Biznes në xhaminë e Dibrës

Emisioni Fiks Fare në Top Channel denoncoi mbrëmjen e së hënës problematikat e pronave të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në rrethin e Dibrës.

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën disa informacione se në xhamitë në Dibër po bëhej biznes. Në minarenë e një xhamie ishte vendosur një antenë e një kompanie celulare ndërkohë në pronat e xhamisë ishte ndërtuar edhe një lokal privat.

Një besimtar tregoi këto problematika, duke filluar nga prona në afërsi të Xhamisë së Madhe në Peshkopi. Ai tha se kjo xhami është ndërtuar pak vite më parë dhe ka kushtuar rreth 30 milionë lekë. Sipas tij, me një shumë prej 7 milionë lekësh të reja është blerë edhe një ambient privat ngjitur me xhaminë. “Në këtë pronë është ndërtuar një lokal privat. E përdor imami i xhamisë, por është blerë nga Myftinia e Dibrës. Nuk ka asnjë vendimmarrje nga Këshilli i Myftinisë” thotë besimtari.

Më tej pohon se, xhamia e vjetër në Peshkopi, atje ku u hap shkolla e parë shqipe në atë qytet, është lënë në mëshirë të fatit. “Nuk është vënë dorë prej vitesh dhe rrezikon besimtarët që shkojnë e falen përditë në atë vend” vijon besimtari, ndërkohë që deklaron se janë shpenzuar miliona për xhami në fshatra të vegjël dhe xhamia në qytet është në këtë gjendje. “Rrezikojnë përditë jetën. Askush nuk kujtohet” deklaron ai, ndërsa denoncon edhe biznesin me antena të kompanive celulare të vendosura në minare. Një rast i tillë është në xhaminë në Maqellarë, ku në minarenë e xhamisë është vendosur një antenë e tillë, pa pyetur aspak besimtarët. Nga ana tjetër, në minarenë e xhamisë në fshatin Sohodoll janë vendosur antena të një TV Kabllori dhe interneti.

Pas kësaj ankese, gazetarët shkuan në Xhaminë e Madhe në qytetin e Peshkopisë, teksa biseduan edhe me “pronarët” e lokalit. Ata thanë se ambientet i kanë marrë me qira nga Myftinia e Dibrës, teksa të gjitha investimet janë bërë private. Ndërkohë, Fiksi shkoi edhe në Sohodoll ku konstatoi se në minarenë e xhamisë ishin disa antena të një Tv Kabllori dhe linje interneti. Ndërkohë, në minarenë e xhamisë në Maqellarë janë vendosur antena të një kompanie celulare. Hoxha i xhamisë i tha gazetarëve se kontratën e ka bërë Myftinia e Dibrës dhe se ai i ka gjetur në atë vend.

Për të gjitha këto shqetësime, gazetarët biseduan me Myftiun e Dibrës, Muiz Kurtulla, i cili ishte në dijeni të të gjithë problematikave. Ai tha se “ashtu si gjithë shoqëria, apo vendi, funksionon edhe Myftinia Dibër, ku janë vendosur antena në minarenë në xhami”. Sipas tij, vendimin e ka marrë Myftinia, ndërsa theksoi se me qiranë e marrë paguhet hoxha dhe disa shpenzime të tjera.

Ndërkohë, në lidhje me lokalin te Xhamia e Madhe, tha se “është lokal i Myftinisë”. Pohoi se atje nuk futet njeri përveç stafit të brendshëm, por nga vëzhgimi i “Fiks Fare” rezultoi krejt e kundërta, pasi edhe persona të tjerë shkojnë në atë ambient. Madje, punonjësit thanë se ambienti është marrë me qira. “Është pronë e Myftinisë, nuk është dhënë me qira. E përdorim ne” thotë Myftiu./Top Channel

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey