër të qytetit dhe për një Gostivar modern, të sigurt dhe të pastër”, përfundoi Bejta.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey