Berisha nuk gjen rehati nga lëndimet në tre vjetët e fundit

Valon Berisha të mërkurën mbrëma postoi një fotografi në rrjetet sociale të nyjës së këmbës së djathtë të qepur. Lëndimin e pësoi po të mërkurën në ndeshjen të cilën skuadra e tij Reimsi e humbi 2:1 nga Lille. Ai ishte titullar, ndërsa fushën u detyrua ta lëshonte që në minutën e tetë.

Është vetëm lëndimi i radhës për Berishën. Mesfushori i Kosovës të tilla ka pasur thuajse rregullisht në tre vjetët e fundit. Ai shpreson që t’i kthehet sa më shpejtë fushës për të qenë gati për Remsin e po ashtu edhe për ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2022, që Kosova i luan muajin tjetër kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë.

“Nuk është lëndim serioz. Nuk është operim, por vetëm qepje. Të shohim si do të ecin gjërat”, ka thënë shkurt Berisha të enjten për KOHËN.

Në fakt, problemet për Berishën nisën që prej majit të vitit 2018. I pati munguar Salzburgut të Austrisë e po ashtu edhe Kosovës në disa miqësore të vitit 2018 dhe më vonë në vitin 2019.

Mesfushori qendror në shtatorin e vitit 2018 mungoi shkaku i një lëndimi muskulor. Atëbotë ishte lojtar i skuadrës së Lazios, ndërsa nuk u paraqit as për Kosovën. U kthye në tetor të atij viti. Luajti disa ndeshje për Lazion, ndërsa në dhjetor pësoi sërish lëndim të muskulit. Me muskuj pati problem edhe në fillim të vitit 2019. Luajti tri ndeshje, ndërsa u lëndua edhe një herë.

Qetësi gjeti pas largimit nga Lazio, ku u huazua te Fortuna Duesseldorfi në Bundesligën gjermane. Ishte ndër më të mirët. Te skuadra gjermane luajti nga shkurti i vitit 2020 deri në qershor. Më pas Lazio për shkak të problemeve me lëndime vendosi ta shesë te skuadra franceze Reims, ku është edhe aktualisht. Por edhe kësaj skuadre i mungoi për shumë ndeshje në edicionin e kaluar, ndonëse pati një start të mirë në Ligue 1. Sezonin e kaluar te Reimsi në total në 27 ndeshje në të gjitha garat luajti 1.874 minuta.

Ai pati telashe me lëndime këtë muaj. U lëndua në ndeshjen që Kosova e zhvilloi kundër Greqisë në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022”, ndërsa u vlerësua se nuk ishte gati të japë kontributin e tij në ndeshjen kundër Spanjës. Ishe në stol, ndërsa doli edhe në nxehje, por nuk u aktivizua fare. Pas ndeshjeve me Kosovën, Berisha luajti për Reimsin, ndërsa të mërkurën pësoi një lëndim tjetër.

“Do të kthehem shpejt”, është shprehur Berisha.

Sa ishte te Salzburgu në Austri shquhej për konsistencë. Madje në shumë edicione i luajti rreth 45 ndeshje. Në një edicion në Austri hyri në konkurrencë me lojtarët me më së shumti minuta në ligat evropiane.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey