Bizneset që fitojnë më shumë në Shqipëri, kryeson Balfin

Sharing is caring!

Pas një stanjacioni vitin e kaluar, grupet më të mëdha në vend panë një rritje të fitimeve, duke iu gëzuar avantazheve të ekonomisë së shkallës, marrjes së pjesës së tregut nga të vegjlit dhe diversifikimit në aktivitete të ndryshme.

“Balfin” dhe “Kastrati”, janë dy grupet me fitime më të larta në vend. Ndryshe nga renditja sipas të ardhurave, ku në vitin 2018, kryesimin e mori “Kastrati”, në renditjen sipas fitimeve, mbizotërimi është absolut i “Balfin”. Shqipëria duhet se po bëhet edhe më e vogël për të mëdhenjtë dhe të dy grupet kanë deklaruar se po shohin me përparësi zgjerimin në rajon.

“Balfin”

“Balfin” është grupi me fitime më të mëdha në vend. Në total, në vitin 2018, fitimi para taksave i 8 kompanive më të mëdha të grupit ishte rreth 5.5 miliardë lekë, me një rritje prej 12% me bazë vjetore. “Albchrome” dhe “ManeTCI” janë dy subjektet që gjenerojnë fitime më të larta në vlerë absolute, ndërsa për nga norma e përfitueshmërisë kryesojnë qendrat tregtare, “TEG” dhe “QTU”, dy modele biznesi që sollën një riformatim të tregtisë me pakicë në vend dhe ndonëse u kopjuan nga shumë të tjerë sërish nuk kanë arritur t’i konkurrojnë.

Presidenti i grupit, z. Samir Mane, pohon se në Shqipëri, grupi synon konsolidimin e bizneseve aktuale dhe forcimin e mëtejshëm të pozitave në treg, por nuk ka plane për investime të reja në Shqipëri. “Nga ana tjetër, ne synojmë që të shtrihemi më tej në rajon me investimet në real estate në Maqedoni, me shtrirjen tonë të mëtejshme me ‘Jumbo’ në Kosovë, Bosnjë, Mal të Zi dhe në shtete të tjera”, thotë z. Mane.

Ai shton që tashmë, në Tiranë ka një tejngopje të qendrave tregtare, numri i blerësve për metër katror është ulur shumë krahasuar me disa vite më parë, në raport me proceset e ndryshme të blerjeve. Ndërsa ndërtimi nuk është një fushë prioritare për Grupin dhe “nuk është në planet e investimeve tona, pasi mendojmë që tregu është i mbingopur me ndërtime të shtrenjta”, pohon z. Mane.

Ai shton se sektori me potencialin më të madh për të investuar është turizmi, pasi kjo është një fushë në hapat e parë të zhvillimit në vendin tonë dhe krijimi i standardeve më të mira ndërkombëtare për pushuesit që vijnë në Shqipëri dhe që kërkojnë hotele me kushtet dhe komfortin maksimal apo për ata që duan të gëzojnë një shtëpi të dytë pushimi është sfida që kemi përpara.

“Kastrati”

Kastrati është grupi më i madh sa i përket xhiros, por i dyti për fitime, teksa tregtimi i naftës, që është aktiviteti bazë, rezulton me përfitueshmëri të ulët. Kompanitë kryesore të grupit “KASTRATI SH.A.” (tregtim me shumicë i naftës), “KASTRATI” (tregtim me pakicë i naftës), “Alb-Siguracion” (sigurime) dhe sipërmarrja e re “Albanian Highway Concession” (ku Kastrati ka 50%) së bashku me disa subjekte më të vogla, raportuan në total një fitim prej 2.9 miliardë lekësh, me rritje prej 29% me bazë vjetore. Përmirësimi i fitimeve u ndikua nga nafta dhe nga kompania e re që ka marrë me koncesion Rrugën e Kombit.

Ndryshe nga “Balfin”, që është tërhequr nga ndërtimet në Tiranë, grupi Kastrati po ndërton kompleksin e banesave Turdiu, së bashku me A.K Construction, ndërsa është tashmë aksioneri i vetëm në qiellgërvishtësin “DownTown Albania”. “Kemi investuar me sukses në 12 sektorë të rëndësishëm dhe gjatë vitit 2018 kemi rritur praninë tonë dhe në sektorë të tjerë”, thotë zëvendëspresidenti i “Kastrati Group”, z. Leonard Kastrati. Në total, investimet e planifikuara dhe që po realizohen të grupit, në vend, kryesisht për projekte ndërtimi, hoteleri, portin e hidrokarbureve, arrijnë në rreth 180 milionë euro. Tashmë synimi është rajoni. “Kemi të gjitha kapacitetet financiare dhe përvojën e duhur menaxheriale të stafeve të specializuara, vendase dhe të huaja, për të rritur praninë në rajon dhe më gjerë”, thotë Kastrati.

