Duhet ta reformojmë kapitalizmin, jo ta braktisim atë

Pse frutat dhe perimet në supermarkete janë të dukshme në hyrjeNga Ray Dalio për CNN Business Perspectives

Rendi ekonomik botëror po ndryshon, pavarësisht nëse na pëlqen një gjë e tillë apo jo. Këtë mund ta shohim teksa njerëzit dhe kompanitë në mbarë botën po humbasin të ardhurat dhe kursimet dhe bankat qendrore dhe qeveritë po u sigurojnë para për të kompensuar për humbjet. Dhe mund ta shohim në faktin se nuk është tregu i lirë që po përcakton më ndarjen e kapitalit, por qeveritë.

Qeveritë qendrore dhe bankat qendrore po mbledhin shuma prej trilionash në para dhe kredi, për t’ua dhënë atyre që mendojnë se kanë nevojë. Së shpejti kjo do të ndiqet nga një debat, mbase edhe një luftë, mbi faktin se nga duhet të vijnë këto para dhe kush duhet të ketë çfarë në botën e re. Kontrolle të tilla shpenzimesh dhe konfliktet politike që i ndjekin, kanë ndodhur shumë herë në histori, sidomos kur rëniet e mëdha ekonomike dhe financiare janë shoqëruar me nivele të larta borxhesh dhe hendeqe të mëdha në pasuri.

Historia na ka mësuar se këto konflikte mund të ndodhin brenda shteteve dhe midis shteteve. Mënyra sesi zgjidhen ato, do të përcaktojë nëse mundësitë ekonomike do të rriten dhe do të ndahen në mënyrë të drejtë, apo nëse do të tkurren dhe do të ndahen përmes grindjeve.

Sistemi i ri do të jetë ndryshe

Ka shumë mundësi që sistemi i ri që do të krijohet, do të jetë shumë i ndryshëm nga sistemi kapitalist, me të cilin jemi mësuar.

Këto lloj ndryshimesh në rendin botëror kanë ndodhur shumë herë gjatë historisë, më së fundmi gjatë viteve 1930 dhe 1945, periudhë e karakterizuar nga përçarje të thella për qasjen më të mirë në ndarjen e pasurisë dhe pushtetit – dhe faktin se cili sistem ekonomik dhe politik është më i efektshëm në këtë drejtim. Për shembull, gjatë tranzicionit nga vitet dinamike 1920 në periudhën e depresionit 1930-1945, pamë sesi sistemet relativisht kapitaliste dhe demokratike, ndryshuan në sisteme më autokratike që impononin rishpërndarjen e pasurisë.

Sisteme të tilla përfshinin komunizmin (rishpërndarje ekstreme e pasurisë me kontrolle politike autokratike, si në Rusi), fashizmin (kontroll autokratik i ekonomisë dhe i politikës, si në Gjermani, Japoni, Itali dhe Spanjë) dhe socializmin demokratik (një rishpërndarje më e moderuar e pasurisë dhe lëvizje më të moderuara në hierarkinë e kontrollit, që u përhap në demokracitë si Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar).

Nën trysninë e provave të tilla stresuese, disa shoqëri përkulen (p.sh., sistemet kapitaliste dhe demokratike në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve 1930) dhe të tjera thyhen (p.sh., Gjermania, Japonia, Italia dhe Spanja i braktisën sistemet e tyre në favor të autokracisë). Shumica e vendeve të botës tani po përjetojnë të njëjtin lloj stresi.

Pavarësisht të gjitha, kapitalizimi është sistemi më i mirë

Teksa kriza e tanishme shpaloset, duhet të kujtojmë se gjatë historisë, kapitalizmi ka dëshmuar se është sistemi më i mirë, megjithëse ndonjëherë mund të ketë edhe të meta. Ai zakonisht është zgjidhja më e mirë kur bëhet fjalë për alokimin e burimeve dhe rritjen e produktivitetit dhe standardeve të jetesës së një shoqërie, falë mënyrës sesi funksionon fitimi.

Është shumë e thjeshtë: nëse vlera e një produkti është më e madhe se vlera e burimeve të përdorura për ta prodhuar atë, ai do të jetë fitimprurës dhe veprimtaria do të fitojë më shumë burime. Nëse vlera e një produkti është më e ulët se kostoja e burimeve të përdorura për ta prodhuar atë, veprimtaria do të humbasë para dhe do të mbyllet. Sistemi gjithashtu i shpërblen financiarisht individët që krijojnë produkte që njerëzit i duan dhe nëse e bëjnë një gjë të tillë, ata sigurojnë kapital nga investitorët, të cilët i rrezikojnë paratë e tyre bazuar në vlerësimet për meritat ekonomike të këtyre ideve.

Megjithëse ky kapitalizëm fitimprurës ka funksionuar mirë në këtë mënyrë, ai gjithashtu ka qenë i papërsosur në ofrimin e mundësive të barabarta. Nuk ka arritur t’u sigurojë njerëzve mundësi të barabarta për të qenë produktivë dhe nga ana tjetër, nuk ka arritur të kujdeset për nevojat themelore të njerëzve që nuk mund të jenë produktivë. Gjithashtu nuk ka krijuar kufizime se sa të ulëta mund të jenë kushtet e jetesës së njerëzve ose sa të shfrenuara mund të jenë shpenzimet.

Për mua, ana më tragjike është se lejon që një numër i madh fëmijësh të rriten në mjedise të dhunshme, gjë që është e dëmshme si nga pikëpamja ekonomike dhe shoqërore. Sistemi është ekonomikisht i keq sepse kostot e një numri të madh njerëzish joproduktivë, janë shumë më të mëdha se përfitimet që mundësojnë njerëzit produktivë. Dhe është i keq nga pikëpamja shoqërore, sepse një sistem që nuk ofron mundësi të barabarta, nuk mund të konsiderohet i drejtë – dhe sistemet e padrejta nxisin konflikte shoqërore përçarëse.

Për të qenë të qartë, nuk po them se duhet të ketë ligje që kufizojnë mënyrën se si njerëzit i shpenzojnë paratë e tyre, sepse nuk besoj se duhet të ketë. Por dua të them se hendeqe kaq të mëdha në shpenzimet dhe kushtet e jetesës, po kërcënojnë ekzistencën e sistemit tonë. Për këto arsye, unë besoj se duhet ta reformojmë kapitalizmin, jo ta braktisim atë.

Si duhet të jetë sistemi i ri

Që shoqëria të funksionojë më mirë, sistemi i ri duhet të rrisë mundësitë ekonomike dhe t’i ndajë ato në mënyrë të drejtë. Aftësia jonë për të konsumuar varet nga aftësia për të prodhuar, jo nga sasia e parave që marrim. Paratë nuk mund të hahen.

Dikush duhet të paguhet për të prodhuar dhe për të shpërndarë ato që ne konsumojmë. Dhe nuk mund të rrisim standardet e jetesës thjesht duke u dhënë para njerëzve – ata duhet të nxiten për të prodhuar, dhe kjo duhet të bëhet me një kosto efektive, përmes një sistemi që nuk administrohet nga lart.

Në thelb, sistemi duhet të përpiqet të sigurojë 1) mundësi të barabarta për të gjithë ata që kanë potencialin të prodhojnë (sepse kjo është njëkohësisht më e drejtë dhe më produktive) dhe 2) nevoja themelore për ata që nuk janë në gjendje të prodhojnë (sepse kjo është njerëzore dhe thelbësore për ruajtjen e paqes në komunitet).

A nuk mund të pajtohemi të gjithë për një ide të tillë – qofshim kapitalistë, socialistë, republikanë apo demokratë? A nuk jemi dakord se çfarëdo sistemi që të kemi, duhet të bëjë një punë të shkëlqyer, si në rritjen e mundësive ekonomike dhe në ndarjen e drejtë të tyre?

Nëse mund të biem dakord që këto gjëra janë thelbësore sepse alternativat e tjera janë të tmerrshme, atëherë njerëzit me ideologji të ndryshme do të jenë më të qytetëruar me njëri-tjetrin dhe më të gatshëm të punojnë për të zgjidhur mosmarrëveshjet me logjikë, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje për të mirën e të gjithëve. Ne duhet të kuptojmë si ta bëjmë këtë me bashkëpunim dhe aftësi. Nëse nuk e bëjmë dot, do të përfundojmë në një luftë civile që do të na përçajë në mënyrë tragjike dhe do t’i ulë mundësitë për të gjithë.

The post Duhet ta reformojmë kapitalizmin, jo ta braktisim atë appeared first on ShqipMedia.

SMART PUBLISHER

AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey