Detaje ekskluzive/ Vrasja në Tropojë, sinjal për Haklajt apo konkurrencë për biznesin?

Vrasja që ndodhi në Tropojë në mbrëmjen e 5 janarit ka ndodhur përmes një skenari deri në perfeksion. Çka të bind se krimi vështirë të mendohet se është kryer nga amatorë. Dhe për këtë faktet e mëposhtme dhe eksluzive për Gazetën Shqip janë provë e fortë.

Së pari, viktima e atentatit të 5 janarit në Tropojë Guxim Gjuriçi prej 20 vitesh jeton në Tropojë dhe ka biznesin e tij. Ai ka në qytetin e lindjes edhe njërin prej tre djemve, ndërsa dy fëmijët e tjerë prej vitesh janë vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jetojnë dhe punojnë.

Së dyti, Guxim Gjuriçi ka qenë i shkëputur nga lidhjet kriminale të Tropojës, atëherë kur në këtë qytet bandat bënim namin dhe në qytet sundonin bandat, shumë prej të cilave në dekadën e parë të tranzicionit i drejtonte Fatmir Haklaj.

Pas ngjarjes, mediat e lidhin vrasjen e Gjuriçit me Fatmir Haklajn. Sepse, Gjuriçi ka një lidhje farefisnore me të. Por, më shumë se vetë Guximi, me Fatmir Haklajn ka patur një lidhje të fortë miqësie vëllai i tij, Agron Gjuriçi. Ky i fundit ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej vitit 2005.

Por faktet e mëposhtme ngrenë dy pista të atentatit të 5 janarit të këtij viti. Vrasja e Gjuriçit ishte sinjal për Haklajt, apo një konkurrencë për biznesin e tij në Tropojë.

Vëllai i viktimës Agron Gjuriçi prej 15 vjetësh ndodhet në Amerikë, por ndaj tij në 1998 ka pasur një akuzë për vrasje. Bëhet fjalë për një krim të ndodhur në 5 janarin e vitit 2008, kur janë vrarë në Cërnicë tre persona Abdyl Matoshi, Gjon Kolbuçaj dhe Naim Dizdari, ngjarje për të cilën në atë kohë u tha se ishte kryer nga Agron Gjuriçi dhe Fatmir Haklaj. Por, asnjëherë nuk pati një akuzë zyrtare nga organet e hetimit.

22 vite më vonë fiks në 5 janar 2020 vritet Guxim Gjuriçi, vëllai i Agronit. Krimi, sipas Policisë është kryer nga profesonistë. Viktima ka qenë me nipin (djalin e Agronit) dhe sapo është ndarë prej tij një makinë ka qëlluar ndaj biznesmenit, duke e lënë të pajetë. Nipi i tij, ka shkuar dhe e ka gjetur xhaxhain në sekondat e fundit të jetës.

Tashmë, pistat janë dy. Ose Gjuriçi është vrarë për të çuar një sinjal tek Haklajt dhe kjo ka ndodhur në të njëjtën datë si 22 vite, ose për konkurrencë biznesi.

Askush nuk mund të pohojë me ekzaktësi se cila prej pistave ka më shumë vend në hetimet e policisë. Nëse do ishte për hakmarrje ndaj Agronit, (në pamundësi për ta gjetur atë, sepse jeton në USA) nuk kishte pse të ndodhte tani dhe jo më parë. Kjo, pasi Guximi ka qenë në Tropojë gjatë gjithë kohës. Por, edhe kjo pistë nuk mund të ketë “këmbë të forta”. Sepse, hakmarrja mund të ishte ndaj djalit të Agronit, që ka qenë në Tropojë të paktën kohët e fundit.

Pra, në këtë rast alibia është e qartë, duke e përzier krimin për hakmarrje me konkurrencën në biznes. Dhe kjo është bërë qëllimisht. Së pari për të larguar vëmendjen e një hakmarrjeje që zë fill 22 vite më parë dhe së dyti për ta përfshirë ngjarjen në motive krejt të tjera e që kanë lidhje me konkurrencën në biznes. A do të zbardhet ky krim?!

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey