Delegacion nga Vermonti viziton Maqedoninë e Veriut

Zëvendësguvernatorja e Vermontit, Molli Grej dhe sekretarja për Tregti dhe Zhvillim të Komunitetit, Lidzi Kërll, së bashku me gjeneral majorin Greg Najt të Gardës Kombëtare të Vermontit janë për vizitë në Maqedoninë e Veriut nga 30 maji deri më 3 qershor të vitit 2021, si pjesë e Programit për Partneritet Shtetëror, njofton Ambasada e SHBA-së.

Në drejtim të avancimit të partneritetit 28-vjeçar mes Maqedonisë së Veriut dhe Gardës Kombëtare të Vermontit, delegacioni do të takojë përfaqësues të qeverisë dhe të biznesit lokal për të diskutuar mundësitë për zgjerim të partneritetit ushtarak dhe perspektivave ekonomike mes Maqedonisë së Veriut dhe Vermontit. Gjatë vizitës së tyre, zëvendës guvernatorja Grej, sekretarja për Tregti Kërll, dhe gjeneral majori Greg Najt do të marrin pjesë në Ditën për mysafirë të lartë në suaza të stërvitjes ushtarake “Goditje e vendosur 21” (Decisive Strike 21). Delegacioni nga Vermonti do të takojë edhe zëvendës kryeministrin për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipҫe dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Arianit Hoxha.

Programi për Partneritet Shtetëror lidh shtetet në SHBA me vende të tjera për të siguruar siguri dhe për të nxitur marrëdhënie ekonomike. Programi i Vermontit për Partneritet Shtetëror me Maqedoninë e Veriut filloi në vitin 1993 dhe ka përfshirë angazhime vjetore afatshkurta ushtarake dhe angazhime të tjera me veprimtari të kufizuar, pjesëmarrje në stërvitje të përbashkëta, dhe vendosje të përbashkët në Afganistan në vitin 2010 ku njësitë e Maqedonisë së Veriut i raportonin drejtpërdrejtë selisë së Brigadës së 86-të. Për më tepër, Programi për Partneritet Shtetëror ka evoluar për të përfshirë angazhime mjekësore dhe për mbrojtje dhe shpëtim. Eksplorimi aktual i partneriteteve ekonomike mes Vermontit dhe Maqedonisë së Veriut është një evolucion logjik i programit.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey