Dauti: Autorët e “Gjakut të papastër” të denjë për çmimin Pulicer!

Nëse dalin të sakta pohimet e dokumentarit “Gjaku i papastër”, gazetarja Sashka Petkovska dhe koleget e saj nga ekipi hulumtues dhe produksioni IRL, do të duhej të fitonin çmimin e Pulicerit.

Kështu ka vlerësuar dokumentarin “Gjaku i papastër”, të ekipit të gazetarëve të IRL-së, kolumnisti Daut Dauti në kolumnën e botuar në gazetën “Koha”.

– Deri tash nuk është parë ndër ne një storie kaq mbresëlënëse dhe thelluese për mënyrën se si e kanë gjurmuar punën e Klinikës “Zhan Mitrev” dhe rrënuese në anën tjetër, – shkruan ky autor. – Sepse, nuk është se kanë zbuluar një fakt tejet problematik dhe jo etik me zbatimin e një terapie që ka qenë në fazë eksperimentale(hemofiltracioni) dhe e aplikuar për para të majme në kohë pandemie kur njerëzit kanë shitur shtëpitë për të shpëtuar jetën dhe janë drejtuar atje ku kjo terapi u është prezantuar si shpëtimtare, por dhe janë futur edhe më thellë, duke vënë në dyshim gjithçka që ka arritur Zhan Mitrevi: me kompetencën profesionale, me mirënjohjet e fituara(që sipas gazetareve hulumtuese janë false dhe të blera për para!) dhe shumëçka tjetër, duke nxjerrë në pah një grykësi përtej çdo etike.

Sipas Dautit, te kjo storie hulumtuese, del në pah një e vërtetë që edhe një herë duhet të valorizohet: në gazetari arma rrënuese nuk është fjala(akuza, diskualifikimi, kritika…) që mund të shkruajë për dikë, por fakti.

– Kur ta shikosh në fund filmin,(pajtohem me ata që thanë se u është dukur si film horror), del me shije të hidhur se gjithçka duket e dokumentuar. Dhe duke kaluar ditët, e duke dalë në pah edhe raste e ankesa të familjarëve të shumë pacientëve të tjerë që kanë përfunduar me vdekje, përkundër dhjetëra mijë eurove dhe shpresës që ua kanë ofruar, e duke ua fshehur shkakun e vërtetë të përkeqësimit dhe vdekjes(bakteret intraklinike), gjithnjë e më e vogël bëhet shpresa se ndoshta ishte fjala për një diversion që ia ka bërë dikush dr.Zhan Mitrevit… -ka shkruar kolumnisti D.Dauti.

– Vërtet për të ardhur keq, sepse së jashtmi dukej, e ndoshta edhe ashtu ishte gjer te ky zbulim për dyshimin për manipulimi me hemofiltracionin gjatë pandemisë, se aty vërtet ishte sjellë teknologjia më e re dhe mjekët më të mirë për kardiokirurgji. – shpreh keqardhjen për këtë skandal, për të cilin ditë më parë nisën t’i hulumtojnë faktet që ka nxjerrë dokumentari “Gjaku i papastër” menjëherë pas emetimit të tij.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey