Bregu nuk erdhi tek unë, as unë nuk shkova te bregu

NGA KALOSH ҪELIKU

Përreth Olimbisë, në Shkup: luanët, kuajt e hazdisur edhe Filipi i Maqedonisë, së paku kanë ujë me shtama mbi kokë. Nuk e kanë problemin e bukës. Mitropilitët e Beogradit: Shën Klimenti dhe Naum Ohëri përkrah Shën Klimentit dhe Metodit me kryqa e Bibla në duar, i pushojnë sytë tek gjinjtë e hazdisur plot jetë me fëmijë në bark, gji dhe prehër të Olimbisë. Përderisa, heronjtë tjerë “maqedonas” më këmbë e mbi shpinë të kuajve me shalë me thika e armë në dorë bëjnë thirrje për luftë! Olimbia bënë thirrje për paqe, jetë në Shkup.

Mitropolitët e Beogradit me kryqa e Bibla në duar, e thirrin popullin e krishterë t’i luten Zotit në Kishën Ortodokse: “Shën Dhimitri”, rrëzë Kalasë Dardane, “Shën Nikolla”, në “Bit-Pazar” dhe Kishës Ortodokse Shqiptare(?!), përkarshi Akademisë “maqedonase”. Hoxhallarët e rrejshëm (“turqit” e Shkupit, nateditë i thirrin shqiptarët në xhaminë “Jahja Pasha”, por jo në Xhaminë Shqiptare. Minareve, ende nuk valon flamuri kuqezi shqiptar. Vetëm Gruaja Historike me fëmijë në bark, gji dhe prehër këto ditë vere me vapë, edhe pse: pa pikë uji në breg të Vardarit, e thirrë popullin pa dallime nacionaliteti e feje për paqe.

Imzot, a lihet në Ditën e sotshme Gruaja Historike shtatzanë pa pikë uji që i jepë gjallëri, jetë dhe ardhmëri Shkupit, Shtetit “përbashkët” Shqiptaro – “maqedonas”?! Gruaja, që në këtë vapë të madhe verës politike i jep frymë, shpirt Qytetit Shkupit, e zbukuron me fëmijë në bark, gji dhe prehër. Punë tjetër është ajo se, me cilin e ka kopilin?!…

Partitë Politike “maqedonase” dhe ato shqiptare me “besë” e pa besë, janë dalldisur pas posteve partiake, propagandës politike “historike” ideologjike komuniste. Dhe, Neokomuniste. Pasurisë personale, familjare e partiake. Dalje nga kriza politike. Edhe pse, ende asnjëra nuk e di se, kur do të kenë zgjedhje lokale e parlamentare reale. I kanë shkelur me të dyja këmbët të gjitha marrëveshjet politike në tryezën e pajtimit para syve të ndërkombëtarve. Falë Zotit, që këtë punë e kanë marrë në dorë Ndërkombëtarët. Përndryshe, siç thotë populli: Qeni nuk do ta njihte të Zot në këtë Livadh me ferra “demokratike”. Turrevrap me të katra, bëjnë fushatë parazgjedhore. Përsëri, e thotë populli: fëlterja në zjarr, e peshku në lumë.

Opozita e “vëllazërim-bashkimit” me protestat laramane të përditshme maratonike duke e lidhur flamurin shqiptar me atë të “vëllezërve” me vite nëpër kampe përpara Qeverisë e Kuvendit me “senduiç” derri e pule në duar, pije alkoolike e joalkoolike duke brohoritur rrugëve me parulla në duar e stërpikur me ngjyrë sheshin “Makedonija”: Qeverinë, Institucionet e shtetit “përbashkët”, luanët dhe kuajt e tyre me heronjtë mbi shpinë, e lënë Olimbinë sot pa pikë uji tek këmbët e Urës Gurit. Malli më mori, ta them të drejtën ta shoh edhe Sanço Pançon Shqiptar mbi gomar. Pajtohem, prapë një punë, kur Opozita nuk i sulet me shishe ngjyre edhe Olimbisë. Filipit të Maqedonisë. Mitropolitëve të Beogradit. Skënderbeut, Goce Dellçevit e Nikolla Karevit. Aleksandrit të Madh të Maqedonisë.

Skënderbeun, Pjetër Bogdanin te “Parku i Grave”, Hasan Prishtinën, dhe Nexhat Agollin, që kanë dalë kaçakë në Shkup i kanë larg syve: njëri i varrosur për së vdekuri në parkingun e makinave në “Bit-Pazar”, e tjetri pas atentatit dytë politik në park, përkashi kasapit me thikën në dorë. Isë Boletini është arratisur në Saraj, e ka mbyllë veten në Kullën e një “revolucionari” të dalldisur shqiptar. Adem Jashari mbi tank ka dalë kaçak në Radushë, vendlindjen e komandant “Mësuesit”. Ose, siç tha Ministrja e Policicisë në “bombat” politike të “Shpëtimtarit”: e kanë hipur mbi tank si xhuxh me gjashtë gishta. Pjetër Bogdanin e kanë fshehur mes pishave te Parku i Grave, me siguri shkaku “muslimanëve” të Shkupit që nuk e pritën me lule si hero shqiptar, por me “bakllava” turku. Mirë, po Dervish Carën, Josif Bagerin, Nexhat Agollin nga kush e fshehin sokaqeve politikanët?! Hë për hë, “vëllezërit” i shohin armiq heronjtë shqiptar që e çliruan dikur Shkupin me në krye Dervish Carën, e sot ua kanë lënë në duar “turqve” të Shkupit dhe “patriotëve kuqezi” të “Bit-Pazarit”.

Vetëm Unë kam mbetur i rrethuar nga të katër anët mes zjarreve në Tavernë me dy “kashikara” rrushi mbi tavolinë nga Partitë politike në pushtet dhe Opozita e nënkryeme dhe e tërbuar në rrugë pa kokë. I percjell nga veranda dalldisjet e tyre politike nëpër shkrimet e mia publicistike. Them me vete: Popull, i dalldisur dhe i papunë. Kafenetë dhe rrugët plot njerëz. Deputetët e zgjedhur të popullit me vite nuk shkojnë në Kuvend, e marrin pagesa të majme mujore, kur populli përditë u vdes në rrugë pa bukë. Ish politikanët e dështuar të partive politike, secili kokë më vete themeloi nga një Parti Politike “Shqiptare”. Ndonjëri mori edhe titullin e doktorit të shkencave me punë në Universitet. Shumica u bënë “analistë politik” duke fjetur nateditë nëpër televizionet e ”pavarura joqeveritare”. Fytas rroken para kamerave televizive dhe syve të popullit për “patriotizmin shqiptar” si qentë e tërbuar.

Mjerë populli shqiptar, që këto “analistë politik” i shesin mend dhe do ta nxjerrin nga kriza ekonomike e politike. Nateditë, para kamerave televizive nuk u pushon goja, shesin moral e “besë”, e në anën tjetër zvarriten grazhdeve të partive politike si qenë të tërbuar me zgjebe. Përmëkeq, pa fije turpi i marrin pagesat e majme mujore me rregull, edhe atë: kur populli i tyre ua dha votën e shenjtë demokratike për të ardhur në pushtet. E, ato me “besë” e pa besë, posa erdhën në pushtet, popullin e tyre e lanë pa bukë rrugëve. Padashtas, ma kujtuan anekdotën popullore shqiptare: Udhëtarin, kur katundarit për ta kaluar zallin (lumin) ia kërkon kalin. E, ai pasi e kalon zallin (lumin), në vend të faleminderimit i thotë katundarit: Ta shkërdhevsha kalin! Po, ç’faj ka Olimbia para këmbëve të Urës Gurit ta leni me ditë, javë e muaj në këtë Vapë të madhe pa pikë uji në breg të Vardarit?!

Zemërohem, ngrihem nga tavolina dhe e shkrep fotoaparatin, i bëj disa fotografi artistike shkrimit publicistik të Librit për Nesër: “PYKË shelgu”, që gati me vite më rrinte në kompjuter mbi tavolinë. Ende pa u ulur në karrige, Olimbinë me gjithë fëmijë përpak desh e “mbyti” uji partiak. Përçudia, Unë më shumë i besoj Natyrës, sesa Zotit. Nuk ka gjithaq rëndësi kjo si dikuri natyrore, aqsa shtamat e Olimbisë me ujë “hallall” në breg të Vardarit. Problemi, mos vallë Unë jam Profeti i fundit, dhe jo Muhamedi sipas “muslimanëve” të Shkupit?!

Përgëzime, Olimbia! Erdhi më në fund tek ti uji. Ose, siç thoshte Muhamedi a.s.: Nëse, bregu nuk vjen te Muhamedi, Muhamedi shkon te bregu. E, nëse më pyet mua çka përfitova si shkrimtar?! Asgjë. Bregu nuk erdhi tek Unë, e as Unë shkova te bregu…

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey