E harruan Shkupin

Muhamer Pajaziti

Partitë politike shqiptare në Maqedoni gjatë dy dekadave të fundit të pluralizmit politik, në vorbullën e shumë devijimeve bënë edhe një gabim të thellë strategjik me koncentrimin e aktivitetit të tyre në Tetovë.

Një logjik e tillë e faktorit politik shqiptarë i dha goditje të rëndë Shkupit, kryeqendrës së dikurshme shqiptare, duke e lënë atë në harresë totale. Kjo politik i krijoi terren të përshtatshëm partive maqedonase, për ta eliminuar përfundimisht çdo element shqiptarë në këtë qytet, duke e sllavizuar dhe hegjemonizuar atë skajshmërisht.

1.
Gabimi i parë dhe i pafalshëm ishte përqendrimi i selive të të gjitha partive politike shqiptare në qytetin e Tetovës. Duke u transferuar kështu veprimi i tyre politik në një provincë, ku politika zhvillohet nëpër restorantet e bosëve të partive politike, dhe në çajtoret e tymosura ku zihet e përzihet çaji, luhet bixhozi e bahen dallaveret.

Ndoshta harruan se politika bëhet në kryeqendra ku janë të pranishëm misionet diplomatike të shteteve më të fuqishme të botës, atje ku veprojnë organizatat më relevante ndërkombëtare, atje ku diplomatë të fuqishëm e pinë kafen e mëngjesit, darkojnë e janë të pranishëm në kokteje të ndryshme, ku flitet edhe për fatin e shqiptarëve në këto troje. Ndoshta gabimi ishte se gjithë këto vite, me politikë u morën njerëzit që aksidentalisht u gjetën aty, ndërsa ata vërtetë të politikës, të pafuqishëm dhe anashkaluar e mallkuan vetën pse hoqën të zitë e ullirit duke mësuar e studiuar për tu sunduar nga matrapazët e injorantët e marrë.

2.
Gabimi i dytë ishte përqendrimi i dy universiteteve shqiptare, tepër të rëndësishëm për kombin tonë, në qytetin e Tetovës. Sërish u anashkalua Shkupi të cilit do t`i kishte më shumë hije të bëhej një qendër universitare shqiptare. Akademikët, profesorët dhe intelektualët shqiptar më mirë do të vepronin aty ku janë institucionet e shtetit, aty ku janë të gjitha ambasadat dhe organizatat e huaja ndërkombëtare. Apo ndoshta gjithçka ishte planifikuar. Ndoshta politikani shqiptar e ka menduar se në një provincë më mirë mund të kontrollonte trurin e intelektualit dhe akademikut. Ndoshta janë frikuar se në një kryeqendër vështirë do të ishte të kontrollohen elitat intelektuale. Këta politikan ndoshta nuk janë edhe aq naiv sa duken.

3.
Gabimi i tretë ishte se gjithë këto vite faktori politik shqiptar zhvilloi luftë të ashpër mes vete, duke u marrë me tenderë, darka , dreka, dy tre punësime në administratë dhe inaugurimin e disa rrugëve lokale nëpër katunde. Vonë ju ra ndërmend se shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për institucione, institute, akademi, qendra albanologjike për kultivimin dhe ruajtjen e historisë dhe kulturës sonë kombëtare, për institute shkencore, etj.

4.
Si rezultat i këtyre politikave sot shqiptarët e Shkupit identifikohen vetëm me Bit Pazarin, aty ku me djersën e ballit sigurojnë kafshatën e bukës. Vendi i vetëm ku ata me vështirësi e sigurojnë ekzistencës, sepse institucionet shtetërore për ata janë diçka abstrakte, aty mund të punësohen vetëm familjarët e pushtetarëve dhe ata me librezë partie.

Sot shqiptarët në Shkup, akoma e ndjejnë vetën si të huaj, sepse të huaj i konsideron shteti dhe s’ka kush ti mbroj. Prandaj ata kërkojnë ndihmë nga Tirana e Prishtina zyrtare, por më kotë, këto dy qendra shqiptare i kanë mbushur veshët me lesh dhe nuk dëgjojnë fare.

Para se ti akuzojmë Nikollën, Zoranin apo Draganin, tua bëjmë me dije disa protagonistëve të politikës shqiptare në Maqedoni se mjaftë më na kanë mashtruar me hipokrizitë e tyre.

Ditën i përplasen më protragonistë të partive maqedone, ndërsa në darkë ngrenë dolli me ta. Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për alternativa të reja, për gjak të ri, për intelektual të dëshmuar, me urtësinë e cilëve do të mund tu kthehej krenaria shqiptarëve në trojet e veta etnike. Shkupi por edhe qytetet tjera shqiptare kanë nevojë të udhëhiqen nga njerëz me vlera, e jo nga matrapazë dhe partizanë të partive politike. Është momenti që të gjithë intelektualët shqiptar në Maqedoni të mobilizohen për ta ndryshuar këtë gjendje amullie dhe kaosi të padurueshëm.

LAJME TJERA
AlbaniaEnglishFrenchGermanItalyTurkey