Ai është optimist për projektet në sektorin e ndërtimit. “Aktualisht, kemi shitur mbi 95% të sipërfaqeve të komplekseve të përfunduara ose që janë në fazë përfundimi, dhe mbi 60% të sipërfaqeve të tjera në proces ndërtimi. Shitjet e deritanishme dhe në projektin “Downtown One” janë shumë të kënaqshme dhe përtej parashikimeve tona. Me përfundimin e projekteve besojmë se pjesa më e madhe e sipërfaqeve do të jetë shitur”.

“Infosoft-Joti”

Katër kompanitë e grupit Infosoft-Joti, që kanë për referencë investitorin Grigor Joti (me aktivitet në fushën e tregtimit dhe informatikës dhe distribucion me shumicë), “INFOSOFT SYSTEMS”, “INTER TRADE & DISTRIBUTION”, “INTERBRANDS”, “INTER DISTRIBUTION SERVICES”, kishin fitime prej 1.6 miliardë lekësh në vitin 2018, me një rritje të lehtë në raport me vitin e mëparshëm. Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total një xhiro prej 20 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri, në 2018-n sipas të dhënave nga Tatimet, me rritje prej rreth 2%. Në fund të vitit 2016, 49% të kuotave të ITD iu shitën grupit Balfin.

“AGNA”

Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna sh.a.” (shpërndarës produktesh dhe investues), “Alfa sh.a.” (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink), realizuan për vitin 2018 fitime prej 1.3 miliardë lekësh, me një rritje prej 4% me bazë vjetore. Dy kompanitë raportuan një xhiro prej rreth 25.2 miliardë lekësh, me një rritje prej 2% në raport me vitin e mëparshëm.

Grupi “Finman”

“Finman” është grupi më i madh i ndërtimit në vend. Sipas të dhënave zyrtare nga grupi, qarkullimi vjetor në vitin 2018 ishte rreth 110 milionë euro.
“Viti 2018 dhe fillimi i 2019-s kanë qenë padyshim një periudhë investimesh të mëdha për Grupin Finman. Pjesën kryesore të investimeve e kanë zënë dy prej projekteve me ambicioze në vend, ai i Arenës Kombëtare dhe vënia në operim me kapacitet të plotë e 34 km linjë hekurudhore Fier – Vlorë përfshirë ndërtimin e linjës së re hekurudhore prej 2.5 km për rafinerinë e Fierit dhe stacionit të ngarkimit të naftës bruto”, tha CEO i grupit, Idajet Ismailaj.

Grupi u krijua si holding në vitin 2016 dhe përfshin disa prej sipërmarrjeve më të mëdha në fushën e ndërtimeve dhe materialeve të ndërtimit, si ALB – STAR (ndërtime civile dhe industriale), APM (me aktivitet prodhim dhe tregtim i materialeve të ndryshme metalike), “Vibtis” (me tregtimin me shumicë dhe pakicë të materialeve inerte). Fitimet e këtyre tre kompanive u dyfishuan, në 1 miliard lekë, sipas të dhënave nga bilancet.

“Union Financiar Grup”

“Union Financiar Grup” është një nga grupet financiare me kapital shqiptar, me fitime më të larta. Për tre kompanitë kryesore të grupit, banka “Union Bank”, operatori i shërbimeve financiare dhe transfertave “Union Financiar Tiranë” dhe sipërmarrja e qirasë financiare “LandesLease”, fitimet arritën në vitin 2018 në 1 miliard lekë, me një rritje të lehtë në raport me vitin e kaluar. “Unioni Financiar Tiranë” është kompania më fitimprurëse e grupit, me një normë prej rreth 42%.

“Në vijojmë me një performancë mjaft të mirë edhe këtë vit. ‘Union Bank’ dhe ‘LandesLease’, jo vetëm janë rritur në treg, por kanë arritur edhe një stabilitet në profitabilitetin e tyre. Me Unionin Financiar kemi vijuar rritjen e llojshmërinë e pagesave që ofrojmë në rrjetin tonë të shërbimit UnionNe. Kjo është përqafuar nga klientët që na zgjedhin në numër gjithmonë e më të madh, për shërbimet e pagesave utilitare, përveç transfertave ndërkombëtare ku mbetemi lider të padiskutueshëm të tregut me brandin e Western Union”, u shpreh z. Edmond Leka, Kryetari i Bordit Drejtues të “Union Financiar Tiranë”, kompania mëmë e grupit të Union Financiar, që përfshin “Union Bank”, “Unioni Financiar” dhe “LandesLease”.

“Këtë vit, ‘Union Bank’ kreu me sukses edhe blerjen dhe integrimin e ‘IC Bank’ që e pozicionon edhe më mirë në tregun bankar, ndërsa në Unionin Financiar kemi investuar fort në fushën e pagesave elektronike, me synimin që të bëhemi referencë e tregut dhe zgjedhje më konveniente të klientit edhe në këtë fushë”.

The post Bizneset që fitojnë më shumë në Shqipëri, kryeson Balfin appeared first on ShqipMedia.

Sharing is caring!

Loading...
shares