Dënohet me burgim të përjetshëm për përdhunimin e dhjetëra meshkujve!

Prokurorët e kanë përshkruar si “përdhunuesin më të tmerrshëm të Britanisë”; në një gjykatë të Manchesterit u argumentua se njerëzit nuk do të ishin kurrë të sigurt nga lirimi i tij, ndaj dhe iu dha dënimi me burgim të përjetshëm, nga i cili duhet të kryejë më e pakta 30 vjet burg.

36 vjeçari Reynhard Sinaga, student masteri me origjinë nga Indonezia, u dënua për 159 krime të natyrës seksuale, përfshirë 136 përdhunime. Mendohet se ai ka joshur 195 meshkuj duke i tërhequr në apartamentin e tij me sjelljen e “një samaritani të mirë”; aty pastaj i drogonte dhe i sulmonte kur lënda narkotike kishte dhënë efektin e saj, e ata humbnin ndjenjat.

Sinaga kishte filmuar secilin nga sulmet, ndaj nuk qe e vështirë të provohej fajësia e tij pasi policia arriti t`i sekuestronte telefonin celular. Autoritetet britanike mendojnë se abuzimet e tij mund të shtrihen në një periudhë 10 vjeçare.

70 prej viktimave të tij, nuk janë identifikuar ende. Teksa jepte dënimin, gjykatësja Suzanne Goddard QC e përshkroi Sinagën si një “individ të rrezikshëm, me probleme të thella, dhe si një person pervers pa sens realiteti”, i cili nuk duhet të lirohet kurrë nga burgu.

Goddard shtoi se kishte menduar të jepte urdhrin që Sinaga ta vuante të plotë dënimin, çka nënkuptonte se nuk do të lirohej kurrë, e ky do të ishte dënimi i parë i këtij lloji për një krim tjetër përveç vrasjes.

Por siç sqaroi ajo, bëhej fjalë “për një krim në kufirin e kategorizimit” ndaj dhe nuk mundi të kalonte afatin e detyrueshëm të 30 viteve.

“Sipas gjykimit tim ju jeni një individ shumë i rrezikshëm, dinak dhe mashtrues, e që nuk duhet liruar sepse nuk do të jetë kurrë i sigurt për të tjerët”, tha gjykatësja.

Goddard shtoi më tej, se kjo është një çështje, të cilën duhet ta vendosë më tej paneli i caktuar për të bërë vlerësimin e lirimit apo jo me kusht në fundin e kryerjes së dënimit të detyruar.

I pandehuri u shfaq i pakënaqur e i bezdisur teksa jepej dënimi, dhe ndërsa në sallë tregoheshin prova shqetësuese të ndikimit që veprimet e tij kishin pasur mbi viktimat, 36-vjeçari luante me flokët, çka i ra në sy gjykatëses, që tha se ai nuk kishte treguar “asnjë pendesë”.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey