Çmimi i naftës rritet sërish, merr tjetër goditje pas sulmeve të Iranit

Tensionet që kanë bërë të fryjë erë lufte mes Iranit dhe Shteteve te Bashkuara, i dhanë një tjetër goditje çmimit global të naftës. Çmimet referencë të arit të zi në Amerikë e Britani u rritën me 4%, e nafta ‘Brent’ mbërriti nivelin e 70 dollarëve për fuçi.

Tregjet ndërkombëtare janë bërë shumë të ndjeshme ndaj situatës së acaruar në Lindjen e Mesme. Rritjet e fundit të çmimit i shtohen kapërcimit që kuotimi i naftës pati në momentin kur u mësua lajmi i vrasjes së atij që shumë e konsideronin si njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran, gjeneralit Kasem Sulejmani.

Frika e luftës ka përfshirë gjithashtu tregjet e aksioneve në mbarë Azinë, e në Australi, shkëmbimet pësuan rënie me rreth 1%. Më pas, e rimorën disi veten sërish kur zyrtarët iranianë lanë të kuptohej se nuk kërkojnë luftë, duke zbutur kështu mundësinë e sulmeve të mëtejshme ndaj interesave të SHBA.

Tensionet ndërkombëtare shtojnë një drojë ekzistuese ekonomike në Australinë që po lufton prej muajsh me zjarret më të ashpra të dekadës, të cilat rrezikojnë t`i godasin edhe më fort shpenzimet e ulura të konsumatorëve. Investitorët sakaq po i rikthehen parajsës së sigurt të floririt; vëmendja e tyre ka bërë që çmimi i metalit të çmuar të rritet me 3%.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey