Besimi: 10 milionë euro për kompanitë – një përqindje e kredisë mund të shndërrohet në grant

Nga buxheti shtetëror janë ndarë 615 milionë denarë apo 10 milionë euro për kompanitë e mikro dhe të mesme për financim të kredisë pa normë të interesit.

Kjo është paraparë në linjën kreditore Covid 4, ku siç sqaroi ministri i Financave, Fatmir Besimi një pjesë të kredisë kompanitë do të kenë mundësi të shndërrojnë edhe në grant.

“Janë siguruar 10 milionë euro kredi të lira të cilat nga dita e sotme janë në dispozicon të kompanive përmes bankës zhvillimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këto kredi janë paraparë në buxhet dhe atë në një vlerë prej 615 milionë denarë apo 10 milionë euro. Gjithashtu, kompanitë që do të shfrytëzojnë këto kredi pa kamatë do të kenë mundësi që një pjesë e tyre t’i transferojnë edhe në grante”, tha Besimi, transmeton TV21.

Kjo përqindje e kredisë dhe në këto situata mund të shndërrohet në grant:

30% të kredisë kanë mundësi të transferojnë në grant ndërmarrjet të cilat do të rrisin të hyrat e përgjithshme në vitin 2021 për 10% krahasuar me vitin 2020,
20% të kredisë kanë mundësi të transferojnë në grant ndërmarrjet të cilat do të rrisin numrin e të punësuarve për më së paku 5% krahasuar me vitin 2020,
50% të kredisë kanë mundësi të transferojnë në grant ndërmarrjet të cilat do të realizojnë 10% rritje të të hyrave të përgjithshme dhe 5% rritje të numrit të të punësuarve krahasuar me vitin 2020.
“Presim efekte pozitive nga kjo linjë kreditore dhe siç deri më tani, nga tre linjat paraprake janë injektuar 44.1 milionë euro në ekonominë dhe janë përkrahur 4078 ndërmarrje”, tha Besimi.

Në këtë ndërmarrje, siç tha ai janë të punësuar 36.800 punëtorë dhe me këto mjete është ruajtur likuiditeti dhe stabiliteti ekonomik i tyre.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey