Dështon takimi mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, edhe 24 orë afat për Qeverinë

Ende nuk ka asnjë marrëveshje mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës për qeverinë e re. Takimi prej tre orësh ka dështuar dhe mes palëve nuk ka asnjë rezultat, çka nënkupton se marrëveshja mes tyre do ende kohë.

Pas takimit zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa ka thënë se dy kryetarët do të takohen sërish nesër ndërsa është shprehur se nuk ka detaje se për çka është diskutuar aty.

Takimi Kurti-Mustafa ka ndodhur pas mbledhjes së Kryesisë së VV-së e cila është mbajtur sot, ndërsa dje LDK ka thënë se janë të gatshëm për të vazhduar negociatat.

Pas takimit me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, lideri i LV-së, Albin Kurti doli të hënën me një mesazh video, ku i kërkonte Lidhjes Demokratike të Kosovës arritje sa më shpejt të një marrveshje. Kurti bëri publike propozimet e tij për ministrat, duke i kërkuar LDK-së që të propozojë edhe ai pesë emrat e tij. Me qëllim apo jo, Kurti kishte lënë bosh edhe postin për Ministrinë e Brendshme.

Dje u bënë tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur qytetarët masivisht votuan edhe për ndryshime politike në vend dhe e bënë Lëvizjen Vetëvendosje subjekt të parë e fitues.

Në rast të dështimit të marrëveshjes me LDK-në, kryetari i VV-së nuk ka treguar nëse do ta krijojë i vetëm Qeverinë apo vendi do t’i drejtohet sërish zgjedhjeve të parakohshme.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey