Del raporti/ 650 zyrtarë të përfshirë në krim, mes tyre tre kryetarë bashkie dhe dy deputetë

Në dhjetor 2014 mazhoranca dhe opozita ranë dakord për pakt kundër individëve me rekorde kriminale në politikë dhe qeverisje. Në dhjetor 2015 parlamenti miratoi ligjin me numër 138 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i ashtuquajturi Ligji i Dekriminalizimit.

Impakti direkt i ligjit ishin dorëheqja e tre deputetëve, heqja e mandatit për dy deputetë të tjerë, si dhe largimi i mbi 150 zyrtarëve të lartë e të mesëm në nivelet e qeverisjes.

Midis viteve 2016-2019 humbën mandatin edhe dy deputetë të tjerë, tre kryetarë bashkie, një anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe më shumë se 200 këshilltarë lokalë dhe rreth 500 zyrtarë të nivelit të mesëm e të lartë.

Bilanci statistikor i ligjit është pozitiv. Një analizë e detajuar e problematikës dhe brendësisë së dekriminalizimit e bën bilancin statistikor jo aq domethënës.

Procesi i dekriminalizimit synonte krijimin e një sistemi parandalues, filtrues e penalizues për individët me rekorde kriminale si dhe promovimin e një sistemi të meritokracisë dhe të integritetit në politikë dhe në qeverisje.

Së pari, ecuria e dekriminalizimit 2015-2020 tregon se; kurba e përfshirjes së individëve me rekorde kriminale në politikë dhe qeverisje pritej të ulej ndjeshëm me kalimin e viteve, por zgjedhjet lokale 2019 treguan se kurba mbetet në ngritje dhe ende ka një hendek të thellë midis koncepteve të dekriminalizimit dhe vullnetit politik për ta jetësuar atë në mënyrë cilësore dhe integrale.

Së dyti, sistemi i meritës, transparencës, aftësisë dhe integritetit në promovimin e individëve në politikë e qeverisje tregon se mbetet ende i brishtë dhe nuk ka fuqi parandaluese. Shqipëria nuk ka ende një database të besueshme për burimet njerëzore në administratë dhe në qeverisje, për rrjedhojë partitë vijojnë të kenë peshën kryesore ndaj edhe prirja e individëve me rekord kriminale për të marrë poste drejtuese në shtet është e lidhur me natyrën klienteliste e vertikale të vendimmarrjes politike.

Së treti, legjislacioni i dekriminalizimit nuk parashikoi të gjithë elementët që e bëjnë procesin efektiv, parandalues dhe transparent aktualisht e në të ardhmen. Individët me rekorde kriminale të larguar nga parlamenti dhe qeverisja vijojnë të gëzojnë imunitet politik në partitë e tyre politike, nuk ka ende vendime publike të partive për pezullim apo përjashtuar nga partitë, duke dëshmuar një hendek të thellë midis parimeve të ligjit dhe parimeve mbi të cilat funksionojnë partitë politike.

Së katërti, Shqipëria është shteti i vetëm në kontinent që ka përfshirë në Kushtetutë konceptet e integritetit dhe dekriminalizimit, një vendim i nevojshëm në periudhë afatshkurtër, por eksperimental dhe penalizues për imazhin e vendit në aspektin afatgjatë.

Së pesti, jetësimi efektiv dhe afatgjatë i dekriminalizimit kërkon reformim në sistemin e emërimeve në qeverisje dhe në promovimin politik, ndërhyrje përmirësuese ligjore dhe investim afatgjatë në kulturën demokratike dhe konceptet e demokracisë dhe të mirëqeverisjes.

Instituti i Studimeve Politike (ISP) prej vitit 2019 dhe në vijim deri më 2022 po monitoron të gjitha aspektet e impaktit të ligjit të dekriminalizimit.

Ligji i dekriminalizimit nuk e shtrin efektin e tij në strukturat e partive politike. Ekziston një debat nëse është e mundur të futen rregulla të tilla edhe për palët politike dhe nëse ato janë proporcionale dhe brenda kufijve të KEDNJ-së. Ekziston gjithashtu rreziku që një ligj i tillë të hapë rrugën e ndikimit të padrejtë dhe kontrollit nga institucionet shtetërore mbi partitë politike, veçanërisht mbi partitë opozitare dhe të pengojë këto parti në një proces zgjedhor.

Sidoqoftë, problemet e përfshirjes dhe kapjes së palëve nga krimi i organizuar ose marrëveshje të tilla, mbeten një shqetësim me rëndësi të madhe. Palët kanë filluar të prezantojnë procedurat, strukturat dhe format e brendshme të dekriminalizimit. Sidoqoftë, vihet në dyshim se sa efikase janë proceset e tilla, për sa kohë që një verifikim nuk përdor instrumentet që parashikohen nga ligji për dekriminalizimin.

Dekriminalizimi ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga vetting-u. Dekriminalizimi respekton një numër parimesh dhe kufizimesh, duke përfshirë kërkesën për një vendim gjyqësor paraprak, d.m.th një rishikim gjyqësor paraprak të fakteve që përbëjnë një bazë për dekriminalizimin, proporcionalitetin dhe masa të tjera mbrojtëse.

Vetting-u, siç përcaktohet me Kushtetutë, për sa i përket gjyqtarëve në Shqipëri ka një prag më të ulët garancie. Ai nuk kërkon vendim gjyqësor dhe bazohet në informacione që mund të mos përbëjnë një vepër penale. Në krahasim, ligji për dekriminalizimin siguron mbrojtje të së drejtave të njeriut dhe garanci më të lartë sesa ligji për vetting-un e magjistratëve.

Ka pasur raste kur zyrtarët publikë, janë larguar nga ligji i Dekriminalizimit pavarësisht se nuk ishin të dënuar dhe të dhënat e policisë nuk plotësonin kërkesat e përcaktuara me ligj. Sidoqoftë, pretendohej se kishte informacione për përfshirjen në aktivitete të tjera të dyshimta kriminale. Si rezultat, largimi i tyre i ngjan më shumë vetting-ut sesa dekriminalizimit, siç përcaktohet me ligj. Këto raste që vijnë nga zbatimi i ligjit, mund të sfidojnë qëllimin, parimet dhe gërmën e ligjit dhe Konventën e të Drejtave të Njeriut, duke vënë në pikëpyetje vetë ligjin.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey