Brazili në superformë, mposht edhe Ekuadorin!

Brazili konfirmohet si skuadra e momentit në Amerikën e Jugut. Vetëm pak ditë para startit të Copa America që do të zhvillohet në Brazil, Seleçao arriti të regjistronte fitoren e 5-të radhazi në po kaq takime në eliminatoret e Kupës së Botës, Katar 2022, duke blinduar vendin e parë dhe duke hedhur hapa të rëndësishëm drejt kualifikimit. Në Porto Alegre skuadra e Tites mposhti 2-0 Ekuadorin duke e thelluar në +4 avantazhin ndaj Argjentinës së vendit të dytë në renditje. Brazili e nisi sfidën me skemën 4-3-3, me treshen Richarlison-Neymar e Gabriel Barbosa përpara. Pjesa e parë nuk prodhoi shumë edhe pse në minutën e 23-të Gabigol ish-sulmuesi Interit aktualisht pjesë e Flamengos iu afrua shumë golit por ishte portieri i Ekuadorit Dominguez me një pritje spektakolare ai që hoqi mundësinë e festimit Gabriel Barbosës, i cili arriti të të realizonte në të 43-ën por ishte në pozicion jashtë loje.
Fundi i pjesës së parë solli një tjetër mundësi për skuadrën e Tites por Dominguez u shfaq në lartësinë e duhur duke ndalur tentativën e Neymar Jr. Gjithsesi atë që nuk e bëri dot në pjesën e parë, Brazili e realizoi në fraksionin e dytë me Richarlison dhe Neymar. Në minutën e 65-të sulmuesi i Everton zhbllokoi shifrat pas asistit të Neymar duke kaluar në epërsi Seleçaon. Fitorja e Brazilit u vulos nga goli personal i sulmuesit të Paris Saint Germain që në minutën e 94-t ekzekutoi saktë një 11-metërsh duke i çuar shifrat në 2-0. Me këtë fitore Brazili u ngjit në kuotën e 15 pikëve, pas 5 ndeshjeve eliminatore dhe nëse vazhdon me këtë ritëm me shumë gjasa do ta sigurojë shumë shpejt kualifikimin në Botërorin Katar 2022.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey