Djali mbeti i vdekur në vend, e babai po trajtohet në QKUK, detajet e fundit nga ngjarja në Gradicë

Detajet e Prokurorisë për rastin në Gradicë, ku mbeti i vdekur një 15-vjeçar dhe u plagos një tjetër

Një 15-vjeçar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. I plagosur në këtë rast ka mbetur edhe babai i tij i cili aktualisht, si pasojë e plagëve të marra, është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë të Drenasit, për Express kanë dhënë detaje edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë për Express se rasti është cilësuar “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ajo poashtu ka njoftuar se trupi i viktimës është dërguar për obduksion, ndërkaq personi tjetër që ka mbetur i plagosur është duke u trajtuar në QKUK.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë më njësitë e tjera relevante. Rasti është cilësuar “Vrasje e rëndë “ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurorit kujdestar trupi i pa jetë është dërguar për obduksion, ndërsa personi tjetër i plagosur është duke u trajtuar në QKUK. Aktualisht ju njoftojmë se një person i dyshuar i përshirë në këtë rast është dorëzuar në polici, derisa Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, ka thënë Ulaj për Express.

Për rastin në fjalë ka njoftuar edhe Policia e Kosovës. Përmes raportit 24 orësh, policia ka njoftuar se deri te vrasja ka ardhur pas një mosmarrëveshje ku dy të dyshuar meshkuj kosovarë dyshohet që me armë zjarri kanë qëlluar dy viktimat meshkuj kosovarë dhe si pasoj e plagëve të marra, viktima i mitur ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima tjetër është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë.

“Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie dhe një veturë e llojit Golf 2 të cilat dyshohet që janë përdorur në rast. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

Në ndërkohë zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti ka konfirmuar sot se i dyshuari për rastin në fjalë është dorëzuar sot në polici.

“Sot rreth orës 08:30, është dorëzuar në polici i dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë. Xh. B. (mashkull) 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit poashtu i është sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë përdorur në rast. Ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore”, ka thënë Ahmeti.

Mundesia me shume...
Pamje me shume...
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey