Ç’po ndodh në Ballkan? Nga dorëheqja e Zaevit dhe praglufta në…

Ç’po ndodh në Ballkan? Nga dorëheqja e Zaevit dhe praglufta në Bosnje, te krizat në Malin e Zi, Bullgari, Rumani e Shqipëri, analiza e një “pandemie” pastabiliteti politik

Shaban Murati

Ballkani po përjeton një situatë pandemie pastabiliteti politik. Në 1 nëntor kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dha dorëheqjen duke dhënë si shkak humbjen e partisë së tij në zgjedhjet lokale dhe hapi një krizë qeveritare dhe politike në vend.

Opozita maqedonase menjëherë kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, megjithëse në korrik 2020 u mbajtën zgjedhje të parakohshme, kur Zaevi e dha njëherë dorëheqjen në nëntor 2019, pasi Maqedonia e Veriut, bashkë me Shqipërinë, u refuzuan nga BE që të merrnin një datë të caktuar për hapjen e bisedimeve të pranimit.

Ka disa enigma në dorëheqjen e Zaevit, sepse nuk është as në perëndim praktika ose kushti që kryeministri jep dorëheqje për humbjen e zgjedhjeve lokale, gjë që është normale dhe praktikë për humbjen e zgjedhjeve parlamentare. Nuk është e qartë se cilët mund të jenë ata faktorë ballkanikë ose jashtëballkanikë, që lëvizën ushtarin Zaev për të krijuar pastabilitet të ri politik në vend.

Pastabiliteti politik dominon si sëmundje kronike në shtetin tjetër ballkanik, Bullgarinë. Në 14 nëntor Bullgaria do të shkojë për herë të tretë brenda vitit 2021 në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke shënuar një rekord politik dhe duke sanksionuar një krizë të gjatë qeveritare dhe politike pa rrugëdalje.

Në Rumani në 5 tetor parlamenti rrëzoi qeverinë 9 muajshe të kryeministrit Citu. Në 1 nëntor kryeministri i ri i ngarkuar Ciuca e ktheu mbrapsht mandatin se nuk siguroi dot shumicën e duhur parlamentare, duke lënë hapur vijimin e krizës së gjatë qeveritare dhe politike në vend.

Në Malin e Zi në 1 nëntor udhëheqësi filoserb i “Frontit Demokratik” të Malit të Zi, Andrija Mandiç, që është dhe pjesëmarrës në koalicionin qeveritar dhe që ka udhëhequr gjithë fushatën e gjatë anti-NATO, shpalli projektin për të zgjedhur një qeveri të re dhe deklaroi se “po bëjmë përpjekje të mëdha për zgjidhjen e krizës politike në vend”.

Kriza politike në Mal të Zi ka marrë formën e një përplasjeje dhe çarjeje të re brenda koalicionit qeveritar, ku forcat radikale filoserbe po kërkojnë shpejtimin e shkëputjes së vendit nga kursi atlantik dhe bashkimin me politikën e Serbisë dhe të Rusisë.

Në Bosnje-Hercegovinë kriza politika po shkallëzohet rrezikshëm me bllokimin e institucioneve qendrore të shtetit nga separatizmi i “serpska republikës”.

Në Serbi kriza politike ka formën e një autokratizmi kulmor të presidentit Vuçiç, i cili është akuzuar nga mediat serbe se po godet shtypin e lirë dhe mendimin e lirë, se ka bashkëpunuar me krerët e krimit të organizuar serb dhe se ka marrë pjesë personalisht në torturimin e robërve kroatë të luftës gjatë agresionit serb kundër Kroacisë në vitet 1991-1995.

Nuk mund të mbesë jashtë pandemisë së pastabilitetit politik as Shqipëria me tronditjet e saj artificiale politike të provokimit të krizave dhe tensioneve politike, ku aventurizmi i interesit meskin dhëmbëdalë të krerëve të një tranzicioni tridhjetë vjeçar ka cinizmin të maskohet me djep të ri politik, dhe ku disfunksionimi gjenetik i institucioneve shtetërore ka marrë formën e vendimit të Parlamentit për të shkarkuar Presidentin.

Shohim pra, një shtrirje gjeografike të pandemisë së pastabilitetit politik në krejt Ballkanin, e cila bie në sy për hapësirën rajonale dhe për njëkohëshmërinë e zhvillimit të saj. Është një situatë e përgjithshme e infeksionit rajonal, që e bën të nevojshëm hulumtimin e shkaqeve dhe arsyeve të një gjendjeje pazgjidhshmërie krizash politike dhe qeveritare. Është një fenomen tipik i zhvillimit të sotëm ballkanik i pangjashëm me asnjë rajon tjetër të BE apo të kontinentit europian.

Së pari, kjo zbulon se pandemia e pastabilitet politik në Ballkan është një fenomen autokton, që e ka burimin në karakterin e organizimit defektoz shoqëror dhe në formimin e papjekur psiko-mental të shteteve ballkanike.

Rajoni ynë është një rajon, që nuk ka tradita demokratike, ndaj implementimi mekanik i formacionit zgjedhor apo politik perëndimor ishte një trasplantim, që nuk gjeti përshtatshmërinë organike, dhe sepse vetë udhëheqësit politikë postkomunistë nuk e lejuan që të zhvillohej.

Së dyti, është tipik sepse pastabiliteti politik dominon në shtetet, që kanë dalë nga sistemi komunist, çka tregon se as dekomunistizimi i këtyre shteteve nuk u bë siç duhet dhe as regjimi i ri demokratik nuk u pranua dhe nuk u zbatua siç duhej.

Udhëheqësit e shteteve ish-komuniste në Ballkan gjatë qeverisjeve të tyre në sistemin e ri demokratik imituan modelin e udhëheqësve të mëparshëm autokratë komunistë dhe rikrijuan përsëri tipin e udhëheqësit totalitar me kostum demokratik në shtetet formale demokratike.

Kjo ndodhi në Shqipëri, në Serbi, në Mal të Zi, në Bullgari, në Rumani, etj. Kulti obsesiv i individit vazhdoi me të njejtën dominancë të gjithë jetës së vendit si në sistemin komunist. Shtetet ish-komuniste nuk ndërtuan dot as shtet demokratik real, as institucione shtetërore fuksionale dhe as institucione demokratike të forta.

Së treti, pandemia e pastabilitetit politik në Ballkan ka një vektor të fuqishëm të sponsorizimit jashtëballkanik dhe kryesisht rus. Rusia pësoi një humbje të madhe gjeopolitike dhe gjeostrategjike me prishjen e Bashkimit Sovjetik dhe me orientimin e të gjitha shteteve ish-komuniste ballkanike drejt integrimit euroatlantik.

Në shekullin 21 Rusia nisi revanshin e madh për të rikthyer aq sa mundte ndikimin e saj. Pas agresionit të saj në Ukrainë, ku aneksoi me dhunë Krimenë dhe ku hapi frontin separatist për shkëputjen e Ukrainës Lindore, Moska e vendosi boshtin e operacionit të saj të madh gjeopolitik europian në Ballkan. Konstatohet një zgjerim dhe një intensifikim i luftës hibdride ruse në Ballkanin Perëndimor, e konkretizuar me ndërhyrjen ruse në jetën elektorale dhe politike të shteteve ballkanike si në Bullgari, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë, Shqipëri, etj.

Së katërti, pandemia e pastabilitetit politik pati një vatër intensive lokale të infektimit. Duke qenë se shumica e shteteve ballkanike u anëtarësuan në NATO dhe katër shtete ish-jugosllave janë sot anëtare të NATO-s, Rusia i dha një rol të ri të posaçëm diversiv Serbisë për sabotimin e stabilitetit të shteteve ish-jugosllave.

Nëpërmjet shërbimive sekrete serbe dhe institucioneve shtetërore serbe Moska organizoi një ndërhyrje masive dhe direkte në Bosnje-Hercegovinë, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Moska i ngarkoi Serbisë misionin e madh të sabotimit të integrimit europian të rajonit dhe sidomos krijimin e rrymave dhe organizimeve lokale kundër integrimit europian.

Rusia shfrytëzoi hezitimin e BE për t’i dhënë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë një datë të hapjes së bisedimeve të pranimit, si dhe bllokimin e avancimit të integrimit europian të Malit të Zi dhe të Serbisë, për të krijuar kushte dhe forma të reja për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Ambasadori i Rusisë në BE u ofroi shteteve të Ballkanit Perëndimor alternativën e integrimit në “Unionin Ekonomik Euroaziatik”, të drejtuar nga Moska, në vend të integrimit europian.

Në këtë linjë strategjike antieuropiane të Moskës doli zyrtarisht Serbia në vitin 2019 me projektin e saj të “mini Shengenit”, i cili që në ditën themeluese u çfaq si nismë e shkëputur nga lidhja dhe varësia nga BE. Kush ka kuriozitet le të lexojë fjalimet emfatike “sovraniste” të presidentit serb Vuçiç dhe të kryeministrit shqiptar Rama në 10 tetor 2019 në Novi Sad, kur nënshkruan marrëveshjen e grupit të ri trepalësh të udhëhequr nga Beogradi.

Projekti serb i “mini Shengenit” doli me tre objektiva strategjike serbe.

Së pari, të krijonte një kundërvënie me integrimin europian të rajonit, duke ofruar integrimin serb. Kjo u pa qartë nga fakti që projekti serb iu kundërvu “Procesit të Berlinit” dhe planit të BE për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, që u vendos në samitin e Sofies të BE me Ballkanin Perëndimor në vitin 2020.

Së dyti, projekti serb krijoi përçarje në grupin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, sepse vetëm dy shtete përkrahën Serbinë: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Tre shtete, që e njohin Serbinë më mirë se Tirana, nuk iu bashkuan projektit serb.

Së treti, projekti serb synonte në planin strategjik përçarjen e faktorit shqiptar dhe moslejimin e tij që të bëhej faktor dominues në Ballkanin Perëndimor. Duhet pranuar se në planin gjeopolitik projekti i Serbisë pati efektet e veta negative në tre vitet e fundit, duke përçarë fort dhe duke ndezur një konflikt diplomatik, politik dhe shtetëror të paimagjinueshëm midis dy shteteve shqiptare.

Roli i Serbisë në Ballkanin Perëndimor si instrument dhe plasdarm i ndërhyrjes së gjithanshme ruse në rajon po bëhet gjithnjë e më agresiv. Ky nuk është mision i fshehtë por i hapur. Oleg Bondarenko, drejtues i projektit shtetëror rus “Balkanist”, si një nga institucionet kryesore ruse të specializuara për Ballkanin, deklaroi në 30 tetor 2021:

“Serbinë mund ta quash vendi, që është gati të paguajë për ekspansionin e Rusisë në Ballkan. Rusia është aq e rëndësishme për Serbinë, sa që ajo është gati të paguajë për faktorin rus. Pa Rusinë Serbia e humbet identitetin e saj”.

Janë përkufizime ruse, që zbulojnë rolin dhe strategjinë afatgjatë të Rusisë dhe të Serbisë në rajon dhe që duhet t’u hapin sytë zyrtarëve syleshë shqiptarë, të inamoruar me përrallat serbe të “mini Shengenit apo të Ballkanit të hapur”.

Pandemia e pastabilitetit politik në Ballkan duket si në virus që do të veprojë gjatë. Do të vazhdojë gjatë, sepse vaksina e anëtarësimit në BE është e dobët dhe BE ende nuk është bërë një forcë unike apo qendër homogjene e forcës, me një platformë efikase gjeopolitike në Ballkan.

Tani për tani e vetmja vaksinë e efeketshme diplomatike dhe strategjike ndaj pandemisë së pastabilitetit politik mbetet politika strategjike amerikane, roli dhe prania e së cilës në Ballkan duket se është e vetmja garanci e stabilitetit dhe e zhvillimit demokratik të rajonit./Dita.al

*Autori ish-ambasador i Shqipërisë në Shkup

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey