Droni që e filmoi pastrimin gjeneral të Orce Gjorgjievskit ka fluturuar jashtë rregullave
Sipas të dhënave të disponueshme publikisht të Agjencisë së Aviacionit Civil droni me të cili u filmuan pamjet panoramike të operacionit të pastrimit të Shkupit nuk ishte i regjistruar për fluturim në këtë institucion, shkruan Prizma. Sipas rregullave çdo mjet fluturues që fluturon në qiellin e Maqedonisë paraprakisht duhet të regjistrohet bashkë me operatorin e […] The post Droni që e filmoi pastrimin gjeneral të Orce Gjorgjievskit ka fluturuar jashtë rregullave appeared first on InfoShqip.com.
Sipas të dhënave të disponueshme publikisht të Agjencisë së Aviacionit Civil droni me të cili u filmuan pamjet panoramike të operacionit të pastrimit të Shkupit nuk ishte i regjistruar për fluturim në këtë institucion, shkruan Prizma.
Sipas rregullave çdo mjet fluturues që fluturon në qiellin e Maqedonisë paraprakisht duhet të regjistrohet bashkë me operatorin e tij, ndërsa fluturimi duhet të njoftohet paraprakisht në sistem.
Në raste të tjera kur janë shkelur këto rregulla Agjencia e Aviacionit Civil ka reaguar duke bërë paralajmërime, ndërsa MPB-ja ka thirrur gazetarë dhe fotografë për biseda informative.
Fotografi i panjoftuar i qeverisë
Në mbrëmjen e 6 nëntorit vendparkimi para Qendrës Sportive “Boris Trajkovski” i ngjasonte një baze të improvizuar për “shpëtimin” e qytetit nga mbeturinat. Dritat e dhjetëra kamionëve dhe dritat rotulluese të automjeteve të higjienës komunale e ndriçuan të gjithë hapësirën atje. Automjetet ishin në gatishmëri. Sipër tyre fluturonte një dron.
Pamjet e para panoramike të “aksionit të madh për pastrimin e Shkupit” i pari i publikoi kryeministri Hristijan Mickoski në mbrëmjen e 6 nëntorit në orën 20:42 në faqen e tij zyrtare në Facebook, ndërsa të nesërmen ai postoi edhe një video.
Po të njëjtën ditë foto të tjera u postuan në profilin e kryetarit të ri të Shkupit, Orce Gjorgjievski – përsëri nga lartë, me pamje të autobusëve të operatorëve privatë të transportit. Të dielën Gjorgjievski publikoi një video në të cilën mund të shiheshin ekskavatorët duke e pastruar shtratin e Vardarit të filmuar me dron.
Një pjesë e opinionit në rrjetet sociale këto regjistrime i komentoi si një mesazh PR-i. Por, këto foto dhe video ngritën pyetje të tjera – kush e fluturonte dronin me regjistrimet e të cilit u lëvduan kryeministri dhe kryetari i Qytetit të Shkupit dhe a ishte njoftuar fluturimi ashtu siç kërkohet me rregulloret.
Për të bërë regjistrime nga ajri ekzistojnë rregulla rigoroze. Operatori i mjetit fluturues duhet t’i nënshtrohet një provimi, ndërsa mjeti fluturues duhet të jetë i regjistruar në Agjencinë e Aviacionit Civil. Çdo fluturim duhet të njoftohet paraprakisht. Por, në mbrëmjen kur filloi aksioni nuk është njoftuar asnjë fluturim i tillë, si dhe as në ditët në vijim.
Njoftimi i fluturimit nëpërmjet portalit për dronët është i detyrueshëm për të gjitha mjetet fluturuese.
Në sistemin e fluturimeve në 6 nëntor janë regjistruar katër fluturime mbi Shkup, por asnjëri prej tyre nuk përputhej me kohën dhe lokacionin tek salla “Boris Trajkovski”.
Në atë lokacion nuk janë njoftuar fluturime as më 7 nëntor, kur u publikuan fotot e autobusëve privatë, e as më 8 nëntor kur kryetari i Qytetit të Shkupit, Gjorgjievski, i dërgoi ekskavatorët për ta pastruar Vardarin.
Një operator droni i cili është i regjistruar në Agjencinë e Aviacionit Civil na tha se njoftimi duhet të bëhet gjithmonë për ta “rezervuar hapësirën ajrore”.
Standarde të dyfishta për fluturimin mbi qiellin e Maqedonisë
Drejtori i Agjencisë së Aviacionit Civil, Dragi Stojanovski, na tha se zakonisht kontrollet mund të bëhen përderisa po zhvillohet fluturimi – dhe se më vonë një gjë e tillë është pothuajse e pamundur.
“Ne nuk kemi aftësinë teknike për ta bërë një kontroll të tillë, për të ndjekur ose për të pasur gjurmë se kush e ka fluturuar atë”, thotë Stojanovski.
Krahas lejes së fluturimit, në agjenci duhet të jetë i regjistruar edhe vetë droni. Në këtë mënyrë ai pajiset me një shenjë regjistrimi, të ngjashme me targat e makinave. Kjo shenjë duhet të ngjitet në secilin mjet fluturues.
Ky rast flet për një qasje të ndryshme nga shteti ndaj rregullimit të fluturimeve me dronë në vendin tonë.
Në mars të këtij viti gazetarët e Reuters dhe TV21 u ndaluan në stacion policor për shkak se filmonin me dron gjatë një proteste që u mbajt në Shkup, e që ishte e organizuar për zjarrin tragjik që shpërtheu në diskotekën “Pulse”.
Për atë rast Ministria e Punëve të Brendshme atëkohë njoftoi se fluturimi në atë zonë ishte i ndaluar dhe se operatorët kishin shkelur rregulloret.
Ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkovski, atëkohë deklaroi: “Ne duhet të fillojmë t’i respektojmë ligjet. Nëse ekziston një rregull sipas të cilit fluturimi i një droni duhet të njoftohet tek autoriteti kompetent, atëherë ashtu duhet të bëhet.”
Ligji për Aviacionin parashikon gjoba kundërvajtëse për çdo fluturim pa leje. Në rastin e regjistrimeve qeveritare, institucionet ende nuk kanë njoftuar për procedura.
Ndryshe, problemi i kushteve johigjienike në qytet u përshkallëzua në mes të zgjedhjeve lokale në Maqedoni. Dhe ndërsa Shkupi mbytej në mbeturina për javë të tëra, pushteti dhe opozita vazhdonin ritualin e akuzave – njëra palë thoshte se mungonin makinat e pastrimit, tjetra se mungonte vullneti politik. Por sapo erdhi Gjorgjievski, për çudi, gjithçka nisi të funksionojë si me shkop magjik. Kamionët e pastrimit dolën në terren, mbeturinat u zhdukën dhe qyteti filloi të marrë frymë. Për shumëkënd, kjo u interpretua më shumë si skenar i përgatitur me kujdes-një teatër i tërë, vetëm që Gjorgjievski të shkëlqente në skenën e tij të parë publike si “shpëtimtari” i Shkupit.
Lidhur me problemin me mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit, Qeveria i ngarkoi inspektoratet kompetente, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), të fillojnë inspektim të jashtëzakonshëm të koordinuar për të përcaktuar situatën me mbeturinat komunale, dhe me qëllim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse.
Në vazhdën e kësaj situate, u arrestuan edhe ish-drejtorët e Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale.
Ata dyshohen se kanë kryer vepër penale të rrezikimit të mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina, sepse kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave dhe aktivitetin themelor të kompanisë për mbledhjen dhe transportimin e rregullt të mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit.
The post Droni që e filmoi pastrimin gjeneral të Orce Gjorgjievskit ka fluturuar jashtë rregullave appeared first on InfoShqip.com.