Çfarë “selame” po dërgojnë Alternativa dhe Lëvizja BESA?

Raundi i dytë do të jetë vendimtar për Lëvizjen BESA që garon me pretendimet për të fituar në Tetovë dhe Zhelinë, derisa për Alternativën vendimtar është Çairi.

Por nga këto dy subjekte ende nuk ka vendime zyrtare, që pritet të zyrtarizohen gjatë fundjavës, ndërkohë, në media ka pasur deklarata nga ‘frontmenët’ e këtyre dy partive, për mundësinë e përkrahjes ose jo ndërmjet tyre, duke përfshirë këtu Alternativën bashkë me koalicionin me ASH dhe në anën tjetër Lëvizjen BESA, përcjell INA.

Sekretari për Marrëdhënie me Publikun i Alternativës Zeqirija Ibrahimi së fundi ka folur për matematikat e partive politike për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Konkretisht për Tetovën, ai tha se votuesit e Alternativës janë të lirë të votojnë sipas bindjes së tyre, ndërsa deri tani nuk ka një vendim të përbashkët të koalicionit për përkrahjen e ndonjërit kandidat.

“Asnjë parti nuk i ka votuesit në shportë që shkon ia jep kandidatit tjetër. Bile më duket ofenduese të flasim ne se ne ia japim votat tona atij ose tjetrit. Aq më tepër dikush që nuk jeton në atë komunë të flasë në emër të njerëzve që aty jetojnë. Deri sot që po flasim nuk ka asnjë qëndrim zyrtar të koalicionit tonë se çfarë do të mbështesim në rrethin e dytë.
Kjo vlen për të gjitha komunat, jo vetëm për Komunën e Tetovës. Qëndrimi deri tani është që ne nuk mund të marrim anë dhe tu themi votuesve shkoni andej ose këndej. Ata janë të lirë që ta shprehin vullnetin e tyre me bindjen e tyre, me gjykimin e tyre dhe sipas asaj që ata e ndjejnë se duhet të bëhet në komunën e tyre”, deklaroi Zeqirija Ibrahimi.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha i pyetur mbrëmë për deklarimet e fundit nga Alternativa theksoi se është në dorën e tyre të vendosin, por sipas tij, votat e këtij subjekti janë minore.

“Votat e Alternativës janë minore dhe për mua, të parëndësishme”, tha Hoxha. Ai ka lënë të hapur mundësinë dhe nuk është kundër që Alternativa të bëhet pjesë e Qeverisë aktuale.(INA)

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey