Bëni kujdes: AH1N1 në qarkullim, epidemia pritet në shkurt

AH1N1 është tipi i gripit që po qarkullon këtë periudhë në vendin tonë dhe në Europë. 11.500 raste rezultojnë të prekur çdo javë nga ky virus ndërsa numri pritet të rritet në ditët në vijim.

Specialistët e shëndetit publik thonë se deri tani nuk ka raste të rënda por gripi është një sëmundje e paparashikuar dhe duhet marrë seriozisht.

“Situata është normale dhe e pritshme për stinën. Jemi në një nivel të ulët të infeksioneve respiratore, edhe pse presim një trend në rritje në ditët në vijim”, thotë Artan Simaku, specialist i ISHP.

Në stinën e gripit mjekët këshillojnë prindërit që në rast prekje fëmijët të mos i çojnë në kopshte dhe shkolla, të ruajnë higjienën, ndërsa grupeve të riskut iu këshillohet vaksinimi, pasi AH1N1 është i përfshirë në vaksinën e këtij viti.

“Kontakti me mjekun e familjes është shumë i rëndësishëm, sepse ai vlerëson gjendjen. Nuk rekomandohet edhe të shkohet direkt në farmaci dhe të merret një medikament”, vijon Simaku.

Epidemia e gripit parashikohet të jetë në fillim të shkurtit me mbi 18 mijë të prekur çdo jave, ndërsa deri tani në vendin tonë dhe në Europë nuk janë shënuar raste të reja dhe as humbje jete./A2

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey